Viti 2018 i SHUKALB në fokus

Dëshirojmë t’i urojmë të gjithë anëtarëve, mbështetësve dhe miqve tanë një vit të gëzuar, të lumtur dhe plot shëndet në vitin 2019.  Suksesi i Shoqatës tonë gjatë këtij viti nuk mund të arrihej pa mbështetjen, inkurajimin dhe pjesëmarrjen aktive të një game të gjerë aktorësh në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë vitit 2018, SHUKALB, vazhdoi bashkëpunimin me SHUKOS (Shoqata e Ujësjellësve dhe Kanalizimit të Kosovës), në kuadër të Programit të Përbashkët të Trajnimit dhe zhvilloi me sukses dhënien e 8 kurseve të trajnimit, që u ndoqën nga stafi i shoqërive ujësjellës kanalizime shqiptare dhe kosovare, me trajnerë që vinin nga të dyja vendet.  Përveç kësaj, SHUKALB implementoi me sukses, për herë të parë në historinë e tij të zhvillimit dhe ofrimit të trajnimeve, një kurs të mësimit në distancë mbi “Udhëzimet praktike për anëtarët e Këshillit të Administrimit të shoqërive aksionare ujësjellës kanalizime”.  Ne jemi të vendosur dhe të përkushtuar që ta vazhdojmë Programin e Përbashkët të Trajnimit në vitin 2019, duke planifikuar dhënien e kurseve të trajnimit më të kërkuara në të gjithë Shqipërinë dhe Kosovën, duke iu përgjigjur kështu nevojave të shoqërive ujësjellës kanalizime anëtare për zhvillimin e kapaciteteve.

Në kuadër të Partneritetit të Danubit (D-LeaP), SHUKALB në partneritet me SHUKOS, zhvilloi me sukses programet Efiçenca Komerciale dhe Benchmarking (programi i Krahasimit të Standardizuar).  D-LeaP është një iniciativë e udhëhequr nga Shoqata Ndërkombëtare e Kompanive të Furnizimit me Ujë në Basenin e Lumit Danub (IAWD) e cila synon të ofrojë programe për ngritjen e kapaciteteve nëpërmjet bashkëpunimit me shoqatat ujësjellës kanalizime në rajonin e Danubit, me qëllim përmirësimin e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në këtë rajon.  Në vitin 2019, SHUKALB në bashkëpunim me SHUKOS planifikon të ofrojë 2 (dy) programe të tjera, Efiçienca e Energjisë dhe Menaxhimi i Integruar i Aseteve.

Në lidhje me Programin e Certifikimit Bazuar në Testim për Shqipërinë, më 28 shtator 2018, Ministri Damian Gjiknuri, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nxorri Udhëzimin nr. 660 “Krijimi i një Programi të Institucionalizuar Trajnimi Kombëtar dhe Certifikimi Bazuar në Testim për drejtuesit operacionalë të Shoqërive Ujësjellës Kanalizimeve në Shqipëri”. Programi do të sigurojë një fuqi punëtore më efiçente dhe efektive në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, me një ndërgjegjësim më të lartë për mbrojtjen e shëndetit publik dhe mënyrat për të përmirësuar performancën e shoqërive ujësjellës kanalizime.  Ky kuadër ligjor është rezultat i përpjekjeve të SHUKALB, i mbështetur teknikisht nga grant projekti “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Kapaciteteve të Sektorit të Ujit në Shqipëri”, me mbështetjen financiare të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), bashkëpunimit të ngushtë me të gjithë aktorët e sektorit të ujit në Shqipëri , dhe në veçanti të partneritetit me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë.  SHUKALB po ndihmon dhe do të vazhdojë të punojë ngushtë me Ministrinë dhe Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM) për të krijuar rregullat e mëtejshme për zbatimin e Programit.

Konferenca dhe Ekspozita e Përbashkët Ballkanike Vjetore, e cila u organizua në Tiranë më 7, 8, 9 nëntor 2018, ishte sërish një sukses i madh duke marrë parasysh pjesëmarrjen e gjerë të profesionistëve të ujit nga Ballkani Perëndimor, vendimmarrësve të nivelit të lartë nga Shqipëria dhe Kosova, folësit e shquar, profesionistët e biznesit, si dhe temat e rëndësishme që u trajtuan dhe u prezantuan gjatë tre ditëve të eventit. Konferenca arriti edhe një rekord duke tërhequr një audiencë prej mbi 500 pjesëmarrësish.  Pjesëmarrësit në Konferencë patën mundësinë të vizitojnë Ekspozitën më të madhe Teknike në historinë e Konferencave tona Vjetore, të cilat mblodhën 30 kompani private që vinin nga 13 vende të ndryshme nga rajoni i Ballkanit, Evropa, si dhe Izraeli.

Përsa i përket programeve tona të “Edukimit dhe Ndërgjegjësimit”, SHUKALB ka përfunduar me sukses programin Miqtë e Ujit për Nxënësit e Klasave të 3-të dhe EarthEcho Sfida e Ujit për Nxënësit e Klasave të 8-ta.  Të dyja këto programe u financuan nga një grant që SHUKALB mori nga Ambasada e SHBA-së në Shqipëri.

Programi Miqtë e Ujit arriti objektivin e tij për të rritur ndërgjegjësimin mbi çështjet e ujit te nxënësit e klasave të 3-ta anembanë Shqipërisë.  Programi angazhoi 53 shkolla fillore në të gjithë Shqipërinë, duke përfshirë mbi 5.000 fëmijë. Programi u zhvillua në partneritet me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë, së bashku me përfshirjen dhe mbështetjen nga shoqëritë ujësjellës kanalizime në shkollat respektive pjesëmarrëse në Program.

Programi EarthEcho Sfida e Ujit që kishte për qëllim edukimin dhe nxitjen e angazhimit për mbrojtjen e burimeve ujore, nëpërmjet pjesëmarrjes së qytetarëve ne monitorimin e tyre, angazhoi 25 shkolla fillore anembanë Shqipërisë, duke përfshirë mbi 2.000 nxënës.  Të dhënat e mbledhura nga këto teste (pH, temperatura, turbiditeti, DO) u hodhën nga studentët në faqen e internetit të programit  www.worldwatermonitoringchallenge.com.

Të gjitha këto arritje janë rezultat i punës së madhe të stafit të Shoqatës, mbështetjes së Bordit të Drejtorëve dhe përkushtimit të anëtarëve tanë.

Mbetet akoma shumë për t’u bërë, por ne dimë se si ta bëjmë, dhe do ta arrijmë këtë me sukses.