SHUKALB organizon Konkursin Kombëtar të programit të tij “Panairi Shkencor” për Shkollat e Mesme

Elisabeta Poçi, Zëvendës Drejtore Ekzekutive e SHUKALB (e para në rrjeshtin e 2-të), anëtarët e Jurisë, si dhe Mark Molla, Drejtor i UK Shkodër dhe Kasem Bejko, Nën Drejtor, UK Durrës gjatë Konkursit Kombëtar në kuadër të programit të SHUKALB “Panairi Shkencor” për Shkollat e Mesme
Foto nga SHUKALB

Më 26 maj 2020, SHUKALB organizoi me sukses online Konkursin Kombëtar me prezantimin e punimeve shkencore të përgatitura nga nxënës të shkollave të mesme në kuadër të programit “Panairi Shkencor” për Shkollat e Mesme. Eventi u organizua përmes platformës online Zoom, për shkak të pezullimit të ndjekjes së mësimit në shkolla për shkak të pandemisë COVID-19.

Kjo ishte faza finale e programit i cili është hartuar dhe zbatohet nga SHUKALB në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, me shoqëritë Ujësjëllës Kanalizime Shkodër, Lezhë, Durrës, Kavajë dhe Vlorë. “Projekti është financuar nga Ministria Federale Gjermane për bashkëpunim ekonomik dhe Zhvillim, zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH”.

Programit “Panairi Shkencor” për Shkollat e Mesme targeton nxënësit e klasave të 11-të dhe qëllimi i tij është të nxisë mendimin analitik dhe punët eksperimentale ndërmjet studentëve.  Ky program është një garë në të cilën nxënësit krijojnë dhe zhvillojnë kërkime përmes metodave shkencore.  Ato u mundësojnë nxënësve të investigojnë një temë shkencore duke kërkuar informacion ose duke biseduar me profesionistë dhe mësuesit e tyre.

Juria që vlerësoi projektet ishte e përbërë nga Dr. Gabriele Lames, Menaxhere Programi, GIZ, Dr. Besnik Rama, Specialist në Sektorin e Politikave dhe Strategjive të Arsimit, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Dr. Ana Kekezi, Drejtuese e Projekteve te Programit IPA, Agjencia Kombëtare Ujësjellës Kanalizime dhe Mbetjeve të Ngurta (AKUM), Prof. Asoc. Enkelejda Gjinali, Pedagoge, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Mercedes Kola, Mësuese Bio-Kimie, Gjimnazi Ismail Qemali, Tiranë.

Gjatë eventit u shfaqën ne formatin e videove 20 punime të nxënësve të shkollave të mesme “28 Nëntori”, Shkodër; “Hydajet Lezha”, Lezhë, “Leonik Tomeo”, Durrës, “Aleksandër Moisiu”, Kavajë, dhe “Halim Xhelo”, Vlorë.

Gjatë prezantimit me video të fituesit të vendit të parë, shkolla e mesme “28 Nëntori”, Shkodër, me temë “Trajtimi i ujërave të ndotura ” Foto nga SHUKALB

Eventi online u përshëndet nga Mark Molla, Drejtor, Ujësjellës Kanalizime Shkodër dhe Kasem Bejko, Nën Drejtor, Ujësjellës Kanalizime Durrës.

Juria vlerësoi punimet e bëra nga nxënësit bazuar në kritere si kreativiteti, cilësia e projektit, përshtatshmëria e temës së përzgjedhur, qartësia e prezantimit. Pas vlerësimit të punimeve, juria dha vendimin për tre projektet fituese, të cilët janë renditur më poshtë me linqet përkatëse të videove të tyre:

Vendi i parë: Shkolla: 28 Nëntori, Shkodër, me temë “Trajtimi i ujërave të ndotura”

Vendi i dytë: Shkolla: Leonik Tomeo, Durrës, me temë “Qasja e ujit të pijshëm, shpërdorimi dhe alternativat që ofron uji i shiut e burimet gjeotermale për ta kursyer atë”

Vendi i tretë: Shkolla: 28 Nëntori, Shkodër, me temë “Përdorimi i ujit të pastër”

SHUKALB do të shpërndajë medalje për të gjithë nxënësit e tre projekteve fituese. Për më tepër, si pjesë e Programit, SHUKALB do të dhurojë një seri librash shkencore për të gjitha shkollat pjesëmarrëse.