Problematika e Mbulimit të Kostove të Energjisë Elektrike për Shoqëritë UK
4 Shkurt, 2022
I. Të Përgjithshme
Në sektorin UK aktualisht nga 57 shoqëri UK, 48 prej tyre nuk arrijnë të mbulojnë kostot operim dhe mirëmbajtje (O&M). Kostot e energjisë elektrike në sektorin e UK zënë rreth 30% të totalit të kostove O&M. Shoqëritë që nuk arrijnë të mbulojnë kostot e O&M e sigurojnë mbijetesën financiare me anë të subvencioneve nga qeveria qendrore, dhe/ose duke mos paguar faturën e energjisë elektrike ndaj OSHEE-së. Kjo gjendje ka sjellë një borxh të akumuluar të sektorit ndaj OSHEE prej rreth 10.7 miliard lekë (rreth 89 milion euro), që së bashku me kamatëvonesat në vite arrin në rreth 19.5 miliard lekë (rreth 162 milion euro).
Referuar kësaj gjendje, ERRU me mbështetjen e OSHEE ka ndërmarrë një studim që analizon në detaje situatën, si dhe jep rekomandimet përkatëse për daljen e sektorit UK nga kjo gjendje. Studimi jep qasjen kryesore për vlerësimin e kësaj situate si dhe disa rekomandime si bazë nisje për zgjidhjen e problemit. Analiza është fokusuar kryesisht për 6 shoqëri UK, shuma e borxheve të të cilave përbën rreth 63% të borxhit total të sektorit UK ndaj OSHEE-së (shih tabelën Nr. 1). Kostot e energjisë për këto shoqëri variojnë nga 40 deri 60% të kostove O&M. Konkluzionet dhe rekomandimet nga analiza e këtyre 6 shoqërive kanë karakter përgjithësues për të gjithë sektorin.
Tabela Nr.1 Kostot O&M dhe Debitë e Akumuluara nga Kostot e Energjisë për Sektorin UK (2020)
II. Qasja e Studimit
Problematika e shlyerjes së pagesës së energjisë elektrike nga shoqëritë UK ndaj OSHEE është komplekse. Në mënyrë që të reduktohet debia e krijuar ndaj OSHEE dhe të krijohet aftësi paguese për faturën e energjisë në vijimësi, ky studim fokusohet në katër faktorët e mëposhtëm:
Rritja e eficencës së energjisë elektrike dhe e treguesve të performancës për shoqëritë UK;
Plan i ri tarifor për shërbimet ujësjellës- kanalizime;
Subvencionimi pjesërisht/plotësisht nga buxheti i shtetit;
Ulja e tarifës së energjisë elektrike për shoqëritë UK.
Studimi analizon vetëm tre faktorët e parë sepse referuar gjendjes aktuale të krizës energjitike elementi i katërt nuk shihet si mundësi momentalisht për tu marrë në konsideratë.
III. Rritja e Eficencës së Energjisë Elektrike dhe Performancës së Shoqërisë UK
Rritja e eficencës së energjisë elektrike përgjithësisht është e lidhur me investimet fizike, kryesisht në stacionet e pompimit të sistemeve të UK dhe të ITUN, por edhe në rishikimin dhe përmirësimin e skemave hidraulike të këtyre sistemeve.
Çdo shoqëri UK duhet të disponojë një raport të eficencës së energjisë, në të cilin analizohet efikasiteti i përdorimit të energjisë elektrike, kryesisht në stacionet e pompimit të ujit të pijshëm e të ujërave të ndotura, si dhe në impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura (ITUN). Referuar 6 shoqërive që konsiderohen në këtë studim, UK Kavajë, UK Krujë dhe UK Kurbin nuk disponojnë një raport të eficencës së energjisë, për rrjedhojë duhet ta kenë prioritet hartimin e tij.
