Ujësjellës Kanalizime Tiranë organizon Dëgjesë Publike mbi tarifat e reja të propozuara

Përfaqësuesit e UK Tiranë, Bashkisë Tiranë dhe pjesëmarrësit gjatë Dëgjesës Publike

Përfaqësuesit e UK Tiranë, Bashkisë Tiranë dhe pjesëmarrësit gjatë dëgjesës publike. (Foto nga UKT)

Me datë 27 korrik, në ambjentet e Hotel Tirana International, Ujësjellës Kanalizime Tiranë sëbashku me Bashkinë e Tiranës zhvilluan një dëgjesë publike në lidhje me kërkesën për ndryshimin e tarifës së shërbimit të ujit në qytetin e Tiranës.

Në këtë dëgjesë morën pjesë qytetarë të Tiranës, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, media, shoqata, organizata, si dhe të kompani private.  Shoqëria UK Tiranë u përfaqësua nga Redi Molla, Drejtor i Përgjithshëm, Evis Gjebrea, Nëndrejtoreshë e UKT dhe Ortion Dhami, Drejtor i Departamentit inxhinierik, ndërsa Bashkia Tiranë u përfaqësua nga Taulant Tusha, Drejtori i Përgjithshëm i Punëve Publike.  Dëgjesa u organizua në formën e një debati të hapur midis përfaqësuesve të UKT-së dhe Bashkisë Tiranë, dhe pjesëmarrësve.

Një qytetare e Tiranës gjatë diskutimeve

Një qytetare e Tiranës gjatë diskutimeve. (Foto nga UKT)

Një nga pikat kryesore që u diskutua ishte mbi planin e biznesit të hartuar nga UK Tiranë i cili prek investimet e nevojshme kapitale që do të bëjnë të mundur sigurimin e furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët e Tiranës brenda periudhës 5 vjeçare.  Drejtori i Përgjithshëm i UKT, vuri në dukje faktin se ritmi i lartë i rritjes së popullsisë në Kryeqytet ndër vite, në ndryshim me qytetet e tjera, solli një hendek në investimet e infrastrukturës hidroteknike, ndërkohë që vetë UKT ka trashëguar borxhe të mëdha të cilat vazhdon t’i shlyejë.  Shërbimet janë përmirësuar në të gjitha planet, janë rritur ndjeshëm investimet, por tani duhet një fazë e investimeve magjistrale ç’ka do të rinovojë linjat kryesore përcjellëse për të ulur humbjet dhe për të rritur ujin në rubinetat e qytetarëve.

Nëndrejtoresha e UKT, Evis Gjebrea, e trajtoi planin e biznesit në aspektin ekonomik, dhe theksoi se rritja e çmimit në masën e kërkuar është një llogaritje e bërë duke ruajtur sensin e masës, në mënyrë që të balancohen sa më shumë kostot e ndërmarrjes në kryerjen e investimeve kapitale, mirëmbajtjen e një rrjeti që po zgjerohet dhe do të zgjerohet shumë, por edhe të përmirësojë performancën e shërbimit.  Znj. Gjebrea, theksoi se plani strategjik i UKT është hartuar i tillë që të ketë një sukses në një kohë të shpejtë.  “Nëse gjërat do të vazhdojnë kështu siç janë, ne mund të kemi mundësi të kryejmë investimet kapitale për të sjellë ujë 24 orë brenda 20 vjetësh, por me këtë plan mund ta arrijmë objektivin brenda 5 vitesh”, tha Znj Gjebrea.

Përfaqësuesi i Bashkisë Tiranë, Taulant Tusha, theksoi se ashtu si të gjitha investimet e mëdha, Bashkia i bën duke bashkëpunuar, folur dhe dëgjuar qytetarët për të krijuar një urë komunikimi permanente.

Drejtori i Departamentit inxhinierik në UKT, Ortion Dhami, u ndal në detaj mbi projektet e kryera nga UKT dhe planin e plotë të investimeve të mëdha që ka nevojë kryeqyteti, jo vetëm në 11 njësitë e qytetit Tiranë, por edhe në njësitë bashkiake që kanë qenë ish-komunat, të cilat kanë nevojë për investime të qenësishme.