SHUKALB nis programin e tij “Panairi Shkencor” për Shkollat e Mesme për vitin 2021
4 Qershor, 2021
Pjesëmarrësit në sesionin e trajnimit virtual në kuadër të fillimit të programit “Panairi Shkencor” për Shkollat e Mesme për vitin 2021 Foto nga SHUKALB
SHUKALB nisi zyrtarisht zbatimin e një prej programeve të tij më interesante të edukimit dhe ndërgjegjësimit, programi “Panairi Shkencor” për Shkollat e Mesme, duke organizuar në 7 maj 2021 një sesion trajnimi virtual me pjesëmarrjen e mësuesve të biologjisë, kimisë dhe fizikës të shkollave të mesme pjesëmarrëse në program.
Programi “Panairi Shkencor” për Shkollat e Mesme targeton nxënësit e klasave të 11-ta dhe përfshin 9 shkolla të mesme nga qytetet Shkodër, Lezhë, Durrës, Kavajë, Vlorë, Sarandë, Himarë, Cërrik dhe Peqin. Qëllimi i programit është të nxisë mendimin analitik dhe punët eksperimentale ndërmjet studentëve. Ky program është një garë në të cilën nxënësit krijojnë dhe zhvillojnë kërkime përmes metodave shkencore. Ato u mundësojnë nxënësve të investigojnë një temë shkencore duke kërkuar informacion ose duke biseduar me profesionistë dhe mësuesit e tyre.
Olta Ceca, Menaxhere e Programeve, SHUKALB, gjatë prezantimit të saj në sesionin e trajnimit virtual Foto nga SHUKALB
Programi është duke u zbatuar në kuadër të marrëveshjes dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe mbështetjen e programit “Orientimi i Shërbimeve të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime drejt Performancës dhe Konsumatorit”, i financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH”.
Qëllimi i sesionit të trajnimit online ishte t’i njihte mësuesit me objektivat dhe fazat e programit dhe të ndante me ta instruksionet e nevojshme që duhet të ndjekin për zbatimin e programit.
Pjesëmarrësit ndoqën një prezantim të hollësishëm të mbajtur nga stafi i SHUKALB i angazhuar në program, si dhe ua angazhuan në një sesion diskutimi në lidhje me temat e mundshme që do të zbatohen.