Një nga treguesit kryesorë të performancës që lidhet me konsumin e energjisë elektrike është Uji Pa të Ardhura (UPA), i cili për 6 shoqëritë e konsideruara luhatet nga 52% – 80%. Tabela Nr. 2 jep vlerat e UPA dhe konsumin mesatar litra/ditë, person. Në të vërehet se shoqëritë Durrës, Vlorë dhe Fier që kanë vlera mjaft të larta deri në 80% të UPA-s kanë gjithashtu edhe një normë mjaft të lartë konsumi të ne litra ne dite per banor. Kjo tregon se krahasuar me kërkesën reale për ujë, këto shoqëri pompojnë mbi-volum uji, pra edhe mbi konsum të energjisë elektrike. Këto shoqëri për uljen e konsumit të energjisë elektrike duhet të angazhohen seriozisht për uljen e UPA, pra të humbjeve teknike dhe administrative.
Tabela Nr. 2 UPA dhe Norma Mesatare e Ujit të Prodhuar, viti 2020
Në veçanti duhen marrë në konsideratë dhe analizuar gjithashtu edhe treguesit e tjerë të performancës, përkatësisht, Norma e Arkëtimit dhe Eficenca e Stafit.
IV. Plan i Ri Tarifor për Shërbimet UK
Mbulimi i kostove të O&M pjesërisht ose plotësisht mund të realizohet nga rritja e të ardhurave nëpërmjet rritjes së tarifës për FU dhe KUN bazuar në kriteret e kostove të justifikuara, si dhe përballueshmërinë e faturës mujore për konsumatorët, pra që ajo nuk duhet të kalojë vlerën prej 5% të shpenzimeve mesatare mujore për familje.
Tabela Nr. 3 paraqet në vlerë absolute (lek/muaj) faturën mujore mesatare aktuale për konsumatorët familjarë (mesatarisht 4 persona/familje me një konsum mesatar 100 litra/ditë/banor) për shërbimet e UK që u ofrohen konsumatorëve. Në të jepet gjithashtu fatura mesatare e pritshme mujore, e cila do të mundësonte mbulimin 100% të kostove O&M të shoqërive (në lek/muaj), rritjen që do të pësonte kjo faturë, si dhe pragun maksimal të faturës për të respektuar kriterin e përballueshmërisë.
Tabela Nr. 3 Fatura mesatare mujore aktuale, e pritshme dhe niveli i Përballueshmërisë
Vihet re se shoqëria që rezulton me nevojën më të madhe për rritjen e nivelit të tarifës është UK Patos me 79%. Në fakt për rritjen e kërkuar të tarifës Kriteri i Përballueshmerisë respektohet, por në pjesën më të madhe të shoqërive të mësipërme kërkohet një rritje tarife shumë e lartë dhe e menjëhershme, që në përgjithësi mund të krijojë reagim negativ të fuqishëm nga konsumatorët, veçanërisht për shoqëritë, UK Patos, UK Kavajë, UK Krujë dhe UK Kurbin. Që një rritje tarifash për shërbimet FU dhe KUN të konsiderohet e arsyeshme dhe e pranueshme duhet të kryhet një analizë rast pas rasti për secilën shoqëri. Deficiti që do të krijohej nga një rritje graduale në kohë (jo e menjëhershme) në kushtet e pamundësisë së pagesës së plotë të faturës së energjisë elektrike ndaj OSHEE-së, do të duhet të kompensohet nga subvencionet që alokohen nga qeveria qendrore.
V. Subvencionimi nga Buxheti i Shtetit
Bazuar në nevojat e justifikuara të shoqërive për mbulimin 100% të kostove të O&M, për të bërë të mundur vijimin e aktivitetit, qeveria qendrore nëpërmjet AKUM-it subvencionon një pjesë të kostove direkte të O&M. Për vitin 2020, nevoja reale për subvencionim e sektorit ka qenë 1.34 miliard lekë (rreth 10.8 milion euro). Kanë përfituar subvencione nga buxheti i shtetit gjatë vitit 2020 47 shoqëri UK në vlerën 0.72 miliard lekë (rreth 5.8 milion euro), por mbetën pa mbuluar rreth 0.9 miliard lekë (7.3 milion euro) ose rreth 23% më pak se nevojat reale për subvencione. Subvencionimi nga qeveria qëndrore duhet të kryhet i plotë në përputhje me nevojat e mbulimit të kostove O&M sepse mungesa përgjithësisht shkon në mospagimin e faturës së energjisë elektrike ndaj OSHEE.
