SHUKALB nis programin “Miqtë e Ujit” për vitin 2026
28 Tetor, 2026
SHUKALB nis programin “Miqtë e Ujit” për vitin 2026
Olta Alla, Menaxhere e Programeve në SHUKALB (në këmbë), dhe mësueset nga shkollat pjesëmarrëse gjatë sesionit të trajnimit më 8 tetor. Foto nga SHUKALB
SHUKALB ka nisur zbatimin e programit të tij të edukimit dhe ndërgjegjësimit “Miqtë e Ujit” për vitin 2026, një nismë që synon të edukojë brezat e rinj mbi rëndësinë e ujit dhe mbrojtjen e burimeve ujore. Programi u dedikohet nxënësve të klasave të treta të shkollave fillore dhe zhvillohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.
Këtë vit, “Miqtë e Ujit” përfshin gjithsej pesë shoqëri rajonale ujësjellës-kanalizime dhe 20 shkolla fillore në gjashtë bashki të vendit: Elbasan, Berat, Shkodër, Lezhë, Vlorë dhe Fier. Zbatimi i programit në këto bashki mbështetet nga projekti SDSLeaD (Smart Decision Support and Leakage Detection), i financuar në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Interreg VI-A IPA Greqi–Shqipëri.
Më 8 tetor, SHUKALB zhvilloi një trajnim për mësuesit e shkollave pjesëmarrëse, i moderuar nga Olta Alla, Menaxhere e Programeve në SHUKALB. Në trajnim morën pjesë mësuesit që do të udhëheqin nxënësit në realizimin e aktiviteteve të programit. Në kuadër të tij, mësuesit do të zhvillojnë orë mësimore të dedikuara, gjatë të cilave fëmijët do të kenë mundësinë të shprehin idetë e tyre përmes vizatimeve që pasqyrojnë rëndësinë e ujit dhe mbrojtjen e burimeve ujore.
Vizatimet e realizuara nga fëmijët do të prezantohen fillimisht në ekspozita lokale në secilën bashki pjesëmarrëse. Më pas, tri vizatimet më të mira nga secila shkollë do të përzgjidhen për t’u bërë pjesë e Ekspozitës Kombëtare “Uji përmes syve të fëmijëve”, e cila do të organizohet nga SHUKALB më 15 dhjetor 2026.
Nëpërmjet këtij programi, SHUKALB synon të krijojë që në moshë të hershme një lidhje mes fëmijëve dhe kujdesit për mjedisin, duke i frymëzuar ata të bëhen miq të vërtetë të ujit dhe të kontribuojnë në një të ardhme më të qëndrueshme për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në Shqipëri.