Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Vlorë planifikon projektin për parandalimin e përmbytjeve

Dorian Xhelili, Drejtor i UK Vlorë (djathtas), gjatë takimit me specialistët për të diskutuar mbi projektin për parandalimin e përmbytjeve
Foto nga UK Vlorë

Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Vlorë (UK Vlorë) synon që t’i japë një zgjidhje përfundimtare situatave që krijohen nga përmbytjet në qytetin e Vlorës.  Në kuadër të kësaj, drejtori i UK Vlorë, Dorian Xhelili, zhvilloi një takim me specialistë të ndryshëm, për të ndarë mendimet dhe opinionet e tyre, rreth nisjes së punës për realizimin e një projekti për një investim që do t’i japë zgjidhje përmbytjeve në Vlorë.  Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues të studios projektuese e cila ka zbatuar investimet në rrjetin e kanalizimeve në qytet, si dhe specialistë të vjetër, që e njohin qytetin e Vlorës, mes tyre edhe inxhinierë hidroteknik.

Në këtë tryezë u diskutua në lidhje me përmbytjet në Vlorë, problematikat që janë hasur dhe zgjidhjet që mund të ofrohen.  Gjithashtu u diskutua dhe në lidhje me prurjet e ujërave që vijnë nga zonat kondrinore të qytetit, në të cilat janë dëmtuar prej vitesh kanalet e ujërave të sipërfaqësore dhe për pasojë prurjet e shumta ndikojnë në qytet. Siç u konkludua nga pjesëmarrësit në takim, duhet të bëhet një studim i mirëfilltë duke llogaritur edhe shtimin e popullsisë, ndërtimet, si dhe ndryshimet klimaterike.  Pas takimit, pjesëmarrësit shkuan në një vizitë në terren ku inspektuan lëvizjen e ujit përmes rrjetit të kanalizimeve dhe kolektorit kryesor që transporton ujërat e ndotura në impiantin e trajtimit, si dhe stacionet e pompave.

Punimet për pastrimin e kanalizimeve në qytetin e Vlorës
Foto nga UK Vlorë

Situata e krijuar në fillim të muajit maj 2019 si pasojë e reshjeve me intensitet të shiut, erdhi edhe për shkak të punimeve në bulevardin Vlorë-Skelë, pasi nuk ishin të stabilizuara lidhjet e kanalizimeve në investimin e ri, me pjesën tjetër të kanalizimeve në këto zona.  Bashkia e Vlorës dhe UK Vlorë, në bashkëpunim me arkitektin që po zbaton projektin e bulevardit Vlorë-Skelë po punojnë që të gjenden zgjidhjet përfundimtare, me qëllim që të bashkohen të gjitha pikat më problematike te rruga “Albano&Romina”, pranë Bibiliotekës Publike dhe në ndonjë zonë tjetër problematike, me rrjetin e ri në bulevard.  Gjithashtu, është duke u finalizuar projekti që do të përmirësojë rrjedhjen e ujërave në zonën e rrugës “Transballkanike”, pasi rrjeti aktual nuk e përballon dot sasinë e madhe të reshjeve.

Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Vlorë, është e vendosur për të ofruar zgjidhje të përhershme për çështjen e përmbytjeve për shkak të reshjeve të mëdha.  Shoqëria kryen thuajse çdo ditë punime në pastrimin e kanalizimeve.  Kujtojmë se pak kohë më parë u bë pastrimi i një prej kanaleve kryesor, si është ai i “Naunkës”.