SHUKALB dhe SHUKOS Organizojnë Trajnimin e dytë të Trajnerëve dhe Trainimin “GIS i Avancuar/Menaxhimi i të dhënave në Rrjet” në kuadër të Projektit “Menaxhimi i Aseteve në Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime”

Fran Marku, Inxhinier i Sistemit EDAMS, SHUKALB (në këmbë) gjatë moderimit të tij në trajnimin “GIS i Avancuar/Menaxhimi i të dhënave në Rrjet”
Foto nga SHUKALB

Më 2, 3 dhe 4 Tetor 2019, në Prishtinë, Kosovë, SHUKALB dhe SHUKOS organizuan trajnimin e dytë të trajnerëve (ToT) dhe trajnimin e dytë të “GIS i Avancuar/Menaxhimi i të dhënave në Rrjet”, në kuadër të Projektit “Menaxhimi i Aseteve në Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime”, të cilin secila Shoqatë ka nisur ta zbatojë këtë vit në vendet e tyre përkatëse.

Projekti ofrohet në kuadër të Programit “Shërbime Këshillimore për Menaxhimin e Aseteve në Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Evropën Juglindore”, i cili zbatohet përmes një partneriteti midis Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), Kompanisë Hydro-Comp në Qipro, dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Kompanive Ujësjellës Kanalizime në Zonën e Mbulimit të Lumit Danub (IAWD).

ToT u organizua më 2 Tetor 2019, dhe kishte për qëllim trajnimin e ekspertëve të SHUKALB dhe SHUKOS të angazhuar në projekt, të cilët do të ofrojnë asistencë teknike për Shoqërite Ujësjellës Kanalizime.

Pjesëmarrësit gjatë ToT-së së Projektit ” Menaxhimi i Aseteve në Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime “
Foto nga SHUKALB

Në trajnim morën pjesë ekspertët nga SHUKALB dhe SHUKOS të angazhuar në projekt, Hydro-Comp Enterprises Ltd Qipro dhe GIZ Open Regional Fund (GIZ ORF) të përfaqësuar nga Georgi Hristov. Trajnimi u drejtua nga Dr. Petros Kolovopoulos dhe Maria Christodoulou, nga Hydro-Comp Enterprises Ltd Qipro.

Trajnimi “GIS i Avancuar/Menaxhimi i të dhënave në Rrjet” u organizua gjatë ditëve pasuese, 3 dhe 4 Tetor 2019, për të gjitha Shoqëritë UK pjesëmarrëse në Projekt. Trajnimi trajtoi një nivel të avancuar për menaxhimin e të dhënave të rrjetit përmes programit EDAMS, duke u ndalur në detaje për një përdorim të avancuar të veçorive dhe mjeteve të tij.

Përveç Shoqërive Ujësjellës Kanalizime nga Shqipëria dhe Kosova që marrin pjesë në projekt, në trajnim morën pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Agjencia Kombëtare Ujësjelles Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), Enti Rregullator i Ujit të Shqipërisë, Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit të Kosovës, GIZ Albania dhe Valu Add Management Services.

Trajnimi u mbajt nga ekspertë të Hydro-Comp Enterprises LTD, Qipro, Dr. Petros Kolovopoulos dhe Maria Christodoulou.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte të shpjegonte një qasje më të përparuar për menaxhimin e të dhënave në rrjet dhe aftësimin e stafit përgjegjës në projekt nga Shoqëritë UK pjesëmarrëse për të vazhduar me regjistrimin e të dhënave, plotësimin dhe përpunimin e aseteve të tyre në programin EDAMS deri në përfundimin me sukses të fazës së parë të projektit , për të mundësuar një regjistër të plotë të aseteve për çdo shoqëri.