
Foto nga SHUKALB
Gjatë datave 18-19 korrik 2022, SHUKALB dhe Global Water Partnership-Mediterranean (GWP-Med) organizuan me sukses workshopin 2-ditor me temë ” Menaxhimi i Ujërave të Ndotur në Kontekstin e Ekonomisë Qarkulluese”. Workshopi u përgatit dhe u mbajt nga SHUKALB në kuadër të Projektit SEE NEXUS, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe zbatuar nga GWP-Med në partneritet me UNECE. Workshopi u përshëndet në hapje nga Arduen Karagjozi, Drejtor i Menaxhimit Strategjik, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe Tassos Krommydas, Zyrtar i Lartë i Programit, GWP-Med.
Në workshop morën pjesë përfaqësues nga Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime Pogradec, Shkodër, Korçë dhe Kukës, si dhe Bashkia Tiranë, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), Enti Rregullator i Ujit (ERRU), Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU), Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), Global Water Partnership-Mediterranean (GWP-Med) dhe SHUKALB.

Foto nga SHUKALB
Workshopi u drejtua nga Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive e SHUKALB, Prof. Enkelejda Gjinali, Departamenti i Inxhinierisë së Mjedisit, UPT, dhe Arbana Kola, Menaxhere Projekti, SHUKALB.
Objektivi i workshopit ishte rritja e kapaciteteve të përfaqësuesve të aktorëve të ndryshëm në sektorin e ujit në Shqipëri në lidhje me ekonominë qarkulluese në lidhje me menaxhimin e ujërave të ndotur dhe në kontekstin e acquis communautaire mjedisore të Bashkimit Evropian (BE).

Foto nga SHUKALB
Gjatë dy ditëve të workshopit, pjesëmarrësit patën mundësinë të mësonin mbi parimet e përgjithshme të Ekonomisë Qarkulluese (EQ) dhe se si menaxhimi i duhur i ujërave të ndotur kontribuon në EQ. Për më tepër, u njohën me kornizat ligjore dhe politikat ndërkombëtare dhe kombëtare në mbështetje të EQ dhe vlera e biznesit në një EQ. Workshopi prezantoi shumë raste dhe shembuj të EQ në praktikë, nga vendet e zhvilluara si dhe nga iniciativat në Shqipëri. Gjatë workshopit pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutonin dhe të ndanin informacion me njëri tjetrin, si dhe të agazhoheshin në mënyrë interaktive gjatë punëve në grup.
Gjithashtu, si pjesë e axhendës së workshopit, në ditën e dytë të tij, u zhvillua një vizitë studimore në Impiantin e Trajtimit të Ujit të Ndotur (WTP) në Durrës, ku pjesëmarrësit u njohën me impiantin dhe pajisjet e tij, funksionimin dhe mirëmbajtjen, procedurat, si dhe me aspektet e rikuperimit të energjisë përmes proceseve të tretjes së llumit.
Në fund të workshopit, pjesëmarrësve morën certifikata për pjesëmarrjen.

Foto nga SHUKALB

