SHUKALB Planifikon të Përfaqësohet në Konferencën e Ujit të Kombeve të Bashkuara 2023, 22 – 24 Mars 2023, Nju Jork
7 Mars, 2023
SHUKALB Planifikon të Përfaqësohet në Konferencën e Ujit të Kombeve të Bashkuara 2023, 22 – 24 Mars 2023, Nju Jork
Uji është një pjesë thelbësore e të gjitha aspekteve të jetës. Uji është i lidhur pazgjidhshmërisht me tre shtyllat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe integron vlerat sociale, kulturore, ekonomike dhe politike. Ai është ndërsektorial dhe mbështet arritjen e shumë Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) përmes lidhjeve të ngushta me klimën, energjinë, qytetet, mjedisin, sigurinë ushqimore, varfërinë, barazinë gjinore dhe shëndetin, ndër të tjera. Me ndryshimin e klimës që prek thellësisht ekonomitë, shoqëritë dhe mjedisin tonë, uji është me të vërtetë faktori më i madh për arritjen e synimeve dhe objektivave të rënë dakord ndërkombëtarisht në lidhje me ujin, përfshirë ato në përmbajtje të Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.
Konferenca, e bashkëorganizuar nga qeveritë e Taxhikistanit dhe Holandës, do të ketë një ceremoni hapjeje dhe mbylljeje, gjashtë takime plenare dhe pesë dialogje ndërveprues shumë-palësh. Konferenca gjithashtu do të paraqesë një numër eventesh speciale të nivelit të lartë dhe evente anësore të organizuara nga Shtetet Anëtare, sistemi i OKB-së dhe palë të tjera të interesit.
Rezultati i Konferencës do të jetë një përmbledhje e punimeve të Konferencës dhe angazhimeve, zotimeve dhe veprimeve të reja nga qeveritë dhe të gjitha palët e interesit drejt arritjes së OZHQ 6 dhe synimeve dhe objektivave të tjera të lidhura me ujin, të përpiluara në Axhendën e Veprimit për Ujërat.
Elisabeta Poci, Drejtore Ekzekutive e SHUKALB do të marrë pjesë në eventin paralel “Bashkëpunimi rajonal si një çelës për përshpejtimin e zbatimit të OZHQ 6 – Programi i Ujit të Danubit si shembull ndriçues për përmirësimin e shërbimeve të ujit dhe kanalizimeve në rajonin e Danubit”, që do të zhvillohet më 24 mars. 2023, në ndërtesën e Konferencës së UNHQ – ECOSOC, Selia e OKB-së.
Eventi paralel organizohet nga Ministria Federale e Bujqësisë, Pyjeve, Rajoneve dhe Menaxhimit të Ujërave, Austri, me bashkëorganizatorë Bankën Botërore, Qytetin e Vjenës (Ujësjellësi i Vjenës), Shoqata Ndërkombëtare e Kompanive të Shërbimeve të Ujit në Zonën Ujëmbledhëse të Lumit Danub ( IAWD), SHUKALB, Shoqata për Mbrojtjen e Ujit dhe Mjedisit në Bosnjë dhe Hercegovinë (Rrjeti Aquasan Bosnjë dhe Hercegovinë), OECD (Iniciativa për Qeverisjen e Ujit).
Objektivi i eventit paralel është të nxjerrë në pah përvojat dhe shembujt e praktikave më të mira në zbatimin e Programit të Ujit të Danubit dhe të prezantojë se si këto aktivitete kontribuojnë në arritjen e objektivave të OZHQ 6.
Nëse nuk keni mundur të regjistroheni për të marrë pjesë fizikisht, jeni të mirëpritur të ndiqni procedurat zyrtare të transmetuara drejtpërdrejt në UN WebTV. I gjithë informacioni duke përfshirë linqet e transmetimit në internet do të postohen në faqen e internetit të konferencës (https://sdgs.un.org/conferences/water2023)