Ky kurs adreson problematikat kryesore që hasen gjatë operimit dhe mirëmbajtjes të sistemit të kanalizimeve dhe ofron njohuri praktike mbi përdorimin efektiv të metodave të inspektimit, testimit dhe pastrimit të kanalizimeve dhe pusetave. Pjesëmarrësit do të fitojnë njohuri të mjaftueshme për të shmangur përmbytjet e kanalizimeve dhe daljet e ujërave të ndotura në rrugë, duke identifikuar dhe zgjidhur në kohën e duhur problematikat e ndryshme.
Kush duhet të marrë pjesë
Ky kurs është hartuar për profesionistët e shoqërive ujësjellës kanalizime dhe është veçanërisht i vlefshëm për teknikët dhe specialistët e mirëmbajtjes së sistemit të kanalizimeve.Gjithashtu ky kurs këshillohet që të ndiqet nga të gjithë pjesëmarrësit e kursit Operim dhe Mirëmbajtje e Sistemit të Kanalizimeve I, pasi ky kurs është vazhdimësi e tij.
Objektivat e kursit të trajnimit
Në fund të këtij kursi trajnimi, ju do të jeni të aftë të:
Njihni metodat e inspektimit, testimit dhe pastrimit të sistemit të kanalizimeve;
Analizoni elementët e sistemit të kanalizimeve në këndvështrimin e operimit dhe mirëmbajtjes;
Identifikoni lidhjet e paligjshme si dhe shkaqet e bllokimeve;
Përdorni me efektivitet teknikat e ndryshme të inspektimit dhe testimit si: testimi me ujë, testimi me tym, testimi me ngjyrues, dhe inspektimi vizual;
Inspektoni dhe testoni pusetat;
Pastroni sistemin e kanalizimeve duke përdorur me efektivitet metodat hidraulike dhe mekanike;
Kuptoni ndikimin e kimikateve në kontrollin e rrënjëve, aromave, yndyrave dhe insekteve;
Mësoni se si të zvogëloni prodhimin e acidit sulfurik në sistemin e kanalizimit.
Metoda e trajnimit
Trajnimi është i bazuar në leksione të prezantuara në Power Point, të ndërthurura me diskutime dhe raste studimore. Përveç marrjes së leksioneve dhe diskutimeve, pjesëmarrësit do të shohin disa video me raste konkrete të inspektimit dhe pastrimit të kanalizimit me secilën prej metodave të përmendura në manual.
Materialet e kursit të trajnimit
Pjesëmarrësit në këtë kurs trajnimi, do të pajisen me Manualin e Trajnimit “Operimi dhe Mirëmbajtja e Sistemit të Kanalizimeve II”. Përpos kësaj, pjesëmarrësit do të pajisen me certificatë.
Tarifa e regjistrimit
Anëtarët e SHUKALB/SHUKOS: 22,000 lekë për person
Jo-anëtarët: 25,000 lekë për person.
Kjo tarifë përfshin materialet e kursit, drekat, dhe pushimet për kafe.