Nis në të gjithë vendin aksioni kundër informalitetit në rrjetin e ujësjellësit
7 Korrik, 2023
Nis në të gjithë vendin aksioni kundër informalitetit në rrjetin e ujësjellësit
Aksioni kundër paligjshmërisë në rrjetin e ujësjellësit në rajonin e Beratit. Foto nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM)
Vitin e kaluar, bazuar në VKM nr. 302, datë 11.05.2022, filloi procesi i riorganizimit të shoqërive ujësjellës kanalizime me objektiva kryesore përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, përmirësimin e infrastrukturës, menaxhimin e përmirësuar të kërkesës për ujë dhe qëndrueshmërine financiare të shoqërive ujësjellës kanalizime. Vendimi nr. 302 parashikon agregimin e 58 shoqërive UK në 15 shoqëri rajonale UK.
Në kuadër të kësaj reforme, në qershor 2023, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM) dhe Shoqëritë Rajonale UK nisën një aksion kontrolli për zbatimin e ligjshmërisë në sektor, ku si problematika kryesore konstatohen:
Kontrata të parregullta dhe lidhje të paligjshme;
Mungesa e ujëmatësave të rregullt dhe të kolauduar
Faturimi jo i rregullt i konsumatorëve
Detyrime të prapambetura të paarkëtuara
Kontrolli i të dhënave të sistemeve të faturimit;
Aksioni synon Abonentët Privatë (fokusi kryesor) , Institucionet Shtetërore dhe Abonentët Familjarë. Objektivat themelore të këtij aksioni janë: ndërhyrja dhe ndërgjegjësimi i grupit të targetuar; evidentimi i punonjësve të shoqërive UK që rezultojnë debitorë dhe përmirësimi i proceseve dhe performancës së punonjësve. Me objektivin e fundit synohet të përmirësohet njëkohësisht përgjegjësia dhe performanca e punonjësve në çdo aspekt të punës së tyre.
Janë ngritur gjithsej 60 grupe pune në terren në të gjithë vendin, të cilët janë duke bashkëpunuar ngushtësisht me Policinë e Shtetit. Zonat në fokus të këtij aksioni janë zonat urbane dhe zonat turistike.
Aksioni kundër paligjshmërisë në rrjetin e ujësjellësit në rajonin e Lezhës. Foto nga AKUM
Objektivat specifike të këtij aksioni janë:
Kontrata të rregullta dhe lufta kundër lidhjeve të paligjshme;
Ujëmatësa brenda kushteve teknike;
Arkëtimi i detyrimeve të mëparshme ose lidhja e marrëveshjeve për pagesat me këste dhe arkëtimi i faturave koherente;
Kategorizimi i saktë i klientëve dhe përmirësimi i te dhenave te sistemeve të faturimit;
Evidentimi i gjendjes reale të matësave dhe zëvendësimi i tyre në rast të dëmtimit;
Marrëdhënie të mira dhe transparente me konsumatorët;
Ngritja e linjës së gjelbër dhe hapësirës në web për ankesa/denoncime nga komuniteti;
Marrja e masave ndaj punonjësve që nuk kryejnë me përgjegjësi detyrat funksionale
Deri më tani janë realizuar 7,889kontrolle; 81 denoncime për lidhje të paligjshme; 618 ndërprerje të shërbimit për klientët debitorë; janë lidhur 90 marrëveshje për pagesë me këste të detyrimeve dhe janë konstatuar 837 matësa jashtë kushteve teknike.
Të gjitha veprimet e kryera nga grupet e punës në të gjithë Shqipërinë raportohen pranë Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM). Aksioni do të zgjerojë target grupin duke kaluar edhe në kontrollin e ligjshmërisë së abonetëve familjarë.
Kontrata e performancës:
Për të siguruar një menaxhim dhe monitorim të mirë të sektorit, AKUM në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), kanë hartuar kontratat e performancës për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime. Kontratat e performancës përcaktojnë treguesit kryesorë dhe objektivat që duhet të arrihen nga shoqëritë në zbatimin e shërbimeve. Deri më tani, kontratat e performancës janë nënshkruar me administratorët e 12 shoqërive rajonale operative.
Aksioni kundër paligjshmërisë në rrjetin e ujësjellësit në rajonin e Gjirokastrës dhe Sarandës. Foto nga AKUM