SHUKALB merr pjesë në takimin e katërt të Bordit Këshillues të projektit “Shërbime Këshilluese për Menaxhimin e Aseteve për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Evropën Juglindore”

Z. Petros Kolovopulos, Hydrocomp Ltd, Qipro, gjatë prezantimit të tij në Takimin e 4-t të Bordit Këshillues. Foto nga Projekti

Z. Petros Kolovopulos, Hydrocomp Ltd, Qipro, gjatë prezantimit të tij në Takimin e 4-t të Bordit Këshillues.
Foto nga Projekti

Takimi i 4-t i Bordit Këshillues dhe Workshopi i 4-t i projektit ” Shërbime Këshilluese për Menaxhimin e Aseteve për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Evropën Juglindore” u zhvilluan në Bijeljina, Bosnjë dhe Hercegovinë më 5 dhe 6 dhjetor 2018.

Takimet u zhvilluan në kuadër të Programit 3-vjeçar të mbështetur nga Ministria Federale e Gjermanisë për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) përmes Organizatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), Ndërmarrjes Hydro-Comp nga Qipro dhe Ministrisë Federale të Financave të Austrisë në bashkëpunim me Shoqatën Ndërkombëtare të Kompanive të Furnizimit me Ujë të Basenit të Lumit Danub (IAWD).  Ky Program ofron asistencë teknike, softuerë dhe ngritje kapacitetesh për një grup të përzgjedhur shoqërish ujësjellës kanalizime nga Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi për kryerjen e një game të plotë aktivitetesh të Menaxhimit të Aseteve brenda shoqërisë ujësjellës kanalizime.

Takimi i 4-t i Bordit Këshillues kishte për qëllim të ndante arritjet e projektit dhe të diskutohej mbi hapat e ardhshëm të projektit me shoqatat ujësjellës kanalizime nga vendet pjesëmarrëse, si dhe me shoqatat e tjera ujësjellës kanalizime nga rajoni dhe donatorët.

Workshopi i 4-t kishte si objektiva motivimin e shoqërive publike ujësjellës kanalizime (PUC) pjesëmarrëse për të qenë të përfshira në mënyrë aktive në projekt dhe për lidhur kontratën për nivelin e ardhshëm; prezantimin e progresit në Fazën I dhe Fazën II të Projektit; për t’i informuar PUC-të në lidhje me hapat e ardhshëm në projekt dhe çfarë nënkuptojnë për ta (rezultatet e dëshiruara, detyrat, përfitimet, detyrimet), si dhe për të nxitur dhe mundësuar mbështetjen e kolegëve mes tyre.  SHUKALB u përfaqësua në këto takime nga Jonida Ahmeti.

SHUKALB do të ofrojë Programin Menaxhimi i Integruar i Aseteve për shoqëritë ujësjellës kanalizime në Shqipëri në fillim të vitit 2019.  Më shumë informacion rreth Programit së bashku me informacionin mbi procedurën e regjistrimit mund të gjendet në artikullin “Regjistrimet për Programet Efiçenca e Energjisë dhe Menaxhimi i Aseteve janë ende të hapura” brenda këtij edicioni.