SHUKALB dhe SHUKOS Organizojnë Takimin e Parë Rajonal të Benchmarking HUB

Kordinatorja e HUB-it Znj.Nadire Vitija dhe pjesëmarrësit gjatë takimit

Kordinatorja e HUB-it Znj.Nadire Vitija dhe pjesëmarrësit gjatë takimit

Shoqata Ujësjellës Kanalizime e Shqipërisë (SHUKALB) dhe Shoqata e Ujësjellësve dhe Kanalizimit të Kosovës (SHUKOS) me mbështetjen e Programit të Ujit për Danubin (DWP) dhe Bashkëpunimit Evropian për Benchmarking (EBC), janë angazhuar së bashku për zhvillimin e Programit te krahasimit të standardizuar/ Benchmarking HUB për Shqipërinë & Kosovën, për periudhën 2016-2018, që do të udhëhiqet nga SHUKOS.

Qëllimi kryesor i programit është angazhimi i shoqërive UK në Shqipëri dhe Kosovë në përdorimin e Benchmarking jo vetëm për monitorimin e performancës, por mbi të gjitha si një mjet për përmirësimin e saj, nëpërmjet analizimit të treguesve të performancës ofruar nga platforma e Bashkëpunimit Evropian për Benchmarking (EBC).  Gjithashtu, vetë shoqëritë do të kenë mundësi të krahasohen me shoqëri të ngjashme në rajon, dhe të mësojnë nga praktikat më të mira të gjithësecilit.

Ky takim i parë rajonal i Benchmarking HUB për Shqipërine dhe Kosovën u organizua me datë 7 prill 2017, në Prishtinë, Kosovë.  Në program janë regjistruar dymbëdhjetë shoqëri ujësjellës kanalizime, ku përfshihen Tirana, Durres, Vlora, Shkodra, Fieri, Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova, Mitrovica, Gjilani dhe Ferizaj.  Synimi i programit është të zgjerojë rrjetin e shërbimeve që së bashku të punojnë në përmirësimin e shërbimeve të tyre me kalimin e kohës.

Të pranishmit në takim zhvilluan një diskutim interaktiv, duke shkëmbyer njohuritë dhe përvojat e tyre, dhe më pas vazhduan me planifikimin e aktiviteteve të programit. Gjatë takimit u dhanë udhëzime për mënyrën e përdorimit të programit të EBC analizën e të dhënave dhe kuptimin e variablave për secilën shoqëri UK pjesëmarrëse.

Takimi u nderua nga pjesëmarrja e Znj. Flutura Shala, Udhëheqëse e Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, e cila shprehu gatishmërine e ministrisë për përkrahje në drejtim të rritjes së vlerës dhe krijimit të një sektori të qëndrueshëm.

Programi gjithashtu përfshin bashkëpunimin midis programeve ekzistuese HUB Benchmarking në Bullgari dhe Ukrainë, duke siguruar një dimension rajonal shtesë në Program.