Amortizimi i aseteve si kosto e justifikuar për tarifat e shërbimeve Ujësjellës Kanalizime
4 Dhjetor, 2023
Amortizimi i aseteve si kosto e justifikuar për tarifat e shërbimeve Ujësjellës Kanalizime
Ndriçim Shani, Kryetar i Entit Rregullator të Ujit (ERRU)
Reforma në sektorin UK synon përmirësimin e qëndrueshmërisë financiare të shoqërive UK, si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj konsumatorëve. Ndër arsyet kryesore te qëndrueshmërisë se dobët financiare të shoqërive UK mbetet tarifat që nuk arrijnë të mbulojnë kostot e O&M. Nga ana tjetër qëndron edhe rreziku që shoqëritë të aplikojnë pranë Entit Rregullator të Ujit (ERRU) tarifa të larta të pajustifikuara ndaj konsumatorëve.
Mbetet një nga prioritetet kryesore të ERRU-së që të realizojë një analizë të saktë e të thelluar të propozimeve të shoqërive UK për tarifa të reja në mënyrë që ato të mbështeten në kosto të justifikuara.
Realizimi i një analize për të nxjerrë në pah kostot vërtet të justifikuara të operimit të shoqërive është një proces i vështirë që kërkon një angazhim serioz dhe bashkëpunim të ngushtë të ERRU-së me shoqëritë UK. Për këtë kuadër ERRU ne përgjithësi kërkon informacione shtesë ndaj shoqërisë për të justifikuar kostot e propozuara.
Aktualisht ERRU e ka orientuar fokusin në zërat kryesore të kostove të O&M dhe atyre totale duke filluar me kostot e energjisë nëpërmjet vlerësimit të treguesit të eficencës së energjisë, me kostot e amortizimit, dhe më tej me kostot e punës.
Në metodologjinë aktuale të miratimit të tarifave përdoret metoda “Kosto Plus” dhe “Çmimit Tavan”, ku në këtë te fundit parashikohet përveç kostove të O&M të mbulohen edhe Kostot Totale bazuar në një Plan Biznesi 5 Vjeçar.
Kriteret bazë ku mbështetet metodologjia janë:
Mbulimi i Kostove të justifikuara të O&M (OPEX), ose Kostove Totale
Vlerësimi i Performancës së shoqërisë të arritjeve të Treguesve Kyç të Performancës.
Përballueshmëria e faturës së shërbimeve UK.
Mbrojtja e Mjedisit për ruajtjen e burimeve ujore nga mbi përdorimi.
Në lidhje me kostot e amortizimit është i njohur fenomeni negativ i vjetërimit ose amortizimit të aseteve të sistemeve të UK përtej jetëgjatësisë së dobishme të tyre për shkak të mos planifikimit nga shoqëritë UK të fondit për zëvendësimin e tyre. Vjetërimi përtej jetëgjatësisë së dobishme sjell premisa për përkeqësimin e treguesve të performancës së shoqërisë në përgjithësi, rritjen e Ujit Pa të Ardhura në veçanti (humbjet), si dhe rrit rrezikun e cenimit të sigurinë së shëndetit publik.
Për rastin kur shoqëritë UK synojnë mbulimin e Kostove Totale nevojitet një analizë e thelluar e Kostove të Amortizimit që është objekti kryesor i këtij artikulli.
Procesi i reformës synon që së shpejti mjaft nga shoqëritë e rajonalizuara arrijnë të mbulojnë me tarifat e propozuara mbi 100% kostot e O&M duke mbuluar tërësisht ose pjesërisht edhe Kostot Totale.
Kostot e amortizimit të aseteve të trupëzuara në regjistrat e inventarit të aseteve të shoqërisë duhet të mbulojnë investimet për zëvendësimin e aseteve të vjetëruar (veçanërisht të tubacioneve), dhe duhet të jenë pjesë përbërëse e kostove totale të tarifave të reja të propozuara pranë ERRU-së. Në fakt kostot totale përmbajnë edhe amortizimin e aseteve të projekteve ose investimeve në proces zbatimi, si dhe ato të parashikuara që të planifikuara të fillojnë brenda periudhës 5 vjeçare të Planit të Biznesit.
