SHUKALB dhe SHUKOS përfunduan me sukses ciklin e parë të Programit të Efiçenca Komerciale të D-LeaP

Pjesëmarrës në workshopin e 3-të të Efiçencës Komerciale të D-LeaP, gjatë një diskutimi interaktiv Foto nga SHUKALB

Pjesëmarrës në workshopin e 3-të të Efiçencës Komerciale të D-LeaP, gjatë një diskutimi interaktiv
Foto nga SHUKALB

SHUKALB dhe SHUKOS përfunduan me sukses workshopin e tretë dhe final të programit Efiçenca Komerciale të D-LeaP, i cili u mbajt më 6 korrik, në ambientet e Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Korçë (UK Korçë).

Programi është zhvilluar në partneritet me UK Korçë, e cila priti pjesëmarrësit gjatë 3 (tre) workshopeve të programit, duke u ofruar një mundësi unike për ta parë në praktikë aspektet analitike të efiçencës komerciale, si dhe aktivitetet praktike në terren lidhur me të.

Programi u drejtua nga ekspertja e sektorit të ujit, Elia Pendavinji, Drejtoreshë Tregtare, UK Korçë, në bashkëpunim me Ing. Vangjush Lubonja, Menaxher i rrjetit shpërndarës, UK Korçë.  Pjesëmarrësit ishin shoqëritë ujësjellës kanalizime Vlorë, Sarandë, Përmet dhe Prishtinë.

Temat që u trajtuan gjatë workshopit të tretë u fokusuan në përcaktimin e nevojave për të ardhura dhe zhvillimin e strategjisë së tarifave.  Pjesë e trajnimit në klasë përfshinte edhe një ushtrim praktik mbi vonesat / borxhet, si dhe diskutime interaktive midis pjesëmarrësve.

Pjesëmarrësit gjatë demonstrimit praktik të instalimit të matësave të ujit, nga stafi i UK Korçë Foto nga SHUKALB

Pjesëmarrësit gjatë demonstrimit praktik të instalimit të matësave të ujit, nga stafi i UK Korçë
Foto nga SHUKALB

Pas përfundimit të leksioneve në klasë, pjesëmarrësit zhvilluan një vizitë në terren ku u prezantuan me një demonstrim praktik të instalimit të matësave të ujit, si dhe leximin automatik të matësave.

Një aspekt inovativ i programit të Efiçiencës Komerciale ishte platforma mbështetëse online, D-LeaP Academy, e cila ishte e aksesueshme për pjesëmarrësit e regjistruar.  D-LeaP Academy u ofroi pjesëmarrësve mundësinë për të aksesuar të gjitha materialet e programit si dhe për t’u angazhuar në diskutime me kolegët dhe trajnerët e tyre.

D-LeaP është një iniciativë e udhëhequr nga Shoqata Ndërkombëtare e Kompanive të Furnizimit me Ujë në Basenin e Lumit të Danub (IAWD) e cila synon të ofrojë programe për ngritjen e kapaciteteve nëpërmjet bashkëpunimit me shoqatat ujësjellës kanalizime në rajonin e Danubit, me qëllim përmirësimin e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në rajonin e Danubit.