SHUKALB hap regjistrimet për Trajnimet gjatë vitit 2022!
7 Mars, 2022
SHUKALB ka nisur tashmë Programin e Trajnimeve për vitin 2022, si pjesë e të cilit do të ofrojë një sërë tematikash për menaxhimin dhe përmirësimin e performancës së shërbimeve ujësjellës kanalizime. Këto trajnime janë të vlefshme për të gjithë profesionistët e sektorit të ujit, përfshirë stafin menaxherial të lartë, të mesëm dhe operatorë nga shoqëritë ujësjellës kanalizime, si dhe përfaqësues nga institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore. Gjeni më shumë detaje në lidhje me regjistrimet për secilin trajnim, në Kalendarin më poshtë.
TRAJNIMET NË MARS
PASQYRAT FINANCIARE DHE ROLI I TYRE NË VENDIMMARRJE 2-3 Mars 2022, Tiranë
Raportimi financiar është thelbësor për procesin e vendimmarjes. Raportimi fiananciar është gjithashtu një element i rëndësishëm i besueshmërisë së investitorëve dhe palëve të tjera të interesuara gjatë procesit të vendimmarrjes në lidhje me njësinë ekonomike.
Kursi i trajnimit trajton çështje që kanë të bëjnë me setin e plotë të pasqyrave financiare dhe informacionin që mbart secila prej tyre, rregullat për zbatimin e politikave kontabël, llogaritë e arkëtueshme, borxhin e keq, tatimin e shtyrë, provizionet, aktivet e kushtëzuara dhe koston e kapitalit. Pjesëmarrësit pajisen me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të ushtruar me kompetencë funksionet e tyre në procesin e hartimit dhe interpretimit të raporteve financiare, me qëllim përmirësimin e performancës së shoqësisë duke lehtësuar procesin e vendimmarrjes për nivelet e larta të menaxhimit.
Kursi i trajnimit është veçanërisht i vlefshëm për financierët dhe shefat e financës.
MBIKQYRJE 16-17 Mars 2022, Tiranë
Ky kurs trajnimi thekson rolin e mbikëqyrësit në përmbushjen e misionit dhe objektivave të shoqërive ujësjellës kanalizime. Kursi fokusohet tek aftësitë dhe njohuritë që duhet të ketë një mbikëqyrës mbi planifikimin, koordinimin dhe motivimin e punonjësve me qëllim që çdokush të punojë me efektivitet për përmbushjen e objektivave. Qëllimi kryesor i këtij kursi është që t’i pajisë pjësëmarrësit me njohuri dhe teknika të vlefshme mbikëqyrje për të përmirësuar performancën e shoqërive ujësjëllës kanalizime.
Ky kurs trajnimi është veçanërisht i vlefshëm për drejtuesit dhe pergjegjësit e departamentit të burimeve njerëzore dhe marrëdhënieve me publikun.PËR KËTË TRAJNIM REGJISTROHUNI KËTU!
RIPARIMI DHE REHABILITIMI I SISTEMIT TË KANALIZIMEVE 30-31 Mars 2022, Tiranë
Ndotja e ujit të pijshëm, çarje dhe bllokim i rrjetit të kanalizimeve si dhe vërshimi i ujërave të ndotura në sipërfaqe, janë disa nga sfidat me të cilat shoqëritë UK përballen çdo ditë, si pasojë e sistemit të vjetër dhe të dëmtuar të kanalizimeve. Me qëllim adresimin e këtyre problematikave, në këtë kurs trajnimi trajtohen hapat dhe procedurat që duhen ndjekur për rehabilitimit e sistemit të kanalizimeve, duke filluar me studimin e gjendjes aktuale të rrjetit, vlerësimit të nevojës për rehabilitim, përzgjedhjen e metodës më të përshtatshme dhe ekonomike deri tek zbatimi i punës rehabilituese. Përveç zbatimit dhe përdorimit të metodave klasike të riparimit dhe rehabilitimit të linjave të kanalizimeve dhe pusetave, në këtë kurs trajtohen edhe teknikat më të fundit rehabilituese.
