Po bëhemi gati për të festuar Ditën Botërore të Ujit!
5 Mars, 2021
]Festimi i Ditës Botërore të Ujit (DBU) është bërë një traditë për SHUKALB dhe shoqëritë ujësjellës kanalizime anëtare të tij, si një mundësi e veçantë për të tërhequr vëmendjen dhe për të krijuar mundësinë për të nxitur qeverinë, shoqërinë civile dhe individët të ndërmarrin iniciativa të tilla ndërgjegjësimi.
Dita Botërore e Ujit është një Program i Kombeve të Bashkuara, që festohet çdo vit më 22 mars, ka për qëllim ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e ujërave të ëmbla dhe advokimin për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve të ujërave të ëmbla. Çdo vit, Dita Botërore e Ujit nxjerr në pah një aspekt të veçantë të ujit, dhe tema e zgjedhur nga OKB-ja për këtë vit është “Vlera e ujit”.
Vlera e ujit është shumë më tepër sesa çmimi i tij – uji ka vlerë shumë të madhe dhe komplekse për familjet tona, kulturën, shëndetësinë, arsimin, ekonominë dhe integritetin e mjedisit tonë natyror. Nëse anashkalojmë ndonjë prej këtyre vlerave, rrezikojmë të keqmenaxhojmë këtë burim të fundëm, të pazëvendësueshëm. Objektivi i Zhvillimit të Qëndrueshëm 6 (SDG 6) është të sigurojë ujë dhe kanalizime për të gjithë. Pa një kuptim gjithëpërfshirës të vlerës së vërtetë, shumëdimensionale të ujit, ne nuk do të jemi në gjendje të mbrojmë këtë burim kritik për të mirën e të gjithëve.
Duke marrë parasysh kufizimet me pandeminë COVID-19, këtë vit, SHUKALB po përqendrohet në përgatitjen e materialeve promovuese në një format elektronik të cilat shoqëritë UK në të gjithë Shqipërinë mund t’i ndajnë lehtësisht përmes platformave të tyre të mediave sociale, ose televizioneve lokale. Për më tepër, SHUKALB po përgatit edhe disa postera dhe broshura për ato shoqëri UK që mund të dëshirojnë t’i porosisin dhe t’i përdorin ato në pikat e Shërbimit të Klientit.
Të gjitha shoqëritë UK që dëshirojnë të organizojnë aktivitete ndërgjegjësimi dhe edukimi online në Ditën Botërore të Ujit, si dhe për të mësuar më shumë rreth asaj që SHUKALB ka përgatitur, mund të kontaktojnë Olta Ceca, Menaxhere e Programeve të SHUKALB në program@shukalb.al.