Viti 2019 i SHUKALB në fokus – Mesazh nga Elisabeta Poçi, Zëvendës Drejtore Ekzekutive

Dëshirojmë t’i urojmë të gjithë anëtarëve, mbështetësve dhe miqve tanë një vit të gëzuar, të lumtur dhe plot shëndet në vitin 2020.  Suksesi i vazhdueshëm që SHUKALB arriti gjatë këtij viti që lamë pas është kryesisht rezultat i “partneritetit” që stafi i Shoqatës tonë ka ndërtuar me të gjithë aktorët tanë, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

Gjatë vitit 2019, SHUKALB zhvilloi 7 kurse trajnimi në të cilat morën pjesë punonjës nga 15 shoqëri ujësjellës kanalizime anembanë Shqipërisë, të cilat mbuluan tema të tilla si pasqyrat financiare, menaxhimi i humbjeve të ujit, kampionimi dhe procedurat laboratorike, shërbimi ndaj klientit dhe marrëdhëniet me publikun, menaxhimi, cilësia e ujit dhe trajtimi i ujërave të ndotura.  Për vitin 2020 ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë përpjekjet tona për të ofruar dhe zhvilluar kurse trajnimi dhe programe të zhvillimit të kapaciteteve që i përgjigjen nevojave të shoqërive tona anëtare ujësjellës kanalizime, dhe më gjerësisht sektorit të ujit, duke përdorur burimet tona, si dhe si pjesë e partneriteteve përmes aktivitete të vazhdueshme rajonale.

Në mars 2019 SHUKALB nisi zbatimin e fazës së parë të Projektit “Menaxhimi i Aseteve në Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime të Shqipërisë”, i cili konsiston në regjistrimin e aseteve dhe menaxhimin e të dhënave të rrjetit për 12 shoqëritë UK shqiptare që marrin pjesë në projekt. Në fillim të vitit 2020, SHUKALB do të përfundojë zbatimin e fazës së parë dhe do të nisë zbatimin e fazës së dytë të projektit, Menaxhimi i Operimit dhe Mirëmbajtjes.

Projekti ofrohet në kuadër të Programit “Shërbime Këshillimore për Menaxhimin e Aseteve në Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Evropën Juglindor”, i cili zbatohet nëpërmjet një partneriteti midis Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit GmbH – GIZ, Kompanisë Hydro-Comp në Qipro, dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Kompanive Ujësjellës Kanalizime në Zonën e Mbulimit të Lumit Danub (IAWD), si pjesë e D-Leap.

Në vazhdim, gjatë vitit 2019 SHUKALB në partneritet me SHUKOS zhvilloi me sukses për të 5-tën herë programin e Krahasimit të Standardizuar (Benchmarking) për Shqipërinë dhe Kosovën.  Në vitin 2020, krahas zhvillimit të programeve të mësipërme, SHUKALB në bashkëpunim me SHUKOS planifikojnë të ofrojnë programet Efiçienca e Energjisë dhe Uji pa të Ardhura.

Në Mars SHUKALB përfundoi zbatimin e Grant Projektit të tij më të madh, Projektin e financuar nga USAID “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Kapaciteteve të Sektorit të Ujit”.  Një nga rezultatet kryesore të këtij projekti ishte krijimi zyrtar i Programit të Certifikimit të Bazuar në Testim për menaxherët operacionalë të Shoqërive Ujësjellës Kanalizime në Shqipëri nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.  Si vazhdim i punës së bërë nga SHUKALB në kuadër të Projektit, në shtator 2019, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM) nisi zyrtarisht zbatimin e programit duke dërguar një letër zyrtare për të gjitha Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime ku u kërkohej të identifikonin pozicionet dhe stafin aktual në këto pozicione të cilat do të jenë subjekt i certifikimit.  Procesi i Certifikimit pritet të kalojë në dy faza: Faza fillestare: kontrollimi dhe parakualifikimi i kandidatëve bazuar në arsimimin dhe përvojën në sektorin e ujësjellës kanalizimeve, dhe fazën e dytë: kualifikimin bazuar në trajnime dhe testime.

Krijimi i Programit të Certifikimit të Bazuar në Testim për menaxherët operacionalë të Shoqërive Ujësjellës Kanalizime në Shqipëri ka qenë rezultat i përpjekjeve dhe bashkëpunimit të ngushtë të SHUKALB me AKUM dhe të gjithë aktorët e sektorit të ujit në Shqipëri, dhe në veçanti të partneritetit me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë.

Konferenca dhe Ekspozita e Përbashkët Ballkanike Vjetore, e cila u organizua në Prishtinë, Kosovë, më 6, 7, 8 nëntor 2019, sërish arriti qëllimin e saj për të stimuluar dialogun midis aktorëve të ndryshme dhe për të ofruar mundësi për profesionistët e ujit, politikëbërësit dhe profesionistët e biznesit nga sektori për të diskutuar mbi çështjet shqetësuese, të shkëmbenin informacion dhe të ndanin përvojat e tyre në përpjekje për të ndihmuar zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në Rajonin e Ballkanit.  Konferenca shënoi pjesëmarrjen e saj më të lartë në historinë e konferencave tona, me një rekord prej mbi 550 pjesëmarrësish të ardhur nga 16 vende të ndryshme.

