SHUKALB merr pjesë në takimin e Forumit Profesional të Shërbimeve Publike

Gjatë takimit të Forumit Profesional të Shërbimeve Publike Foto nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë

Gjatë takimit të Forumit Profesional të Shërbimeve Publike
Foto nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë

Me 25 maj 2018, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë në bashkëpunim me Fondacionin Hanns Siedel organizuan Takimin e Forumit Profesional të Shërbimeve Publike.  Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të bashkive dhe shoqërive ujësjellës kanalizime të Elbasanit, Kamzës, Vorës, Vau i Dejës dhe Mallakastër.  E ftuar në takim ishte dhe Znj. Lindita Sotiri, Këshilltare pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.  SHUKALB u përfaqësua në takim nga Z. Alban Kushi, Menaxher i Shërbimeve me Anëtarët dhe Adminstratës.

Takimi u hap nga Z. Agron Haxhimali, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, i cili përshëndeti të pranishmit dhe më pas ja la fjalën Znj. Sotiri e cila prezantoi mbi reformat në sektorin e ujit dhe situatën aktuale, dhe organizimin administrativ te shërbimit të furnizimit me ujë.  Gjatë prezantimit të Znj. Sotiri u zhvillua një bashkëbisedim aktiv me pjesëmarrësit, ku vend të veçantë zunë vendosja e objektivave dhe indikatorët e performanës për vitin 2018, për shoqëritë ujësjellës kanalizime, si dhe problematika specifike për shoqëri të ndryshme.

Si pjesë e axhendës së takimit, z. Kushi informoi të pranishmit mbi punën e SHUKALB për ngritjen e kapaciteteve të shoqërive UK si programi i kurseve të trajnimit, programi i Partneritetit të Danubit (D-LeaP), dhe në veçanti për programin e Certifikimit Bazuar në Testim për të cilën aktualisht SHUKALB është duke punuar sëbashku me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për krijimin e kuadrit ligjor dhe institucional te këtij programi.