Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë organizon workshopin kombëtar mbi Ujin pa të Ardhura në Shqipëri

Petrit Tare, Kryetar i SHUKALB (I dyti nga e djathta) gjatë panelit të diskutimit “Uji pa të Ardhura dhe Furnizimi i Ujit me ndërprerje, Sfidat e së Ardhmes për Reduktimin e Ujit pa të Ardhura”, në mesin e panelistëve të tjerë. Në të majtën e tij Drilona Deliu, Zyra e Kryeministrit. Në të djathtën e tij, Lindita Sotiri, Drejtore, Drejtoria e Furnizimit me Ujë, Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, MIE; Ndricim Shani, Kryetar, Enti Rregullator i Ujit; Jovan Gjika, AKUM, dhe Bambos Charalambous, Ekspert Ndërkombëtar për Ujin pa të Ardhura, PLGP.
Foto nga Valu Add Management Services

Më 17 prill 2019, në Tiranë, Projekti i USAID për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore (PLGP) në koordinim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisës së Shqipërisë (MIE) organizoi workshopin kombëtar “Uji pa të Ardhura në Shqipëri”.

Qëllimi i workshopit ishte prezantimi i rezultateve të një vlerësimi të ujit pa të ardhura për Shqipërinë si dhe Planin e Veprimit afatshkurtër të detajuar për reduktimin e ujit pa të ardhura; rritja e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e furnizimit me ujë pa ndërprerje, arritjen e niveleve të reduktuara të ujit të pa të ardhurave dhe mbi sfidat aktuale në funksionalizimin e planit të veprimit afatshkurtër; dhe diskutimi i zgjidhjeve për të kapërcyer problemet e mundshme në zbatimin e planit të veprimit.

Workshopi pati një pjesëmarrje të gjerë nga drejtues dhe menaxherë të shumë shoqërive ujësjellës kanalizime, MIE, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), Enti Rregullator i Ujit dhe aktorëve të ndryshëm të sektorit të ujit.  SHUKALB u përfaqësua në workshop nga Kryetari, Petrit Tare, i cili mori pjesë në panelin e diskutimit me temë “Uji pa të Ardhura dhe Furnizimi i Ujit me ndërprerje, Sfidat e së Ardhmes për Reduktimin e Ujit pa të Ardhura”.

Nga diskutimet e zhvilluara gjatë workshopit me një numër pjesëmarrësish, ishte e qartë se shoqëritë ujësjellës kanalizime do të kenë nevojë për mbështetje teknike në përkthimin e planit të veprimit në paketa pune të ekzekutueshme.  Përveç kësaj, një numër i shoqërive UK kanë identifikuar si një nevojë të domosdoshme për mbështetjen në disa prej veprimeve, siç janë blerja e matësve të ujit kryesorë dhe të konsumatorëve, si dhe trajnimi dhe ngritja e kapaciteteve të stafit të shoqërive për t’iu përgjigjur kërkesave të planit të veprimit afatshkurtër.