Alternativat e agregimit në Sektorin e Ujësjellës Kanalizimeve në Shqipëri
4 Qershor, 2021
Ndriçim Shani, Kryetar i Entit Rregullator të Ujit Foto nga ERRU
Sektori i UK në vendin tonë është mjaft i fragmentarizuar me 57 shoqëri UK, ku vetëm 2 prej tyre (Tirana dhe Durrësi) mbulojnë rreth 40% të numrit të konsumatorëve. Sektori ka nevojë të dukshme që të agregohet në mënyrë që të përfitojë nga ekonomia e shkallës, e cila ul kostot e operimit, rrit cilësinë e shërbimeve, mundëson staf më të kualifikuar dhe gjeneron më shumë likuiditete në përballimin e emergjencave dhe nevojave për investime fizike në shkallë të vogël.
Në strategjinë kombëtare të financimit të sektorit të UK vlerësohet dhe parashikohet që në shtrirjen e 22 viteve mund të përballohet nga buxheti i shtetit vlera e më pak se 50% e nevojave për investime në sektor. Së shpejti pritet që vendi ynë të hapë negociatat për pranimin në Bashkimin Europian, proces i cili do të shoqërohet me alokim fondesh të konsiderueshme për sektorin e ujit me qëllim përmbushjen e kërkesave legjislative acquis të Këshillit të Europës për ujin.
Një sektor i fragmentarizuar ka kapacitete të kufizuara për përthithjen e këtyre fondeve te karakterit strategjik. Referuar periudhës menjëherë pas hyrjes në BE në Bullgari dhe Rumani, përthithja e këtyre fondeve nga një sektor i fragmentarizuar bëhej me vështirësi, dhe në fund veprat e ndërtuara rezultuan me kosto mjaft të larta për O&M.
Realisht në vendin tonë gjatë gjithë fazës së tranzicionit, megjithë përpjekjet e bëra, nuk janë realizuar agregime me të vërtetë të suksesshme në sektor. Agregimi në vetvete është një proces kompleks e delikat ku ndërthuren mjaft faktorë objektivë dhe subjektivë, por në themel të realizimit të suksesshëm të tij qëndron konkluzioni i studimit të bëshmërisë mbi “Agregimin e Sektorit Ujësjellës Kanalizime në Shqipëri” hartuar nga PADECO Co. Ltd se bashku me Valu-Add Management Services (Qershor 2009), në të cilin konkludohet që:
“Agregimi duhet realizuar në baza vullnetare dhe me incentiva nga qeveria qendrore”.
Në të njëjtin konkluzion është arritur edhe në draftin e studimit për agregimin e sektorit në prill 2020 financuar nga Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), studim i realizuar me kërkesë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE).
Aktualisht ka disa opsione mbi rrugët e mundshme të agregimit të sektorit. Njëra ndër to është që sektori të agregohet në mënyrë agresive dhe të menjëhershme duke tentuar që ai të jetë i organizuar në nivel kombëtarme një ose 3-4 shoqëri UK. Alternativë tjetër është që agregimi të realizohet në mënyrë gradualeme agregime pilot të suksesshme si eksperienca pozitive për agregimin më tej të të gjithë sektorit.
Duke patur parasysh kompleksitetin e procesit të agregimit, si dhe kushtet e sektorit në vendin tonë, agregimi i menjëhershëm i të gjitha shoqërive UK ekzistuese në një ose disa shoqëri, do të përmbante në vetvete problematikat e mëposhtme:
Agregimi i menjëhershëm dhe me detyrim i shoqërive UK do të haste në pengesa ligjore, përfshirë dhe ato për arsye politike duke rënë ndesh me Ligjin Organik për Qeverisjen Vendore ku përcaktohet qartë se pushtetet vendore janë përgjegjëse për shërbimet UK. Mënjanimi i kësaj pengese do të kërkonte amendimin e ligjit të mësipërm aprovuar nga jo më pak se 3/5 e votave të deputeteve, si dhe do të haste në kundërshtitë për cënimin e Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, e cila është ratifikuar nga parlamenti Shqiptar që në vitin 1999.
Një shoqëri (ose disa) e agreguar do të haste mjaft veshtirësi për të menaxhuar në mënyrë të centralizuar mbi 850 sisteme të pavarura të furnizimit me ujë dhe mbi 300 burime ujore të shpërndara në të gjithë territorin e vendit. Menaxhimi i centralizuar i të gjithë sektorit është i rekomandueshëm dhe i kufizuar vetëm për sistemet e prodhimit dhe të transmetimit të ujit me një numër te vogël burimesh ujore (me prurje mjaft të mëdha), ku tubacionet e transmetimit përshkruajnë pothuajse të gjithë territorin e vendit, siç është rasti i Portugalisë dhe Izraelit. Më tej menaxhimi i shërbimeve të furnizimit me ujë në nivel të pushtetit vendor mund të realizohet sipas alternativave të ndryshme.
