SHUKALB zhvillon me sukses dy kurse trajnimi gjatë muajit qershor 2018

Trajneri Ervin Bucpapaj, Konsulent i pavarur, dhe pjesëmarrësit gjatë kursit të trajnimit "Menaxhimi i Humbjeve të Ujit I&II" Foto nga SHUKALB

Trajneri Ervin Bucpapaj, Konsulent i pavarur, dhe pjesëmarrësit gjatë kursit të trajnimit “Menaxhimi i Humbjeve të Ujit I&II” Foto nga SHUKALB

Gjatë muajit qershor, SHUKALB zhvilloi dy kurse trajnimi, si pjesë e Programit të Përbashkët të Trajnimit.  Kursi i parë i trajnimit “Menaxhimi i Humbjeve të Ujit I&II” u mbajt në Tiranë më 11 dhe 12 qershor dhe u ndoq nga stafi i shoqërive ujësjellës kanalizime Shkodër, Peqin, Cërrrik, Korçë, si dhe përfaqësues të Entit Rregullator të Ujit të Shqipërisë.

Kursi i trajnimit u drejtua nga trajnerët Ervin Bucpapaj, Konsulent i pavarur, Inxh. Astrit Menalla, Konsulent i pavarur dhe Daniela Gega, Valu Add Management Services.

Kursi i trajnimit trajtoi aspekte të ndryshme të Menaxhimit të Humbjeve të Ujit duke përfshirë menaxhimin e kërkesës për ujë, menaxhimin e presionit, rëndësinë e efiçencës komerciale, nivelin ekonomik të ujit pa të ardhura, si dhe bilancin e ujit.

Përveç koncepteve teorike për humbjet e ujit dhe shkëmbimin e përvojave personale nga pjesëmarrësit, trajnimi përfshiu edhe një vizitë në terren në depot partitare të Ujësjellës Kanalizime Tiranë, ku pjesëmarrësit panë një demonstrim të matjes së prurjes së ujit me matës ultrasonic të linjës DN125.

Pjesëmarrësit e kursit të trajnimit "Kontrolli i Rrjedhjeve" gjatë ushtrimit praktik Foto nga SHUKALB

Pjesëmarrësit e kursit të trajnimit “Kontrolli i Rrjedhjeve” gjatë ushtrimit praktik Foto nga SHUKALB

Kursi i dytë i trajnimit “Kontrolli i Rrjedhjeve” u mbajt më 25 qershor, në Tiranë, nga trajneri Ervin Bucpapaj dhe u ndoq nga stafi i shoqërive ujësjellës kanalizime të Peqinit, Vlorës, Cërrikut, Sarandës, Korçës dhe Himarës.

Kursi i trajnimit u siguroi pjesëmarrësve njohuritë e nevojshme për zhvillimin e strategjisë së menaxhimit të rrjedhjeve, zbulimin dhe gjetjen e rrjedhjeve, menaxhimin e presionit, si dhe kontrollin dhe monitorimin e rrjedhjeve.

Pas leksioneve në klasë, pjesëmarrësit patën rastin të përjetojnë një demonstrim të drejtpërdrejtë të kontrollit të rrjedhjeve, përmes pajisjeve për matjen e rrjedhjeve të cilat u siguruan nga Ujësjellës Kanalizime Sarandë.