SHUKALB përgatit materiale për ndërgjegjësimin dhe edukimin e fëmijëve mbi çështjet e ujit dhe mbrojtjes së mjedisit
5 Shkurt, 2021
Foto e marrë nga videoja me titull “Si të kursejmë ujin”
Gjatë vitit të kaluar, SHUKALB në partneritet dhe me mbështetjen e GIZ, në kuadër të projektit “Orientimi i Shërbimeve të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime drejt Performancës dhe Konsumatorit” (i zbatuar nga GIZ), përgatiti tre video të animuara që adresojnë çështjet e ujit të pijshëm dhe trajtimit të ujërave të ndotura urban , të sjella në një gjuhë të kuptueshme për nxënësit e klasave të 8-ta. Kjo punë është bërë gjithashtu në kuadër të marrëveshjes afatgjatë që SHUKALB ka me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për sigurimin e rritjes së ndërgjegjësimit dhe edukimit mbi temat që lidhen me ujin, në nivele të ndryshme të sistemit arsimor në Shqipëri.
Foto e marrë nga videoja me titull “Trajtimi i ujit të ndotur në Shqipëri”
Videot janë të përshtatshme për nxënësit e klasave të 8-ta dhe ato fokusohen në shpjegimin e proceseve të trajtimit të ujit të ndotur, por edhe aspekte të tjera të tilla si shpjegimi i faturës së ujit dhe ndarja e këshillave praktike për ruajtjen e ujit. Videot e shkurtra dhe broshura elektronike mund të jenë një mjet i shkëlqyeshëm për mësuesit gjithashtu për të pasuruar mësimet e tyre mbi çështje që lidhen me mjedisin.
Videot e animuara mund të aksesohen duke klikuar në linqet e mëposhtme:
Foto e marrë nga videoja me titull “Të kuptojmë faturën e ujit”
SHUKALB është mirënjohës për bashkëpunimin shumë të mirë, prej më se 10 vjetësh, me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe për mbështetjen e tyre në zbatimin e programeve tona edukuese dhe ndërgjegjësuese, që synojnë klasën e 3-ta, të 8-ta, të 11-ta dhe studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit. Nga programi i parë që filloi në vitin 2005 e deri më sot, SHUKALB ka angazhuar mbi 40,000 nxënës në nivele të ndryshme arsimore, në të gjithë Shqipërinë.
Ne kemi marrë vazhdimisht reagim shumë pozitiv jo vetëm nga nxënësit që kanë qenë pjesë e këtyre programeve, por edhe nga mësuesit dhe prindërit e fëmijëve. Ne mbetemi të përkushtuar të kontribuojmë më tej në këtë drejtim, veçanërisht edhe më shumë tani në kontekstin e objektivave të vendosura në Strategjinë Kombëtare të Sektorit të Ujit nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në lidhje me edukimin e brezave të rinj në Shqipëri mbi temat që lidhen me ujin.
E fundit, por jo nga rëndësia, ne jemi mirënjohës për mbështetjen dhe vëmendjen e vazhdueshme që programi bilateral i ujit të GIZ u ka dhënë këtyre programeve edukuese. Pa mbështetjen e tyre të çmuar, ne nuk do të ishim në gjendje t’i sillnim këto programe për nxënësit dhe mësuesit në Shqipëri.