SHUKALB dhe SHUKOS organizojnë një vizitë studimore në Sofje për pjesëmarrësit e programit Benchmarking HUB për Kosovën dhe Shqipërinë

Pjesëmarrësit e vizitës studimore gjatë udhëtimit në Sofje   Foto nga SHUKALB

Pjesëmarrësit e vizitës studimore gjatë udhëtimit në Sofje 
Foto nga SHUKALB

Më 29 – 31 maj 2018, SHUKALB dhe SHUKOS organizuan një vizitë studimore në Sofje, Bullgari, në kuadër të programit të tyre të përbashkët të Benchmarking HUB për Kosovën dhe Shqipërinë.  Vizita studimore u drejtua nga Koordinatorja e HUB-it, znj. Nadire Vitija, SHUKOS, dhe u ndoq nga koordinatorët e shoqërive ujësjellës kanalizime, pjesëmarrës në Benchmarking HUB, të Tiranës, Fierit, Shkodrës, Kamzës, Prishtinës, Pejës, Mitrovicës, Ferizajt , Gjilanit dhe Prizrenit.

Qëllimi i vizitës ishte shkëmbimi i njohurive dhe përvojës me Benchmarking HUB të Bullgarisë, informimi mbi progresin e programit në Bullgari dhe mbi situatën aktuale të sektorit të ujit në Bullgari.

Gjatë takimit me BWA-në.  Nga e M në të D (në këmbë), z. Ivan Ivanov, President, BWA; Z. Miroslav Mitkov, Koordinator, HUB Benchmarking Bullgari; Znj. Evis Gjebrea, Nën Drejtoreshë e Përgjithshme, Ujësjellës Kanalizime Tiranë  Foto nga SHUKALB

Gjatë takimit me BWA-në.  Nga e M në të D (në këmbë), z. Ivan Ivanov, President, BWA; Z. Miroslav Mitkov, Koordinator, HUB Benchmarking Bullgari; Znj. Evis Gjebrea, Nën Drejtoreshë e Përgjithshme, Ujësjellës Kanalizime Tiranë
 Foto nga SHUKALB

Në ditën e parë të vizitës, gjatë udhëtimit për në Sofje, pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë mbi progresin e secilës shoqëri në program, hedhjen e variablave në platformën EBC dhe planifikimin për ushtrimin e ardhshëm.

Në ditën e dytë të vizitës, grupi u prit nga Z. Ivan Ivanov, President i Shoqatës Bullgare të Ujit (BWA) dhe nga z. Miroslav Mitkov, Koordinator i HUB Benchmarking të Bullgarisë. Takimi u organizua në ambientet e Universitetit të Arkitekturës, Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Gjeodezisë të Sofjes.  Z. Ivanov bëri një prezantim mbi organizimin, rolin, aktivitetet dhe programet e Shoqatës Bullgare të Ujit, si dhe mbi specifikat dhe çështje të ndryshme të sektorit të ujit bullgar.

 Gjatë vizitës në Impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura të Sofjes Foto nga SHUKALB

Gjatë vizitës në Impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura të Sofjes
Foto nga SHUKALB

Z.Mitkov prezantoi projektin Benchmarking në Bullgari, duke u fokusuar në specifikat e shoqërive ujësjellës kanalizime të Bullgarisë dhe duke ndarë historitë e suksesit në zbatimin e projektit Benchmarking.

Pas takimit, grupi bëri një vizitë në Impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura të Sofjes, një nga impiantet më të mëdha të trajtimit në Ballkan, i vënë në punë që nga viti 1984.  Impianti gjendet në pjesën më të ulët veriore të Sofjes – Kubratovo, në një sipërfaqe totale prej 60 ha, dhe ka një kapacitet trajtimi prej 500,000 m3 ujërash të ndotura në ditë.  Impianti prodhon energji të gjelbër nga biogazi dhe aktualisht mbulon 98% të energjisë së nevojshme për operimin e tij.