SHUKALB organizon sesione orientimi për mësuesit e përfshirë në programin “Miqtë e Ujit”  

 

Olta Ceca, Menaxhere e Programeve dhe Trajnimeve, SHUKALB, gjatë prezantimit të saj në trajnimin me mësuesit e shkollave fillore nga Rajoni Qendror, mbajtur në Tiranë më 13 prill 2018. Foto nga SHUKALB

Olta Ceca, Menaxhere e Programeve dhe Trajnimeve, SHUKALB, gjatë prezantimit të saj në trajnimin me mësuesit e shkollave fillore nga Rajoni Qendror, mbajtur në Tiranë më 13 prill 2018.
Foto nga SHUKALB

Më 6, 11, 13 dhe 16 prill, përkatësisht në qytetet e Shkodrës, Vlorës, Tiranës dhe Korçës, SHUKALB organizoi sesione orientimi rajonale me mësuesit dhe administratorët e shkollave fillore, si dhe përfaqësuesit e shoqërive ujësjellës kanalizime, të cilët janë angazhuar në  programin “Miqtë e Ujit”.  Janë gjithsej 24 shoqëri ujësjellës kanalizime dhe 63 shkolla fillore të qyteteve të ndryshme të vendit të përfshirë në këtë program.

Sesionet u drejtuan nga Olta Ceca, Menaxhere e Programeve dhe Trajnimeve të SHUKALB, e cila mbajti një prezantim të detajuar në lidhje me përmbajtjen dhe objektivat e programit, materialet, ciklin e ujit në natyrë, burimet ujore, trajtimin e ujit të pijshëm, si duhet ta kursejmë ujin, trajtimin e ujërave të ndotura etj.  Pjesëmarrësit u trajnuan ,mbi mënyrën e përdorimit të materialeve të programit, udhëzuesin e mësuesit, skedulën e programit, si dhe  çështjet e tjera logjistike.  Në fund të çdo sesioni, pjesëmarrësit u pajisën me materialet e programit si broshura e fëmijëve, broshura e mësuesit, fletët e vizatimit dhe posterat e programit.

Gjatë sesionit të mbajtur më 16 prill 2018, me pjesëmarrësit nga Rajoni Juglindor, në ambientet e Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Korçë. Foto nga SHUKALB

Gjatë sesionit të mbajtur më 16 prill 2018, me pjesëmarrësit nga Rajoni Juglindor, në ambientet e Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Korçë.
Foto nga SHUKALB

Bazuar në orientimin e marrë në këto sesione dhe duke përdorur materialet e programit, mësuesit do të vazhdojnë implementimin e programit në shkollat e tyre përkatëse.  Programi kombinon udhëzimet mbi parimet kryesore të të mësuarit rreth ujit, me aktivitetet e punës që angazhojnë nxënësin dhe forcojnë parimet e të mësuarit.  Në fund të programit, çdo nxënësi i kërkohet të shprehë atë çka kanë mësuar nga programi duke bërë një vizatim.  Vizatimet më pas do të mblidhen dhe do të vlerësohen në nivel lokal, dhe tri vizatimet më të mira nga secila shkollë do të bëhen pjesë e një Ekspozite Kombëtare “Uji përmes syve të fëmijëve” që SHUKALB organizon në muajin nëntor.