SHUKALB organizon takimin me trajnerët e angazhuar në Programin e tij të Trajnimit dhe Zhvillimit të Kapaciteteve
24 Shkurt, 2022
Pjesëmarrësit gjatë takimit me trajnerët Foto nga SHUKALB
Në 21 janar 2022, SHUKALB organizoi një takim virtual me pjesëmarrjen e trajnerëve që janë të angazhuar në Programin e SHUKALB të Trajnimit dhe Zhvillimit të Kapaciteteve. Takimi u zhvillua në kuadër të Projektit “Rrjeti Rajonal i Zhvillimit të Kapaciteteve për Furnizimin me Ujë dhe Kanalizimet (RCDN)”.
Objektivi i përgjithshëm i takimit ishte të lehtësonte informimin, shkëmbimin mes trainerëve për programet dhe aktivitetet e zhvillimit të kapaciteteve që SHUKALB organizon në nivel kombëtar.
Takimi u moderua nga Valbona Paja, Zëvendës Administratore, Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Shkodër.
Gjatë takimit pjesëmarrësit u prezantuan me programet e zhvillimit të kapaciteteve për stafin e shoqërive ujësjellës kanalizime të zhvilluara gjatë vitit 2021, ku ndanë komentet dhe sugjerimet e tyre lidhur me zhvillimin e këtyre programeve. Në vazhdim, pjesëmarrësit zhvilluan punë në grup, ku diskutuan sëbashku dhe dhanë feedback-un e tyre në lidhje me çfarë ata besojnë se SHUKALB duhet të konsiderojë gjatë vitit 2022 si tematika potenciale, formate programesh, aktivitete, etj.
Në fund, trajnerët u informuan mbi aktivitetet e ardhshme të cilat do të organizohen përgjatë vitit 2022 për trajnerët me qëllim forcimin e angazhimit të tyre me Shoqatën.