Kursi i trajnimit është veçanërisht i vlefshëm për inxhinierët e zbatimit dhe të mirëmbajtjes së sektorit të kanalizimeve. PËR KËTË TRAJNIM REGJISTROHUNI KËTU!
TRAJNIMET NË PRILL
BURIMET UJORE DHE KAPTAZHET 13 Prill 2022, Tiranë
Përzgjedhja e duhur e burimeve ujore si dhe menaxhimi i mirë rezervuarëve janë faktorë kryesor dhe shumë të rëndësishëm për prodhimin e ujit me cilësi të mirë dhe kosto të ulët. Nëse cilësia e ujit është e mirë që në burim apo rezervuar, atëherë dhe kaptazhet do të ofrojnë ujë të pastër dhe në mënyrë efektive për tek impianti i trajtimit apo në rrjetin shpërndarës.
Në këtë kurs trajnimi pjesëmarrësit do të marrin njohuritë bazë mbi burimet ujore dhe karakteristikat e tyre. Do të trajtohen dhe diskutohen programet dhe metodat e menaxhimit të rezervuarëve dhe avantazhet e tyre. Gjithashtu, do të identifikohen dhe përshkruhen llojet e kaptazheve si dhe procedurat e operimit dhe mirëmbajtjes së tyre.
Kursi i trajnimit është veçanërisht i vlefshëm për drejtorët e departamentit teknik, inxhinierët e mirëmbajtjes dhe të shfrytëzimit, inxhinierët e prodhimit dhe inxhinierët projektues. PËR KËTË TRAJNIM REGJISTROHUNI KËTU!
TUBACIONET KRYESORE DHE REZERVUARËT E UJIT 14 Prill 2022, Tiranë
Tubacionet e rrjetit shpërndarës dhe rezervuarët e ujit janë komponent shumë të rëndësishëm të sistemit të furnizimit me ujë. Instalimi i duhur i tyre zgjat jetën e shërbimit dhe zvogëlon problemet me mirëmbajtjen në vazhdimësi, duke ofruar kështu ujë të pijshëm të sigurt dhe duke ulur kostot e panevojshme për Shoqërinë.
Gjatë këtij kursi trajnimi, pjesëmarrësit do të njihen me llojet e tubacioneve më të përdorshme, si dhe karakteristikat e tyre. Pjesemarresit do të mësojnë hapat e nevojshme për instalimin e tubacioneve dhe do të njihen me lloje të ndryshme të rezervuareve si dhe me procedurat e operimit dhe mirëmbajtjes së tyre.
Kursi i trajnimit është veçanërisht i vlefshëm për drejtorët e departamentit teknik dhe të shpërndarjes, kryeinxhinierët, dhe inxhinierët e mirëmbajtjes dhe të shfrytëzimit dhe inxhinieret e prodhimit. PËR KËTË TRAJNIM REGJISTROHUNI KËTU!
SHËRBIMI I KLIENTIT DHE MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN 27-28 Prill 2022, Tiranë
Shërbimi i klientit është një nga funksionet kyç të çdo shoqërie ujësjellës kanalizime. Ky kurs trajnimi thekson rolin e shërbimit të klientit dhe marrëdhënieve me publikun në suksesin e Shoqërive UK. Kursi do të trajtojë çështje që kanë të bëjnë me parimet e shërbimit të klientit, ndikimin e organizimit dhe personelit të shërbimit të klientit në performancën tregtare të shoqërisë, manaxhimin e bazës së të dhënave të klientit, manaxhimin e përshtypjeve dhe ankesave të klientit, manaxhimin e leximit të matësave, faturimit dhe arkëtimit.
Pjesëmarrësit do të pajisen me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të përballuar sfidat e përditshme të këtij shërbimi si dhe për të përmirësuar shërbimin e klientit dhe marrëdhëniet me publikun në shoqëritë e tyre.
Kursi i trajnimit është veçanërisht i vlefshëm për përgjegjësit, specialistët, operatorët dhe azhornuesit e shërbimit të klientit, specialistët e marrëdhënieve me shtypin dhe publikun, përgjegjësit dhe specialistët e sektorit të shërbimit të matësave, si dhe përgjegjësit dhe specialistët e sektorit të leximi. PËR KËTË TRAJNIM REGJISTROHUNI KËTU!