Përfundime
Përmirësimi i performancës financiare të shoqërive UK debitore ndaj OSHEE për të mundësuar shlyerjen e detyrimeve ndaj kësaj të fundit, kërkon një analizë për çdo shoqëri rast pas rasti nga kombinimi i tre faktorëve të trajtuara më sipër.
Rritja e eficencës së energjisë elektrike dhe të performancës në tërësi për shoqëritë UK duhet të realizohet me anë të një kontrate performance, bazuar në një analizë dhe vlerësim real të Treguesve Kryesorë të Performancës (TKP), si dhe të objektivave të tyre, me përfshirjen e AKUM-it dhe ERRU-së. Në kontratën e performancës fokusi kryesor duhet të jetë në TKP, sidomos UPA, Norma Korrente e Arkëtimit, dhe Eficenca e Stafit.
Shoqëritë duhet të aplikojnë pranë ERRU-së me një Plan të ri tarifor, i cili në respektim të kritereve të ERRU-së për aprovimin e tarifave, të mund të mbulojnë deri 100% kostot e O&M, pra edhe detyrimet ndaj faturave të energjisë ndaj OSHEE-së.
OSHEE duhet të ushtrojë presion nëpërmjet të gjitha instrumenteve ligjore kundrejt shoqërive UK debitore në mënyrë që ato të krijojnë likuiditetet e duhura dhe të shlyejnë detyrimet.
Kontrata e performancës dhe niveli i ri tarifor duhet të shërbejnë si bazë për vlerësimin real të nevojave për subvencione për çdo shoqëri debitore ndaj OSHEE-së.
Detyrimet që i përkasin kamatë-vonesave për faturat e papaguara të energjisë së shoqërive UK ndaj OSHEE-së propozohet që të mund të rishikohen dhe të likuidohen me marrëveshje të veçanta ndërmjet secilës shoqëri dhe OSHEE-së.
Shoqëritë duhet të ndërgjegjësohen dhe të bëjnë çdo përpjekje e cila kontribuon në rritjen e eficencës së energjisë, dhe për rrjedhojë ul konsumin e energjisë dhe koston e saj, duke filluar me hartimin e planeve të eficencës së energjisë.
VI. Rast Studimor – UK Durrës
UK Durrës është shoqëria e cila ka borxhin më të lartë të akumuluar ndaj OSHEE (6.1 miliard lekë), ku borxhi real i akumuluar është 3.2 miliard lekë dhe kamata përkatëse prej 2.9 miliard lekë. Në këtë shoqëri pesha që zë kostoja e energjisë elektrike në totalin e kostove O&M për vitin 2020 është rreth 55%.
Shoqëria krahas sistemit të furnizimit me ujë ekzistues ka futur në punë një sistem të ri ne pellgun ujembajtes te Fushë Kuqes me një prurje shtesë prej rreth 637 litra/sek. Të gjitha sistemet përbërëse të saj të furnizimit me ujë, kanalizimit të ujërave të ndotura, dhe impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura operojnë me ngritje mekanike, gjë që bën që kostoja e energjisë elektrike për këtë shoqëri të jetë më e larta në sektor.
Duke patur parasysh që në përgjithësi stacionet e pompimit në të gjithë zonën e shërbimit janë relativisht të reja dhe me rendimente të larta të pompave, duket si jo thelbësore ulja e konsumit të energjisë elektrike nga ky faktor nga rritja e rendimentit të pompave.
Treguesi “UPA” për vitin 2020 ishte 80 %. Përmirësimi i këtij treguesi për UK Durrës duhet të jetë në fokusin kryesor të kësaj shoqërie, për të rritur të ardhurat financiare të shoqërisë nga lidhjet e paligjshme dhe abuzimet me faturimet, gjë e cila do të rriste aftësinë paguese të shoqërisë ndaj detyrimeve që ka kundrejt OSHEE-së. Nga ana tjetër, kjo do të influenconte në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj konsumatorëve, sepse ulja e UPA-s do të çonte në rritjen e orëve të furnizimit me ujë për konsumatorët.
