Fuqizimi i qytetarëve përmes infrastrukturës: Projekti i Furnizimit me Ujë Rural IV në Shqipërinë Jug-Perëndimore
5 Prill, 2023
Fuqizimi i qytetarëve përmes infrastrukturës: Projekti i Furnizimit me Ujë Rural IV në Shqipërinë Jug-Perëndimore
Takimi i përbashkët ndërmjet përfaqësuesve të KfW, Bashkisë Himarë, Ujësjellës Kanalizime Himarë (UK Himarë) dhe konsulentëve institucionalë të RSWP IV të GFA dhe Valu Add Management Services, organizuar në Mars 2023 Foto nga UK Himarë
Projekti i Ujësjellësave Rural IV (RWSP IV) pritet të bëhet një nga investimet më të mëdha kapitale në sistemet e ujësjellës-kanalizimeve në Bashkinë Himarë dhe Njësinë Administrative Orikum, Bashkia Vlorë, Shqipëri. Projekti, i zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) me një kredi të butë nga Qeveria Federale Gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim – KfW, do të rehabilitojë dhe zgjerojë sistemet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, duke përfshirë trajtimin e ujërave të zeza në dy qytete dhe fshatrat e ndryshëm në dy bashki të Shqipërisë jugperëndimore – Himarë dhe Vlorë.
Nga Projekti RWSP IV përfitojnë direkt rreth 80,000 banorë dhe turistë nga viti 2025. Qyteti dhe fshatrat e Bashkisë Himarë që përfshihen në masat e investimeve të infrastrukturës RWSP IV ndodhen brenda një rrezeje prej rreth 14 km rreth qytetit të Himarës (në vijë ajrore).
Projekti zbatimi i të cilit ka nisur prej 2022 fokusohet në ndërtimin e një burimi të ri në Lepush dhe ndërtimin e një rrjeti transmetimi nga Lepusha në qytetin Himarë. Rrjeti i transmetimit do të shtrihet në Pilur, Kudhes, Himarë, Livadhi, Jalë, Himarë Fshat dhe Vuno. Ky projekt përfshin gjithashtu ndërtimin e depove të reja dhe rehabilitimin e rezervuarëve ekzistues, zgjerimin e sistemeve ekzistuese dhe ndërtimin e sistemeve të reja të shpërndarjes të furnizimit me ujë për Himarë, Livadhi, Jalë, Himarë Fshat, Vuno dhe Borsh, duke përfshirë një pus të ri në burimin e Borshit, ndërtimin e sistemeve të reja, stacionet e pompimit, dhe dy hidrocentrale të vogla (HEC). Projekti do të përfshijë gjithashtu rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemit të kanalizimeve në Himarë, ndërtimin e një impianti të trajtimit të ujërave të ndotura me kapacitet 16,000 PE dhe ndërtimin e një derdhjeje deti.
Gjatë punimeve për ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimeve në qytetin e Himarës. Foto nga UK Himarë
Gjithashtu, masat e furnizimit me ujë do të shtrihen edhe në Orikum, ku përfshihen një depo e re uji, si dhe rehabilitimin dhe zgjerimin e impiantit ekzistues të trajtimit të ujërave të ndotura, zgjerimin e sistemit ekzistues të ujërave të zeza , duke përfshirë edhe fshatrat përreth Radhimën, Jonufërin dhe Dukatin e Ri.
Ky investim i rëndësishëm u shoqërua me një vizitë në terren të zbatimit të projektit në Bashkinë Himarë nga nga ekipi I KfË për Zhvillimin Urban të qëndrueshëm, i udhëhequr nga z. Arne Goos, Drejtor i KFW për Infrastrukturën për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, dhe Znj. Carolin Katlun, Menaxhere Portofoli për Shqipërinë, gjatë Mars 2023. Ekipi u prit në një takim të përbashkët me Kryetarin e Bashkisë Himarë, Z. Jorgo Goro, Administratorin e Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Himarë, z. Andrea Goro dhe konsulentët institucionalë të RSWP IV të GFA dhe Valu Add Management Services. Tema kryesore e diskutimeve ishte fuqizimi njerëzor dhe i ekonomisë lokale, duke mbështetur turizmin e qëndrueshëm që do të sjellë për Himarën ky investim kapital.
Projekti RWSP IV është një investim i rëndësishëm në ujësjellës-kanalizimet e Bashkisë Himarë dhe Njësisë Administrative Orikum, nga i cili do të përfitojnë mijëra banorë dhe turistë. Suksesi i projektit do të sigurojë furnizim më të mirë dhe të sigurt me ujë të pijshëm si dhe trajtim të ujërave të zeza sipas standardeve evropiane, për të garantuar një cilësi më të mirë jete për njerëzit dhe kontribuar drejtëpërdrejtë në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit nëpërmjet një mjedisi më të sigurt dhe të shëndetshëm, si dhe mbrojtjes së zonës dhe ujërave bregdetare.
Projekti është një angazhim i qartë partneriteti i Qeverisë Shqiptare për përmirësimin e infrastrukturës në sektorin e ujit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj.
Linja e furnizimit me ujë në Borsh Foto nga UK HimarëPunimet e fazës 1, ndërtimi i impiantitit të ujërave të ndotura – qyteti Himarë Foto nga UK Himarë