TRAJNIMET NË MAJ
SIGURIA NË PUNË PËR PROFESIONISTËT E UJIT 18-19 Maj 2022, Tiranë
Për një Shoqëri UK, siguria në punë duhet të jetë një përgjegjësi e përbashkët, duke filluar që nga drejtuesit e deri tek punonjësi më i thjeshtë. Shumë prej detyrave të përditshme të punonjësve mund të sjellin situata të rrezikshme. Si rezulat, punonjësit ata duhet të kenë njohuritë bazë të sigurisë personale dhe të zhvillojnë dhe zbatojnë programin për sigurinë dhe shëndetin në punës.
Ky kurs trajnimi do të identifikoj rreziqet e mundshme gjatë punës dhe masat parandaluese që duhet të ndërmerren me qëllim shmangien e aksidenteve. Gjithashtu, kursi do të theksojë rëndësinë e krijimit të programeve të sigurisë.
Kursi i trajnimit është veçanërisht i vlefshëm për punonjesit e departamentit teknik, duke përfshirë kryeinxhinierët, inxhinierët, teknikët dhe laborantët. PËR KËTË TRAJNIM REGJISTROHUNI KËTU!
MIRËMBAJTJA E PAJISJEVE – MOTORRAT, POMPAT DHE VALVULAT PËR PROFESIONISTËT E UJIT TË NDOTUR DHE TË PIJSHËM 25-26 Maj 2022, Tiranë (Datat janë subjekt ndryshimi)
Mirëmbajta e duhur dhe në kohë e pajisjeve e mban sistemin e furnizimit me ujë dhe kanalizime në kushte të përshtatshme pune. Mirëmbatja e pajisjeve mund të jetë parandalues, riparuese dhe emergjente.
Ky kurs trajnimi synon identifikimin e llojeve të ndryshme të pompave, motorëve dhe valvulave të përdorura në sistemet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, si dhe të ofrojë informacion mbi programet e mirëmbajtjes së tyre. Përveç kësaj, ai do të adresojë zgjidhje të ndryshme të problemeve gjatë funksionimit të kësaj pajisjeje.
Kursi i trajnimit është veçanërisht i vlefshëm për punonjesit e departamentit teknik, duke përfshirë kryeinxhinierët, inxhinierët e operimit dhe mirëmbajtjes si dhe teknikët. PËR KËTË TRAJNIM REGJISTROHUNI KËTU!
TRAJNIMET NË QERSHOR
SISTEMET E VOGLA TË FURNIZIMIT ME UJË 8 Qershor 2022, Tiranë (Data është subjekt ndryshimi)
Sistemet e furnizmit me ujë përbëhen nga burime ujore si ujra nëntokësor ose sipërfaqësor, puset, pompat, impiant të trajtimit të ujit, si dhe sistemin shpërndarës i cili përfshin rezervuarët dhe tubacionet që furnizojnë konsumatorin me ujë. Për të gjithë këto komponent, punonjësit e shoqërive UK janë përgjegjës për ti mbajtur ato në punë dhe të sigurojnë ujë me cilësi të mirë dhe të pijshëm.
Ky kurs paraqet aspektet bazë të operimit dhe mirëmbajtjes të sistemeve të vogla të furnizimit me ujë. Gjithashtu, identifikimi i problemeve, shkaku si dhe riparimi i tyre do të shpjegohen dhe diskutohen gjatë këtij kursi.
BAZAT E HIDRAULIKËS PËR SISTEMIN E FURNIZIMIT ME UJË 9 Qershor 2022, Tiranë (Data është subjekt ndryshimi)
Hidraulika është shkenca themelore për profesionistët e ujit. Uji gjatë lëvizjes prodhon forcë dhe presion sa herë që shpejtësia, drejtimi i prurjes ose lartësia ndryshon. Duke ditur presionin dhe prurjen në një pikë të caktuar të tubacionit, na ndihmon të gjejmë përmasat e tubacionit dhe kapacitetin e tij. Gjithashtu na ndihmon të gjejmë llojin e materialit të tubacionit që na nevojitet në një situatë të caktuar.
Për më tepër, njohuritë e mira në hidraulikë janë të nevojshme për profesionistët kur vendosin nëse reduktuesit e presionit të ujit ose pompat janë të nevojshme për transportimin e ujit në mënyrë efektive. Ky kurs trajnimi do të mbulojë konceptet bazë të hidraulikës në sistemin e furnizimit me ujë, nga burimi deri te rubineti i ujit.
VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM MBI SISTEMET SCADA PËR PROFESIONISTËT E UJËSJELLËS KANALIZIME 15 Shtator 2022, Tiranë (Data është subjekt ndryshimi)
Sistemet e automatizuara të matjes dhe të kontrollit janë thelbësore për funksionimin efektiv të çdo impianti trajtimit të ujit të pijshëm apo ujërave të ndotura. Këto sisteme lejojnë më shumë fleksibilitet dhe kontroll më të madh të impiantit si dhe sigurojnë të dhëna të plota dhe në kohë, duke ndihmuar në marrjen e vendimeve dhe zgjidhjen e avarive në sistem.
Ky kurs trajnimi ka për qëllim të njohë pjesëmarrësit me bazat e sistemeve të automatizuara të matjes, sensorëve dhe programeve kompjuterike të përdorura për operimin e duhur dhe kontrollin e impianteve të trajtimit të uji të pijshëm dhe ujërave të ndotura.
Kursi i trajnimit është veçanërisht i vlefshëm për inxhinieret, teknikët dhe specialist që punojnë në impiantet e trajtimit të ujit të pijshëm dhe ujit të ndotur dhe janë përgjegjës për operimin e sistemeve SCADA. PËR KËTË TRAJNIM REGJISTROHUNI KËTU!
TRAJNIMET NË TETOR
TRAJTIMI SEKONDAR I UJËRAVA TË NDOTURA – PROCESET ME LLUM AKTIV 6-7 Tetor 2022, Tiranë (Datat janë subjekt ndryshimi)
Proceset e trajtimit me llum aktiv janë metodat më të përhapura të trajtimit sekondar, të cilat në qoftë se operohen në mënyrën e duhur prodhojnë ujin e trajtuar më cilësor krahasuar me metodat e tjera bioligjike. Për arritjen e eficencës së dëshiruar të trajtimit është e rëndësishme të përdoren praktikat e duhura të operimit, përllogariten saktë parametrat e kontrollit si dhe të ndërmerren masat e duhura për identifikimin dhe korrigjimin e problemeve.
Ky kurs trajnimi adreson problematikat kryesore të operimit dhe mirëmbajtjes së proceseve me llum aktiv duke pajisur pjesëmarrësit me njohuri të mjaftueshme për identifikimin dhe rregullimin në kohë të tyre.
Kursi i trajnimit është veçanërisht i vlefshëm përinxhinierët, teknikët dhe specialistët që punojnë në impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura, të cilët përdorin si metodë trajtimi proceset me llum aktiv. PËR KËTË TRAJNIM REGJISTROHUNI KËTU!
TRAJTIMI SEKONDAR I UJËRAVA TË NDOTURA – PROCESET ME KULTURË FIKSE 20-21 Tetor 2022, Tiranë (Datat janë subjekt ndryshimi)
Filtri me pikim kosiderohet si metoda e trajtimit sekondar që shfaq numrin më të vogël të problemeve gjatë operimit, megjithatë disa problematika ekzistojnë dhe efiçenca e trajtimit varet tërësisht nga masat e ndërmarra për kontrollin e tyre.
Ky kurs trajnimi adreson problematikat kryesore të operimit dhe mirëmbajtjes së filtrave me pikim, duke pajisur pjesëmarrësit me njohuri të mjaftueshme për identifikimin dhe rregullimin në kohë të tyre.
Kursi i trajnimit është veçanërisht i vlefshëm për inxhinierët, teknikët dhe specialistët që punojnë në impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura, të cilët përdorin si metodë trajtimi filtrat me pikim. PËR KËTË TRAJNIM REGJISTROHUNI KËTU!