Shoqëritë Anëtare të SHUKALB prezantojnë në programin e Workshopit Ekonomik Rajonal, në Bukuresht, Rumani

Brunilda Xhixho, Menaxhere e Marrëdhënieve me Publikun dhe Median, Ujësjellës Kanalizime Tiranë gjatë prezantimit të saj në workshop Foto nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë

Brunilda Xhixho, Menaxhere e Marrëdhënieve me Publikun dhe Median, Ujësjellës Kanalizime Tiranë gjatë prezantimit të saj në workshop
Foto nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë

Një workshop rajonal mbi “Rregullimin Ekonomik të Sektorit të Ujit në Vende të Ndryshme” u organizua më 15 maj 2018, në Bukuresht, Rumani, në kuadër të Forumit Rajonal të Ujit të Danubit të Evropës Lindore 2018, që u zhvillua më 14 dhe 16 maj.

Workshopi u organizua me mbështetjen e Komisionit Ekonomik të Shoqatës Rumune së Ujit së bashku me tre Grupe Specialistësh nga Shoqata Ndërkombëtare e Ujit (Ekonomi dhe Statistika, Komunikimi me Publikun dhe Klientin, Qeverisja dhe Rregullimi Institucional) dhe iu drejtua menaxherëve të kompanive të ujit, autoriteteve rregullatore, si dhe aktorëve të tjerë të sektorit të ujit.

Temat e mbuluara nga workshopi përfshinin rregullimin ekonomik të ujit, tarifat dhe përballueshmëria, të drejtat dhe detyrimet e konsumatorëve, të drejtat dhe detyrimet e kompanive të ujit, si dhe marrëdhëniet me publikun dhe komunikimin.

Shqipëria u përfaqësua në workshop nga Znj. Brunilda Xhixho, Menaxhere e Marrëdhënieve me Publikun dhe Median, Shoqëria Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë dhe Zj. Valbona Paja, Departamenti i Planifikimit dhe Raportimit, Shoqëria Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër, të cilat ishin ftuar si folëse në workshop.  Znj. Xhixho prezantoi ”Kujdesi ndaj klientit – Fokusi i ri i ofrimit të shërbimit sa më cilësor”, ndërsa znj. Paja prezantoi “Sfidat e përmirësimit të shërbimit të klientit gjatë zbatimit të reformës në sektorin e ujit”.  Të dyja prezantuan përvojat e tyre në shoqëritë ujësjellës kanalizime përkatëse në lidhje me qasjen e kujdesit ndaj klientit dhe marrëdhëniet me publikun. Prezantimet tërhoqën interesin e audiencës dhe u pritën mjaft mirë.