Delegacioni shqiptar i sektorit të ujit merr pjesë në Kongresin dhe Ekspozitën Botërore të Ujit të IWA-s në Glasgou
28 Tetor, 2026
Delegacioni shqiptar i sektorit të ujit merr pjesë në Kongresin dhe Ekspozitën Botërore të Ujit të IWA-s në Glasgou
Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive e SHUKALB dhe Anëtare e Bordit të IWA-s, gjatë hapjes së ditës së parë të Kongresit, më 5 tetor. Foto nga SHUKALB
Përfaqësues të sektorit të ujit nga Shqipëria morën pjesë në Kongresin dhe Ekspozitën Botërore të Ujit të IWA-s (Shoqatës Ndërkombëtare të Ujit), të mbajtur nga 4 deri më 8 tetor në Glasgou, Mbretëria e Bashkuar. Aktiviteti mblodhi së bashku më shumë se 8,500 pjesëmarrës, përfshirë delegatë dhe vizitorë në ekspozitë, si dhe 350 kompani ekspozuese.
I organizuar çdo dy vjet nga Shoqata Ndërkombëtare e Ujit (IWA), Kongresi është një nga eventet kryesore ndërkombëtare të sektorit të ujit, duke mbuluar të gjithë ciklin e ujit. Me temë “Veprimi për ujin – rruga drejt qëndrueshmërisë dhe prosperitetit”, edicioni i vitit 2026 ofroi një platformë ndërkombëtare për diskutimin e zhvillimeve më të fundit shkencore dhe teknologjike, forcimin e partneriteteve dhe shndërrimin e angazhimeve globale për ujin në veprime konkrete.
Delegacioni shqiptar përfshinte përfaqësues nga shoqëritë ujësjellës kanalizime, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), Enti Rregullator i Ujit dhe SHUKALB.
SHUKALB u përfaqësua nga Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive dhe Anëtare e Bordit të IWA-s, e cila bashkë-drejtoi Sesionin 3, me titull “WS 5.7 | Zhvillimet rregullatore si objektiva në lëvizje për sektorin e ujit”, më 6 tetor. Pjesëmarrja e saj kontribuoi në diskutimet mbi zhvillimet rregullatore dhe sfidat e reja me të cilat përballet sektori i ujit.
Pjesëmarrësit në workshopin për sektorin e ujit në Ballkanin Perëndimor Foto nga SHUKALB
Një pjesë e rëndësishme e pjesëmarrjes së delegacionit shqiptar ishte Workshopi për Sektorin e Ujit në Ballkanin Perëndimor, i cili u mbajt më 7 tetor, paralelisht me Kongresin. Workshopi bashkoi përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, si dhe përfaqësues të IWA-s, Shoqatës Evropiane të Ujit (EWA) dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Kompanive të Shërbimeve të Ujit në Rajonin e Danubit (IAWD).
Workshopi ofroi një mundësi për përfaqësuesit të sektorit të ujit nga i gjithë rajoni për të shkëmbyer përvoja, për të diskutuar sfidat e përbashkëta dhe për të forcuar bashkëpunimin. Duke bashkuar shoqatat, shoqëritë ujësjellës kanalizime dhe organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, takimi përforcoi vlerën e përpjekjeve të koordinuara dhe ndarjes së njohurive në mbështetjen e zhvillimit të shërbimeve të ujit dhe ujërave të zndotura në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Pjesëmarrja në Kongres u ofroi përfaqësuesve të sektorit të ujit në Shqipëri një mundësi për t’u lidhur me kolegë ndërkombëtarë, për të mësuar rreth zhvillimeve globale dhe për të forcuar partneritetet që mbështesin përmirësimin e shërbimeve të ujit dhe ujërave të ndotura në Shqipëri dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor.