Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Vlorë garanton ujëra detarë të pastër për sezonin veror

Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura në “Pyllin e Sodës”, UK Vlorë
Foto nga UK Vlorë

Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Pyllin e Sodës, në Vlorë, është në operim të plotë që nga muaji gusht 2018, pas disa viteve ndërtimi dhe tani është në kapacitet të plotë për sezonin turistik të këtij viti.

Ndërtimi i Impiantit u mundësua falë investimit prej 21 milionë euro të financuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Shqiptare, i cili parashikon të sjellë përmirësim të dukshëm të cilësisë së ujërave detarë në plazhet e Vlorës.

Drejtori i Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Vlorë (UK Vlorë), z. Dorian Xhelili, i pyetur me rastin e afrimit të sezonit veror turistik, u shpreh: “Impianti është në funksion të plotë këtë sezon veror dhe do të bëjë të mundur që filtrimi i ujërave të ndotura të shkojë në 70%, duke bërë që ujërat në det të jenë më të pastra.  Kjo do të ketë ndikim të madh në sezonin turistik të këtij viti.  Ky impiant do të trajtojë të gjitha ujërat e ndotura të qytetit të Vlorës.  Aktualisht po punohet për të shtuar kapacitetin dhe për të avancuar me teknologjinë për rritjen e shërbimit.  Garantoj qytetarët dhe pushuesit se si pasojë e kësaj vepre do të kenë ujëra detarë të pastër këtë sezon turistik”.  Në vazhdim, z. Xhelili u ndal dhe tek Impianti i Orikumit për Trajtimit të Ujërave të Ndotura, që menaxhohet nga UK Vlorë.  “Ky impiant do të bëjë të mundur trajtimin e vijës bregdetare dhe të pjesës tjetër të qytetit.  Edhe kjo është një vepër e rëndësishme që do ti shërbejë turizmit”, – u shpreh ai.

Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura në “Pyllin e Sodës”, UK Vlorë
Foto nga UK Vlorë

Aktualisht ka disa pika të shkarkimit të ujërave të ndotura në det, por sipas drejtorit Xhelili, gjithçka pritet të marrë fund.  “Zbatimi i një investimi të Qeverisë Shqiptare, do të bëjë të mundur që të mos ketë më derdhje të ujërave të ndotura në det, ndërsa do të përfshihen në këtë projekt edhe banesat që janë ndërtuar në zonat kodrinore deri tek tuneli në “Ujë të Ftohtë”, të cilat nuk kanë qenë të përfshira ndonjëherë në rrjetin e kanalizimeve si pasojë e ndërtimeve që janë bërë ndër vite, si dhe përpara se Impianti i Vlorës të projektohej”, – përfundoi z. Xhelili.

Ndërkohë ditët e fundit, punonjësit e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura, janë angazhuar në mbjelljen e disa pemëve në ambjentet e këtij impianti.  Pemët janë dhuruar nga Bashkia Vlorë dhe do të shërbejnë për ta bërë impiantin edhe me të gjelbëruar dhe një mjedis të shëndetshëm.