Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Shkodër reagon me shpejtësi në përgjigje të situatës së përmbytjeve
6 Dhjetor, 2022
Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Shkodër reagon me shpejtësi në përgjigje të situatës së përmbytjeve
UK Shkodër duke shpërndarë ujë të pijshëm përmes boteve me ujë për banorët në zonat e përmbytura Foto nga UK Shkodër
Gjatë muajit nëntor Bashkia e Shkodrës u përball me një situatë të rëndë përmbytjesh. Reshjet me intensitet të lartë, shoqëruar me shkarkimet nga HEC-et e kaskadës së lumit Drin, kanë sjellë përmbytje në territorin e qytetit të Shkodrës, si dhe në disa njësi administrative të Bashkisë Shkodër.
Në përgjigje të kësaj situate, shoqëria UK Shkodër në koordinim me strukturat e tjera të Bashkisë Shkodër reaguan me shpejtësi duke marrë masat e nevojshme për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve të ujësjellës kanalizimeve.
Grupet e terrenit dhe mjetet e UK Shkodër, ishin në gatishmëri të plotë për të garantuar qarkullimin e qytetarëve dhe mjeteve, duke mbajtur në monitorim dhe duke ndërhyrë aty ku ishte e nevojshme, me zhbllokimin e kanalizimeve të ujrave të bardha. Në jo pak raste, kanalizimet bllokoheshin nga gjethet e pemëve dhe pastrimi i tyre, ishte domosdoshmëri.
Paralelisht, grupe pune u ngritën për monitorimin e stacioneve të pompave dhe rezervuarëve, duke i mbajtur në punë me efikasitet të plotë. Fatmirësisht, pavarësisht nivelit të ujit në disa zona në afërsi të stacioneve të pompave, nuk u shfaq nevoja e çmontimit të tyre.
Në njësinë administrative Ana e Malit, në Oblikë, u shfaq nevoja për furnizimin me ujë të pijshëm të banorëve, procedurë që u përmbush me shumë sukses dhe në kohën e duhur.
Në zonat e përmbytura, grupet e punës dhe mjetet e UK Shkodër, në bashkëveprim me strukturat e tjera të Bashkisë Shkodër, mundësuan edhe pastrimin e inerteve nga rrugët pas largimit të ujit, njëkohësisht edhe shpërndarjen e ndihmave për banorët në nevojë.
E gjithë kjo punë u koordinua dhe drejtua në terren nga drejtori i UK Shkodër Arvit Bushati, si dhe strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Shkodër.
Grupet e punës të UK Shkodër gjatë aksionit për pastrimin e rrjetit të kanalizimeve Foto nga UK Shkodër