Pjesëmarrësit në Konferencë patën mundësinë të vizitonin një nga Ekspozitat më të mëdha Teknike në historinë e Konferencave tona vjetore, e cila mblodhi 28 kompani private që vinin nga 10 vende të ndryshme nga rajoni i Ballkanit, Evropa, si dhe Izraeli.

Përsa i përket programeve tona të “Edukimit dhe Ndërgjegjësimit”, SHUKALB përfundoi me sukses programin Miqtë e Ujit për nxënësit e klasave të 3-ta dhe Sfida Botërore e Monitorimit të Ujit për nxënësit e klasave të 8-ta.  Të dyja këto programe u zbatuan në kuadër të projektit: “Mbështetja e BE-së për Shërbimet e Menaxhimit dhe Trajtimit të Ujërave të Ndotura”, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane” dhe zbatuar nga GIZ.

Programi Miqtë e Ujit arriti objektivin e tij për të rritur ndërgjegjësimin mbi çështjet e ujit te nxënësit e klasave të 3-ta anembanë Shqipërisë.  Programi angazhoi 44 shkolla fillore në të gjithë Shqipërinë, duke përfshirë mbi 4,500 fëmijë.  Programi u zhvillua në partneritet me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë, së bashku me përfshirjen dhe mbështetjen nga shoqëritë ujësjellës kanalizime në shkollat respektive pjesëmarrëse në Program.

Programi Sfida Botërore e Monitorimit të Ujit që kishte për qëllim edukimin dhe nxitjen e angazhimit për mbrojtjen e burimeve ujore, nëpërmjet pjesëmarrjes së qytetarëve ne monitorimin e tyre, angazhoi 20 shkolla fillore anembanë Shqipërisë, duke përfshirë mbi 1,200 nxënës.  Të dhënat e mbledhura nga këto teste (pH, temperatura, turbiditeti, DO) u hodhën nga studentët në faqen e internetit të programit  www.worldwatermonitoringchallenge.com.

Në vitin 2020 SHUKALB do të zhvillojë programet Sfida Botërore e Monitorimit të Ujit dhe “Panairi Shkencor” për Shkollat e Mesme, që do të përfshijnë shkollat fillore dhe të mesme në 6 qytetet bregdetare të Shkodrës, Lezhës, Kavajës, Durrësit, Vlorës dhe Sarandës. Programet do të implementohen në kuadër të Programit: “Orientimi i Shërbimeve të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime drejt Performacës dhe Konsumatorit” dhe Projektit “Mbështetje e BE-së për Shërbimet e Menaxhimit dhe Trajtimit të Ujërave të Ndotura”, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane” dhe zbatuar nga Organizata Gjermane per Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).

Në tetor SHUKALB rinovoi grant marrëveshjen e saj me Projektin Rrjetit Rajonal per Zhvillimin e Kapaciteteve (RCDN), për periudhën tetor 2019 – janar 2021.  RCDN është një projekt që po implementohet nga Fondi i Hapur Rajonal i GIZ (ORF), me financimin e Qeverive të Zvicrës dhe Gjermanisë dhe ka për qëllim krijimin e një Rrjeti për Zhvillimin e Kapaciteteve Rajonale të vetëqëndrueshme, me 16 shoqata të qeverisjes lokale dhe ujësjellës kanalizime në rajon.  Aktivitetet e planifikuara nga SHUKALB në kuadër të RCDN për vitin 2020 fokusohen kryesisht në trajnime në lidhje me zbatimin dhe menaxhimin e projekteve infrastrukturore (kryesisht impiante të trajtimit të ujërave të ndotura urbane), menaxhimin e aseteve, si dhe shkëmbime eksperiencash shoqërive UK shqiptare me shoqëri UK në rajon.  Pjesë e aktiviteteve të parashiuara është edhe lobimi dhe avokimi, të fokusuara kryesisht në objektivin e avancimit të punës së SHUKALB me programet e trajnimit dhe të zhvillimit të kapaciteteve.

Pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit, SHUKALB luajti një rol proaktiv duke ofruar mbështetjen e tij për shoqëritë ujësjellës kanalizime më të prekura, kryesisht UK Durrës dhe UK Krujë.  Në koordinim dhe bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës në Tiranë, SHUKALB iu bashkua ekipit të Njësisë së Swiss Humanitarian Aid të cilët arritën në Shqipëri për të ofruar ndihmë emergjente për ata që u prekën nga tërmeti.

Të gjitha këto arritje janë rezultat i punës së madhe të stafit të Shoqatës, mbështetjes së Bordit të Drejtorëve dhe përkushtimit të anëtarëve tanë.  Mbetet akoma shumë për të bërë, por duke marrë parasysh 20 vitet e fundit; SHUKALB ka provuar se ne mund t’ia dalim mbanë.