SHUKALB merr pjesë në Konferencën e Ujit të Danubit 2019

Konferenca e Ujit të Danubit 2019 u mbajt më 20-21 maj 2019 në Vjenë, Austri, organizuar nga Programi i Danubit për Ujin (Shoqata Ndërkombëtare e Kompanive të Furnizimit me Ujë të Basenit të Lumit Danub (IAWD) dhe Banka Botërore) e financuar Qeveria Austriake.

Tema e Konferencës për këtë vit ishte “Arritja e elasticitetit në shoqëritë ujësjellës kanalizime në Rajonin e Danubit”.  Konferenca mblodhi së bashku më shumë se 150 përfaqësues të sektorit të ujit nga më shumë se 15 vende që diskutuan mbi progresin, sfidat dhe veprimet e ardhshme që kërkohen për të arritur shërbime elastike të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve për të gjithë në rajonin e Danubit.

SHUKALB u përfaqësua në programin e Konferencës nga znj. Elisabeta Poçi, Zëvendës Drejtore Ekzekutive, e cila ishte përzgjedhur si paneliste në panelin e diskutimit “Pse kemi nevojë për një sektor elastik të ujit”, dhe si moderatore në sesionin me temë “Bashkëpunimi si mjet i rëndësishëm për të arritur shërbime elastike të ujit të pijshëm dhe ujit  të ndotur”.

Konferenca u ndoq nga shumë pjesëmarrës nga Shqipëria, të cilët vinin nga disa shoqëri ujësjellës kanalizime, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM) dhe Enti Rregullator i Ujit.

Folës të tjerë shqiptarë pjesë të Programit të Konferencës ishin znj. Evis Gjebrea, Nën Drejtoreshë e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizime Tiranë, e cila ishte përzgjedhur si paneliste në sesionin “Menaxhimi i talenteve për shërbime elastike”;  znj. Lindita Sotiri, Drejtore, Programet e Zhvillimit në Fushën e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Mbetjeve, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, paneliste në sesionin “Performanca e sektorit për shërbime elastike”; dhe znj. Anisa Aliaj, PRU dhe ish Specialiste e SHUKALB për Hartimin e Kurseve të Trajnimit për Kanalizimin dhe Trajtimin e Ujërave të Ndotura, ishte përzgjedhur si moderatore në diskutimin plenar me temë “Si të arrihet trajtimi elastik i ujërave të ndotura në rajonin e Danubit”?

Pjesëmarrësit në Konferencën e Ujit të Danubit 2018
Foto nga Konferenca e Ujit të Danubit