Shembuj të tjerë ku shërbimet e furnizimit me ujë (FU) dhe kanalizimeve të ujërave të ndotura (KUN) ofrohen nga një shoqëri e vetme për të gjithë vendin i hasim gjithashtu në vendet anglo saksone, si Irlandë dhe Skoci. Kushtet klimatike dhe format e manaxhimit të shërbimeve UK janë mjaft të ndryshme nga tonat dhe do të ishte i vështirë zbatimi i tyre në vendin tonë. Në Irlandë nuk aplikohen tarifa për popullsinë dhe kostot e O&M subvencionohen nga qeveria qendrore nga taksat. Skocia aplikon tarifa bazuar në sipërfaqen e banimit, pra jo mbi bazën e volumit të ujit të Për më tepër këto vende nuk kanë probleme të shpërdorimit të ujit për ujitje sepse kanë kushte të favorshme atmosferike me reshje shiu të shpeshta dhe me intensitet linear e të moderuar. Këto vende gjithashtu nuk kanë probleme të aplikimit të një tarife unike për të gjithë vendin që mund të cënojë kriterin e përballueshmërisë së pagesës së faturës si rezultat i diferencave të mëdha në të ardhura në rajone të ndryshme të vendit.
Në vendin tonë çdo shoqëri UK aplikon tarifat e veta specifike për çdo kategori konsumatorësh në zonën e saj te shërbimit. Aktualisht në vendin tonë janë në fuqi rreth 57 sisteme tarifash shërbimi UK që duhet të unifikohen. Vlera mesatare e faturës mujore në të 57 shoqëritë luhatet nga 350 deri në 2000 lekë/muaj. Për mbulimin e kostove O&M aktuale në sektor duhet të aplikohet një faturë e unifikuar për sektorin në vlerën prej rreth 1,400 lekë/muaj. Vlera relativisht e lartë e faturës së unifikuar do të krijonte probleme sociale për bashkitë në të cilat aktualisht aplikohen tarifa mjaft të ulëta sidomos për zonën verilindore, ku procesit duhet t’i paraprijë një politikë subvencionimi të tarifave.
Metodologjia aktuale e vendosjes së tarifave nga Enti Rregullator i Ujit (ERRU) përcakton për çdo shoqëri nën-tarifa që i referohen çdo kostoje të shërbimeve, respektivisht, për FU, për KUN, për trajtimin e ujit të pijshëm, të trajtimit të UN, si dhe atë të shitjes së ujit me shumicë. Të pesë nën-tarifat e mësipërme janë të ndryshme për secilën nga tre kategoritë e konsumatorëve, përkatësisht, konsumatorë familjare, institucione publike dhe ato private. Sistemi i faturimit i unifikuar do të duhet të përfshijë të gjitha specifikat e veçanta të shërbimeve për çdo shoqëri UK/bashki. Rrjedhimisht, ndërtimi i një sistemi faturimi i centralizuar (sofware) për të gjithë vendin do të ishte i vështirë për t’u realizuar teknikisht dhe do të kërkonte mjaft kohë. Nga ana tjetër, ky sistem do të ishte subjekt i një dinamike mjaft të shpeshtë përditësimi për shkak të ndryshimit të kushteve të shërbimeve në çdo rajon apo njësi të veçantë administrative.
Alternativa tjetër do të ishte agregimi gradual duke realizuar një ose më shumë agregime pilot të sukseshme sipas kriterit “në baza vullnetare dhe me incentiva nga qeveria qendrore”. Në këtë rast çdo agregim pilot do të shërbejnë si shembull ose referencë suksesi dhe bëshmërie për planifikimin dhe zbatimin e strategjisë në vite për të gjithë sektorin.
Realizimi i këtij procesi kërkon paraprakisht zhvillimin e një ankete studimore (survey) në të gjitha bashkitë e vendit për të seleksionuar bashkitë ku është e mundshme të kryhet një agregim në baza vullnetare.
Për seleksionimin e 2-3 shembujve pilot rekomandohet që të kihen parasysh kriteret e mëposhtme:
Të synohen agregime të shoqërive brenda një qarku, ku kryetarët e pushteteve vendore mundësisht të jenë të një krahu politik dhe që mirëkuptohen ndërmjet tyre.
Përgjithësisht agregimi duhet të bëhet ndërmjet një shoqërie financiarisht të qëndrueshme me një ose disa shoqëri me performancë financiare të dobët.
Ndërgjegjësimin dhe angazhimin paraprak të kryetarëve të bashkive në lidhje me avantazhet e agregimit (ekonomi e shkallës), si mënyra më e përshtatshme për të përmirësuar performancën financiare të shoqërisë dhe cilësinë e shërbimeve ndaj konsumatorëve.
Agregimi duhet realizuar me vullnet të lirë dhe shoqëruar me incentiva nga qeveria qendrore. Incentivat do të konsistojnë në kompensimin/subvencionimin për një periudhë tranzitore të deficitit financiar të kostove të O&M të shoqërisë së dobët financiare të agreguar, si dhe me incentiva investimesh fizike për zonën e re të shërbimit të shoqërisë së agreguar.
Me iniciativën e qeverisë qendrore (MIE) bashkitë/shoqëritë UK e seleksionuara për agregim të suksesshëm të firmosin marrëveshjet paraprake të dakordësisë për agregim, sipas një draft modeli të parapërgatitur.
Zbatimi i këtij procesi kërkon domosdoshmërisht mbështetjen me shërbime konsulente të cilat do të duhet të mbledhin informacionin e nevojshëm për performancën e secilës shoqëri, përfshirë dhe nevojat për investime fizike në to. Më tej duhen hartuar studime dhe raporte të shkurtra për secilin agregim, me tarifat e pritshme pas agregimit, si edhe detaje të tjera për zbatimin në praktikë të secilit rast pilot të seleksionuar.