SHUKALB mbështet Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime Shqiptare në festimin e Ditës Botërore të Ujit 2023
5 Prill, 2023
SHUKALB mbështet Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime Shqiptare në festimin e Ditës Botërore të Ujit 2023
Festimi i Ditës Botërore të Ujit në Korçë Foto nga Shoqëria Rajonale UK Korçë (UK Rajoni Korçë)
Çdo vit, Dita Botërore e Ujit nxjerr në pah një aspekt specifik të ujit dhe është një mundësi unike për të tërhequr vëmendjen dhe për të krijuar mundësinë për të nxitur qeverinë, shoqërinë civile dhe individët të ndërmarrin veprime.
Kjo Ditë Botërore e Ujit, 22 Mars, kishte të bënte me përshpejtimin e ndryshimeve për të zgjidhur krizën e ujit dhe kanalizimeve dhe për shkak se uji na prek të gjithëve, është e nevojshme që të gjithë të marrin masa.Të gjithë mund të bëjnë një ndryshim duke ndryshuar mënyrën se si e përdorim, konsumojmë dhe menaxhojmë ujin në jetën tonë.
Si tradicionalisht, SHUKALB mbështeti shoqëritë ujësjellës kanalizime në të gjithë Shqipërinë për të organizuar aktivitete publike ndërgjegjësuese dhe edukuese në qytetet e tyre. SHUKALB përgatiti dhe shpërndau video dhe postera të shkurtra me mesazhe informuese dhe ndërgjegjësuese mbi rëndësinë e kursimit të ujit, kuptimin e faturës së ujit, të cilat u përdorën më tej nga shoqëritë UK në organizimin e fushatës së tyre ndërgjegjësuese dixhitale përmes rrjeteve të tyre sociale.
Festimi i Ditës Botërore të Ujit në Shkodër. Foto nga Shoqëria UK Shkodër (UK Shkodër)
Gjithashtu, SHUKALB përgatiti dhe shpërndau fletëpalosje me mesazhe sensibilizuese, bluza, çanta lecke dhe karfica me logon e DBU dhe logon e shoqërive UK, të cilat u përdorën nga shoqëritë në organizimin e fushatës së tyre tradicionale ndërgjegjësuese në qytetet e tyre përkatëse.
Në qytetin e Korçës nxënës të shkollave fillore dhe të mesme zgjodhën të vizitonin Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotura. Stafi i Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Korçë (UK Rajoni Korçë) i informoi mbi operimin e impiantit, mënyrën e trajtimit biologjik të ujërave të ndotura me sistem ajrimi, procesin e tij teknologjik, si dhe përputhshmërinë e plotë të impiantit me standardet evropiane.
Në qytetin e Shkodrës, Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Shkodër (UK Shkodër), me mbështetjen e Bashkisë Shkodër, përgatiti një aktivitet publik në qendër të qytetit. Fokusi i aktivitetit ishte informimi i qytetarëve për shërbimet që ofron shoqëria, ndërgjegjësimi për kursimin e ujit të pijshëm si një aset jetik për njerëzimin, pse duhet të paguajmë faturën e ujit dhe çfarë paguajmë në faturën e ujit?. Një vend të veçantë patën edhe fëmijët, të cilët u kënaqen dhe u argëtuan gjatë gjithë aktivitetit të organizuar nga UK Shkodër.