SHUKALB zhvillon me sukses dy kurse trajnimi gjatë muajit Tetor 2019

Pjesëmarrësit dhe trajnerët gjatë zhvillimit të kursit të trajnimit “Cilësia e Ujit në Sistemin e Shpërndarjes”
Foto nga SHUKALB

Gjatë muajit Tetor 2019, SHUKALB zhvilloi me sukses dy kurse trajnimi, “Cilësia e Ujit në Sistemin e Shpërndarjes” dhe “Hyrje në Trajtimin e Ujërave të Ndotura”, si pjesë e Programit të Përbashkët të Trajnimit.

Kursi i parë i trajnimit, “Cilësia e Ujit në Sistemin e Shpërndarjes” u mbajt në Tiranë më 17 dhe 18 Tetor, dhe u ndoq nga stafi i Shoqërive Ujësjellës Kanalizime Lezhë, Gjirokastër dhe Krujë.  Trajnimin e udhëhoqën Prof. Tania Floqi, Eksperte e Cilësisë së Ujit dhe Ing. Astrit Menalla, Konsulent i Pavarur.

Trajnerja Tania Floqi (në të djathtë) dhe Klaudio Ivanaj, Ujësjellës Kanalizime Lezhë, gjatë zgjidhjes së një ushtrim praktik për llogaritjen e hipokloritit të natriumit për dezinfektimin e rrjeteve të shpërndarjes
Foto nga SHUKALB

Kursi i trajnimit mbuloi tema të tilla si Degradimi i cilësisë së ujit në sistemin shpërndarës; Degradimi i cilësisë në tubacionet kryesore të ujit, Degradimi i cilësisë në depot e ujit; Mbikëqyrja e Sistemit Shpërndarës; Programi i Monitorimit të Cilësisë së Ujit; Kontrolli i Lidhjeve të Kryqëzuara; Rëndesia e Dezinfektimit dhe Faktorët që Ndikojnë në Dezinfektim; Procesi i Dezinfektimit; Pikat e Aplikimit të Klorit dhe Operimi i Pajisjes së Klorinimit.

Përveç pjesës teorike të njohurive të prezantuara nga trajnerët, pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime interaktive dhe ushtrime për llogaritjen e dozës së klorit për dezinfektimin e puseve të ujit dhe hipokloritin e natriumit për dezinfektimin e rrjeteve shpërndarëse.

Vlera e shtuar për pjesëmarrësit në këtë kurs trajnimi ishte mundësia e shkëmbimit të praktikave më të mira mes njëri-tjetrit në trajtimin e çështjeve të ndryshme që hasin në punën e tyre të përditshme.

Pjesëmarrësit dhe trajnerja Enkelejda Gjinali, gjatë zhvillimit të kursit të trajnimit “Hyrje në Trajtimin e Ujërave të Ndotura”
Foto nga SHUKALB

Më 25 Tetor 2019, në ambientet e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura të Shoqërisë Ujësjellës Kanalizimeve Durrës, SHUKALB mbajti për herë të parë kursin e trajnimit “Hyrje në Trajtimin e Ujërave të Ndotura“.

Në trajnim morën pjesë stafi i Shoqërive Ujësjellës Kanalizime Lezhë, Sarandë dhe Berat-Kuçovë, dhe u drejtua nga Prof. Enkelejda Gjinali, Lektore, Departamenti i Inxhinierisë së Mjedisit, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, dhe Ing. Enkeleda Basha, Menaxhere, Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura të Durrësit.

Pjesëmarrësit në trajnim u njohën me karakteristikat e ujërave të ndotura, konceptet themelore për trajtimin e tij dhe shumëllojshmërinë e metodave të trajtimit.  Pjesë e trajnimit ishte demonstrimi në vendin e punës i analizave laboratorike të ujit të trajtuar.

Pas leksionit në klasë, pjesëmarrësit zhvilluan një vizitë teknike në Impiant, ku ata patën mundësinë të shihnin në praktikë operimin e Impiantit, si dhe bënë pyetje të ndryshme, në lidhje me ato që mësuan gjatë trajnimit.

Pjesëmarrësit e kursit të trajnimit ” Hyrje në Trajtimin e Ujërave të Ndotura” gjatë vizitës teknike në Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotura, Durrës
Foto nga SHUKALB