Workshopi rajonal mbi programin e përbashkët të Benchmarking HUB

Participants during the 1st day of the workshop Photo Credit: SHUKOS

Pjesëmarrësit gjatë ditës së parë të workshopit Foto nga SHUKOS

Workshopi rajonal për ciklin e tretë të programit të përbashkët HUB Benchmarking për Kosovën dhe Shqipërinë,  u zhvillua më 25 dhe 26 janar 2018, në qytetin e Durrësit.  Workshopi dy ditor morën u ndoq nga koordinatorët e shoqërive ujësjellës kanalizime pjesëmarrëse në program (Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan), së bashku me përfaqësues nga SHUKALB dhe SHUKOS.  Të ftuar për të marrë pjesë në workshop ishin edhe shoqëri të tjera ujësjellës kanalizime që nuk janë akoma pjesë e programit, nga të cilat ishte e pranishme Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Kamëz.

Në ditën e parë të workshopit, që u mbajt në Hotel Bonita, Durrës, grupi i koordinatorëve të shoqërive pjesëmarrëse në program, morën pjesë në një ushtrim ku u njohën me raportin final të shoqërisë së tyre, në të cilën perfomanca në disa fusha si treguesit financiarë, ekonomikë dhe teknikë, krahasohej me shoqëritë e tjera në program, si dhe me mesataren e shoqërive të huaja që janë marrë si referencë.  Në vazhdim, koordinatorja e programit Nadire Vitija, prezantoi një mori krahasimesh që ishin gjeneruar nga platforma EBC, si dhe demonstroi në mënyre praktike mundësine e kërkimeve dhe rezultateve që mund të gjenerohen nga platforma.

The Coordinator of the Joint Benchmarking HUB Program, Nadire Vitija, and participants during her presentation at the 2nd day of the workshop. Photo Credit: SHUKOS

Koordinatorja e programit të përbashkët të Benchmarking HUB, Nadire Vitija, dhe pjesëmarrësit gjatë prezantimit të saj në ditën e dytë të workshopit. Foto nga SHUKOS

Dita e dytë e workshopit u zhvillua në ambjentet e Impiantit të trajtimin të ujërave të ndotura (ITUN), të Shoqërisë Ujësjellës Kanalizimeve Durrës (UK Durrës), ku pjesëmarrësit u mirëpritën nga zëvendësdrejtori i UK Durrës, z. Kasem Bejko.  Takimi vijoi sipas pikave të axhendës, ku koordinatorja e programit, Nadire Vitija, dhe nën koordinatori, Avni Dervishi, bënë prezantimin e një përmbledhje të ciklit për krahasim, bashkë me raportet finale dhe rezultatet e arritura në program.  Ky prezantim u pasua me zhvillimin një diskutimi të ndezur midis pjesëmarrësve, i fokusuar në variabla të caktuara që kanë nevojë për sqarim të mëtejshëm.

Më pas, dy koordinatorët resepektivë të Shoqërise Ujësjellës Kanalizime Tiranë dhe Kompanisë Ujësjellësi Rajonal Prishtinë bënë interpretimin dhe analizën individuale të raporteve finale të shoqërive të tyre sipas ushtrimit benchmarking në vitin 2017 krahasuar me të dhënat për vitin 2016, i kombinuar me një diskutim interaktiv me pjesëmarrësit e tjerë.

Secili pjesëmarrës u pajis me një USB që përmbante të gjitha raportet finale, metodologjinë dhe udhëzuesin e Bashkëpunimit Evropian për Benchmarking (EBC), dosjet dhe broshurat e programit, si dhe planin e aktiviteteve për vitin 2018 për Benchmarking HUB.  Gjithashtu ata u njoftuan për fillimin e ciklit të katërt të programit gjatë vitit 2018.

Në fund të workshopit, u hartuan disa rekomandime përfundimtare, si përgatitja e modeli unik raportimi me krahasimet që prodhon platforma, përgatitja e planeve specifike për përmiresimin e performancës nga secila shoqëri, organizimi i takimeve me donatorë dhe institucione vendimarrëse etj.  Rekomandimet dhe konkluzionet e nxjerra nga workshopi do të diskutohen në aktivitetet e ardhshme të programit.

Pas përfundimit të workshopit, pjesëmarrësit zhvilluan një vizitë në të gjithë ambjentet e Impiantit të trajtimi te ujërave të ndotura (ITUN) të UK Durrës.

Programi i përbashkët i Benchmarking HUB për Kosovën dhe Shqipërinë, organizohet nga SHUKALB dhe SHUKOS, në kuadër të Programit të Përbashkët të Trajnimit dhe Partneritetit të Danubit (D-LeaP), me mbështetjen e Shoqatës Ndërkombëtare të Kompanive të Furnizimit me Ujë në Basenin e Lumit të Danub (IAWD).  Qëllimi kryesor i programit është angazhimi i shoqërive UK në Shqipëri dhe Kosovë në përdorimin e Benchmarking jo vetëm për monitorimin e performancës, por mbi të gjitha si një mjet për përmirësimin e saj, nëpërmjet analizimit të treguesve të performancës ofruar nga platforma e Bashkëpunimit Evropian për Benchmarking (EBC).  Gjithashtu, vetë shoqëritë do të kenë mundësi të krahasohen me shoqëri të ngjashme në rajon, dhe të mësojnë nga praktikat më të mira të gjithësecilit.