SHUKALB Organizon workshopin mbi Lobimin dhe Advokimin

Elisabeta Poçi, Zëvendës Drejtore Ekzekutive e SHUKALB, duke iu drejtuar pjesëmarrësve gjatë fillimit të Workshopit “Lobimi dhe Advokimi dhe Përgatitja e Strategjisë së Advokimit për SHUKALB”
Foto nga SHUKALB

Më 24 janar 2019, në Tiranë, SHUKALB organizoi me sukses workshopin “Lobimi dhe Advokimi dhe Përgatitja e Strategjisë së Advokimit për SHUKALB”.  Workshopi u organizua në kuadër të Projektit “Rrjeti Rajonal i Zhvillimit të Kapaciteteve për Furnizimin me Ujë dhe Kanalizimet (RCDN*)”.  Në workshop morën pjesë 30 pjesëmarrës, anëtarë të SHUKALB, përfaqësues nga shoqëritë ujësjellës kanalizime, kompani private dhe anëtarë individë, stafi i shoqatës, si dhe përfaqësues nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, Shoqata për Autonomi Vendore, NALAS dhe GIZ – ORF MMS.  Workshopi u drejtua nga Jasmina Trajkovski, CMC dhe Ljubomir Trajkovski, Trajkovski and Partners (T&P) Consulting – Shkup.

Valbona Paja, Përgjegjëse për Planifikim dhe Raportim, Ujësjellës Kanalizime Shkodër, gjatë ushtrimit në klasë duke prezantuar temën e saj të advokimit
Foto nga SHUKALB

Objektivi i përgjithshëm i workshopit ishte përmirësimi i kapaciteteve të SHUKALB dhe anëtarëve të tij në lidhje me lobimin dhe advokimin, përgatitjen e dokumenteve të politikave, dokumentet strategjike dhe rekomandimet e politikave dhe përgatitjen e një strategjie advokimi.  Më konkretisht, workshopi kishte për qëllim të siguronte njohuri mbi principet bazë të advokimit dhe lobimit dhe dallimet e tyre, të siguronte njohuri mbi mjetet për advokim dhe lobim, të identifikonte advokimin e zhvillimit te kapaciteteve në kontekstin e SHUKALB dhe të identifikonte nevojat e advokimit të zhvillimit të kapaciteteve për anëtarët e SHUKALB.

Përveç prezantimeve dhe rasteve studimore të ofruara nga trajnerët, pjesëmarrësit u përfshinë në diskutime interaktive mbi temat e mundshme të advokimit në lidhje me sektorin, dhe shkëmbyen përvojat e tyre mbi çështjet e ngritura.  Gjatë workshopit, pjesëmarrësit, të organizuar në grupe, punuan nmbi disa ushtrime ku secili grup prezantoi temën e tyre me interes për t’u advokuar.

Në fund, pjesëmarrësve ju ndanë Certifikata për përfundimin me sukses të workshopit.

Pas këtij workshopi dhe rezultateve të tij, SHUKALB do të hartojë një strategji advokimi e cila do të ndahet dhe konsultohet më tej me të gjithë aktorët e përfshirë, dhe më pas do të finalizohet për të shërbyer si një dokument strategjik për të udhëhequr aktivitetet e advokimit të SHUKALB në sektorin e ujësjellës kanalizimeve.

Elisabeta Poçi së bashku me trajnerët Jasmina Trajkovski dhe Ljubomir Trajkovski duke i dorëzuar certifikatën Jetmir Qafa, Drejtor i Dept. të Financës, Ujësjellës Kanalizime Fushë-Arrëz
Foto nga SHUKALB

 

* RCDN është një projekt që po implementohet nga Fondi i Hapur Rajonal i GIZ (ORF), me financimin e Qeverive të Zvicrës dhe Gjermanisë dhe ka për qëllim krijimin e një Rrjeti për Zhvillimin e Kapaciteteve Rajonale të vetëqëndrueshme, me 16 shoqata të qeverisjes lokale dhe ujësjellës kanalizime në rajon.