SHUKALB zhvillon me sukses kursin e trajnimit “Menaxhimi i Humbjeve të Ujit”

Elia Pendavinji, Drejtore Tregtare, Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Korçë (në këmbë) dhe pjesëmarrësit gjatë zhvillimit të ditës së 2-të të kursit të trajnimit “Menaxhimi i Humbjeve të Ujit”
Foto nga SHUKALB

Në datat 28 dhe 29 Shtator 2021, SHUKALB zhvilloi me sukses kursin e trajnimit “Menaxhimi i Humbjeve të Ujit” në Hotel Prestige, Tiranë, me pjesëmarrjen e 19 inxhinierëve nga departamentet teknike Shoqërive Ujësjellës Kanalizime Tiranë, Korçë, Shkodër, Lezhë , Pogradec, Peqin dhe Sarandë. Trajnimi u drejtua nga Elia Pendavinji, Drejtore Tregtare, Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Korçë dhe Pirro Cenko, Konsulent i pavarur.

Pjesëmarrësit morën pjesë në diskutime mbi temat mbi temat kyçe të trajtimit të ujit të ndotur si Menaxhimi i Humbjeve të Ujit në Shqipëri, Kryerja e Auditimit të Ujit, Humbjet administrative dhe Teknike, Zonat e Matura të Shërbimit (ZMA), Monitorimi i Performancës së Menaxhimit të UPA, Menaxhimi i Presionit dhe Ulja e Humbjeve Teknike, Auditimi i Ujit, Adresimi i cështjeve kryesore dhe sfida e menaxhimit të kërkesës për ujë, Përmirësimi i eficencës tregtare, Strategji të qëndrueshme për reduktimin e humbjeve të ujit, Bilanci i ujit , Rritja e ndërgjegjësimit për strategjinë.

Inxh. Pirro Cenko, Konsulent i pavarur (në këmbë) dhe pjesëmarrësit gjatë ditës së parë të kursit të trajnimit “Menaxhimi i Humbjeve të Ujit”
Foto nga SHUKALB

Trajnimi u konsiderua shumë i vlefshëm nga të gjithë pjesëmarrësit për njohuritë e ndara, diskutimet, si dhe për instrumentët e shpërndara të softuerit si WRAP i cili llogarit dhe kontrollon mundësinë e rehabilitimit të tubacionit dhe zvogëlimin e humbjeve teknike dhe MAT një softuer më të thjeshtë i cili ndjek ecurinë e ujësjellësit në drejtim të objektivave strategjikë që duhen arritur. Dëshmitë e marra nga pjesëmarrësit në fund të trajnimit theksuan përfitimin e mbledhjes dhe diskutimit të çështjeve të tilla dhe të mësuarit nga kolegët, si dhe nevojën që trajnime të tilla të përfshijnë ushtrime më praktike.