Duke analizuar dhe kompleksitetin e sistemeve të furnizimeve me ujë në zonën e saj të shërbimit, krahas angazhimit për uljen e humbjeve administrative, ndihet akoma nevoja e investimeve për reduktimin e këtij treguesi në drejtim të humbjeve fizike kryesisht ne rrjetet shperndarese te tyre.
Fatura mesatare aktuale për konsumatorët familjarë që shërbehen nga UK Durrës është 1,900 lekë/muaj. Në mënyrë që nëpërmjet të ardhurave të faturuara, kostot O&M të kësaj shoqërie të mbulohen 100%, nevojitet që niveli i faturës ndaj konsumatorëve të rritet përafërsisht 9%. Kjo rritje do të bënte që fatura mesatare mujore të rritej me rreth 174 lekë/muaj dhe fatura të arrinte në vlerën 2,080 lek/muaj. Por referuar normës së arkëtimit që përcakton të ardhurat e arkëtuara për vitin 2020, për të mbuluar kostot e O&M tarifa do të duhej të rritej akoma më tepër, gjë që duket e papranueshme dhe jashtë kritereve të ERRU-së për miratimin e një plani të ri tarifor. Kjo situatë sjell nevojën e vazhdimësisë për subvencionim nga buxheti i shtetit të shoqërisë UK Durrës.
Si konkluzion, për përmirësimin e gjendjes financiare të UK Durrës dhe për të mundësuar mbulimin e kostove direkte të O&M dhe më pas të kostove totale, për UK Durrës propozohet:
Lidhja e një Kontrate Performance me objektiva që dalin nga një analizë e thelluar e treguesve kryesorë të performancës (TKP) së shoqërisë dhe mundësisë së përmirësimit të tyre vit pas viti. Duke patur parasysh një normë prodhimi uji prej 348 litra/ditë/banor, duhet të analizohet treguesi i UPA prej 80% dhe i Normës Korrente të Arkëtimit të papranueshme prej 59%;
Shoqëria UK Durrës operon me një tregues të eficencës së stafit prej 5,16. Është i nevojshëm përmirësimi i këtij treguesi për reduktimin e stafit të tepërt dhe uljen e kostove të O&M.
Aplikimi pranë ERRU-së për një rritje të arsyeshme dhe të pranueshme të tarifave ekzistuese, bazuar në përditësimin e Planit të Biznesit 5-vjeçar aktual të shoqërisë, ku të përmbushet kriteri i përballueshmërisë;
Të vazhdojë subvencionimi nga buxheti i shtetit, për plotësimin pjesërisht të nevojave për mbulimin e kostove direkte të O&M bazuar në realizimin e treguesve të kontratës së performancës;
Të lidhet një kontratë me OSHEE për likuidimin e debive të akumuluara, e shtrirë në kohë bazuar në terma të dakordësisë së dyanshme;
Duke qenë se shoqëria UK Durrës ka ende pa shlyer investime të kryera në të kaluarën (interesa dhe principal), nevoja për të mbuluar kostot totale të aktivitetit në të ardhmen, duke përfshirë një faturë të lartë të kostove të energjisë elektrike (duke konsideruar edhe borxhet e akumuluara), rekomandohet krijimi i një mundësie që shoqëria UK Durrës të ketë burimin e saj të pavarur të energjisë elektrike për të plotësuar në mënyrë të plotë ose të pjesshme nevojat e saj për energji elektrike, me anë të burimeve alternative të rinovueshme. Kjo ide përforcohet më shumë nga kriza aktuale energjitike, nga e cila pritet një rritje e mëtejshme e çmimit të energjisë elektrike.
Shënim: Ky artikull është përgatitur nga Ndriçim Shani, Kryetar i ERRU dhe Ana Ismailaja, Specialiste në ERRU.