SHUKALB dhe SHUKOS organizojnë sëbashku webinarin me temë “Planet e Sigurisë së Ujit dhe Menaxhimi i Krizave – Mjete të nevojshme në menaxhimin e Shoqërive Ujësjellës Kanalizime”

Pjesëmarrësit në webinarin mbi “Planet e Sigurisë së Ujit dhe Menaxhimi i Krizave – Mjete të nevojshme në menaxhimin e Shoqërive Ujësjellës Kanalizime”.
Foto nga SHUKALB

Më 30 korrik 2020, SHUKALB së bashku me SHUKOS (Shoqata e Ujësjellësve dhe Kanalizimit të Kosovës) organizuan me sukses webinarin me temë “Planet e Sigurisë së Ujit dhe Menaxhimi i Krizave – Mjete të nevojshme në menaxhimin e Shoqërive Ujësjellës Kanalizime”, me mbështetjen e Shoqatës Ndërkombëtare të Shoqërive të Ujit në Rajonin e Danubit (IAWD) si dhe me mbështetjen e Energie AG, në kuadër të Partneritetit të Danubit (D-LeaP).

Webinari kishte për qëllim të trajtonte rëndësinë e zhvillimit të planeve të Sigurisë së Ujit dhe Menaxhimit të Krizave nga Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime, si mjete të rëndësishme për t’ju përgjigjur siç duhet fatkeqësive dhe rreziqeve, duke ruajtur ndërkohë sigurinë e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizime, konsideruar kjo dhe në kuadër të krizës së shkaktuar nga Covid-19.

Në webinar morën pjesë 65 pjesëmarrës, përfaqësues të institucioneve të ndryshme nga Shqipëria, Kosova, rajoni dhe më gjerë, duke përfshirë ndër të tjera shoqëri UK, Enti Rregullator i Ujit të Shqipërisë (ERRU), Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit të Kosovës (ARRU), Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë, Instituti i Shëndetit Publik Kosovë , shoqatat e ujësjellësve nga rajoni, Programi i Ujit të GIZ në Shqipëri, kompani private, si dhe profesionistë dhe aktorë të tjerë të sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve.

Webinari u moderua bashkërisht nga Elisabeta Poçi, Zëvendës Drejtore Ekzekutive, SHUKALB dhe Nadire Vitija, Menaxhere e Trajnimeve dhe Zhvillimit Profesional, SHUKOS.

Ndarja e rezultatit të një sondazhi në lidhje me ndikimin financiar të shoqërive UK për shkak të COVID-19.
Foto nga SHUKALB

Pjesëmarrësit u njohën me tema si Metodologjia e Menaxhimit të Krizave, Manuali i Menaxhimit të Krizave, Menaxhimi i rrezikut dhe Raportimi i Riskut, të prezantuara nga Christian Plohberger, Energie AG, Partner Teknik i D-LeaP për programin mbi Sigurinë e Ujit dhe Menaxhimin e Krizave. Gjatë prezantimit të tij z. Plohberger i angazhoi pjesëmarrësit përmes përdorimit të sondazheve me pyetje në lidhje me temat e prezantimit.

Webinari vazhdoi me fjalimet e mbajtura nga Ndriçim Shani, Kryetar i ERRU; Afrim Lajçi, Këshilli Ndërministror i Ujit, Zyra e Kryeministrit, Kosovë; dhe Xhelal Selmani, Zëvendës Drejtor i ARRU, të cilët nënvizuan rëndësinë e Planeve të Sigurisë së Ujit dhe Menaxhimit të Krizave. Prezantimet e tyre u pasuan nga një ndërveprim i drejtpërdrejtë me pjesëmarrësit të cilët adresuan pyetjet dhe komentet e tyre ndaj panelit në platformën zoom.

Në fund të webinarit, të dy moderatorët falënderuan panelistët për kontributin e tyre të vlefshëm dhe idetë e ndara, si dhe pjesëmarrësit për angazhimin e tyre aktiv. Të dy shoqatat, SHUKALB dhe SHUKOS, planifikojnë të shkojnë përpara së bashku për të ofruar një program për zhvillimin e Planeve të Sigurisë së Ujit dhe Menaxhimit të Krizave për shoqëritë UK, në kuadër të D-LeaP, me mbështetjen e Shoqatës Ndërkombëtare të Shoqërive të Ujit në Rajonin e Danubit (IAWD).

Në linkun e mëposhtëm ju ftojmë të ndiqni video regjistrimin e plotë të eventit:
https://www.youtube.com/watch?v=y5nixQ3TRxk&feature=youtu.be