Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Shqipëri marrin masa për parandalimin dhe mbrojtjen ndaj përhapjes së COVID-19

Dezinfektimi i ambjenteve të zyrave të UK Lezhë si masë ndaj COVID-19
Foto nga UK Lezhë

Në kuadër të emergjencës së shkaktuar nga virusi COVID-19 dhe në mbështetje të akteve normative të posaçme të nxjerra nga Qeveria e Shqipërisë, Shoqëritë UK në mbarë Shqipërinë ndërmorrën masa të veçanta administrative për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.

SHUKALB është duke monitoruar nga afër situatën dhe është në në kontakt të vazhdueshëm me Shoqëritë anëtare të tij duke u informuar mbi ecurinë e masave të marra, si dhe duke ndarë informacion të vlefshëm me ta.

Shumica e shoqërive UK kanë organizuar stafin në grupe të posaçme pune, sipas sektorëve përkatës. Secilit prej grupeve i është caktuar masa specifike që duhen ndërmarrë për të siguruar vazhdimësinë e aktivitetit si furnizimi me ujë, grumbullimin dhe largimin e ujërave të ndotur në sistem, vazhdimësinë e trajtimit të ujit të ndotur, kujdesin ndaj klienteve, ndërhyrjet në kohë ndaj defekteve etj.

Sportelet e kujdesit ndaj klientit të UK Korçë, me sinjalistikat e posaçme për ruajtjen e distancës
Foto nga UK Korçë

Shoqëritë UK kanë bashkëpunuar dhe koordinuar aksionet e tyre me strukturat e Bashkive të tyre përkatëse, si dhe Policinë, me qëllim zgjidhjen e shpejtë dhe me efikasitet të çdo problemi apo defekti në sistemin e furnizimi me ujë dhe kanalizimeve, aksione të përbashkëta në lidhje me dezinfektimin e kopshteve, çerdheve, hapësirave publike etj, si dhe lehtësimin e punës së stafit në terren.

Disa prej Shoqërive, aty ku ka qenë e mundur, kanë urdhëruar një pjesë të stafit të tyre administrativ të punojnë nga shtëpitë e tyre.  Të gjithë punonjësit janë pajisur dhe instruktuar të veshin maska dhe doreza, si dhe janë vendosur pajisje higjenizuese për duart në të gjitha amjentet dhe zyrat e shoqërive, si dhe në pikat e kujdesit ndaj klientit.  Shoqëritë kanë përfunduar dezinfektimin e zyrave të Shoqërive, të gjitha ambjenteve në sportelet e kujdesit ndaj klientit, stacionet e furnizimit me ujë, depot, rrjetit të kanalizimeve, si dhe impiantet e trajtimit të ujit të ndotur. Gjithashtu, kanë siguruar sasinë e nevojshme të hipokloritit për dezinfektimin e ujit të pijshëm, depove, sipas normave të aprovuara dhe udhëzimeve të Drejtorisë së Shëndetit Publik.

Dezinfektimi i stacioneve të pompimit të ujit të pijshëm të UK Vlorë
Foto nga UK Vlorë

Përmes mediave lokale dhe rrjeteve të tyre sociale, Shoqëritë UK kanë ndarë informacion të rëndësishëm me klientët e tyre në lidhje me oraret e reduktuara dhe vendndodhjet e sporteleve të kujdesit ndaj klientit, mënyrat e pagesave të faturave përfshirë pagesat online përmes bankave, publikimin e numrave të telefonit për pyetje apo ankesa, pezullimin e kamatvonesave për faturat e muajve shkurt dhe mars 2020 etj.  Shumë prej shoqërive kanë vendosur sinjalistika të veçanta në dyqanet e tyre të kujdesit ndaj klientët, me qëllim respektimin e rradhëve dhe mbajtjen e distancës së lejuar nga njëri tjetri.

Në vazhdim, SHUKALB është duke zhvilluar një anketim mbi ndikimet e pandemisë COVID-19 dhe më pas do të publikojë një analizë të plotë të rezultateve të këtij anketimi në faqen e tij të internetit.

Në linkun mëposhtë po ndajmë disa foto gjatë masave që kanë marrë Shoqëritë UK Shkodër, Lezhë, Durrës, Korçë, Vlorë, Berat-Kuçovë dhe Gjirokastër.

https://www.youtube.com/watch?v=mxzp1BFU8so&feature=youtu.be