Planifikimi i tyre duhet të mbështetet nga Plani i Menaxhimit të Aseteve (PMA), si dhe nga një inventar i saktë i tyre bazuar në vjetërsinë (kohën e blerjes apo ndërtimit) duke përdorur normat amortizimit të aprovuara nga ERRU në metodologjinë aktuale të miratimit të tarifave.
PMA është një plan taktik për menaxhimin e infrastrukturës dhe të aseteve të tjera për të ofruar një standart shërbimi të caktuar dhe është i nevojshëm për raportimin financiar, mirëmbajtjen dhe zëvendësimin e aseteve.
PMA ka si bazë inventarin e aseteve me programe kompjuterike. Në përgjithësi inventari realizohet me anë të GIS ku të dhënat regjistrohen, menaxhohen dhe analizohen në mënyrë gjeografike në terren të lidhura edhe me tabelat përkatëse të të dhënave për objektet, si përmasa, materiali, koha e instalimit, vlera, etj.
PMA mundëson një planifikim e financim racional të zëvendësimit të aseteve në të ardhmen, si dhe një operim më efikas të shoqërisë mbi tarifa të bazuara mbi informacion të saktë të O&M.
Në metodologjinë aktuale të miratimit të tarifave, në rastin e mbulimit të kostove totale llogaritja bëhet duke përdorur metodën e “Çmimit Tavan” bazuar në një Plan Biznesi 5 Vjeçar.
Tarifat llogariten bazuar në të ardhurat e nevojshme (AN) sipas formulës:
AN = OPEX + CAPEX + RAB * WACC
Në kostot OPEX ose të O&M (të pranuara) përfshihen kryesisht ato të materialeve, kimikateve, energjisë elektrike, karburantet, shërbime me të tretet, taksat, pagat, sigurimet shoqërorë, si dhe kosto të tjera, ndërsa në kostot CAPEX ose Kapitale (të pranuara) amortizimi i aseteve llogaritur me jetëgjatesinë e dobishme të aseteve të trupëzuara (të inventarizuara), të atyre në proces dhe të planifikuara në të ardhmen (të painventarizuara) brenda periudhës 5 Vjeçare të Planit te Biznesit, përfshirë dhe pagesat e principalit të huave për investime.
Kostot RAB x WACC përbëjnë kostot e një fitimi të arsyeshëm ose të Kthimit në Kapitale për nevoja eventuale të investimeve të paparashikuara kapitale të shoqërisë gjatë aktivitetit 5 vjeçar në vazhdim.
Bazuar në të dhëna financiare të raportuara nga shoqëritë për vitin 2021 dhe 2022 rezulton se mjaft shoqëri pretendojnë se kanë kosto mjaft të larta amortizimi që arrijnë në vlera deri mbi 50% të Kostove Totale, siç shihet në Tabelën 1.
Tabela 1 – Kostot e Amortizimit për Vitin 2021 dhe 2022
Nga tabela e mësipërme konstatohet që Kostot e Amortizimit në vlera të konsiderueshme influencojnë në mënyrë të dukshme në tarifat e shërbimeve të UK. Reduktimi i tyre në përqindje në vitin 2022 ka ardhur për shkak të rritjes me gati dyfish të çmimit të energjisë elektrike.
Llogaritja e kostove të amortizimit të aseteve të trupëzuara bëhet duke patur parasysh Normat e Amortizimit të Aseteve (jetëgjatësisë së dobishme), të aprovuara në fund të vitit 2022 nga ERRU në metodologjinë e re të tarifave. Ato janë korrigjuar në përshtatje me realitetin dhe eksperiencën ndërkombëtare, siç tregohet në Tabelën 2.
Tabela 2 – Normat e Amortizimit të Aseteve Materiale të Sistemeve të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve të Ujit të Ndour (Eksperienca Ndërkombëtare viti 2022).
Referuar fakteve të mësipërme, ERRU gjatë procesit të analizës së propozimeve për tarifa të reja nga shoqëritë UK, në mbrojtje të interesave të konsumatorit merr në konsideratë vetëm kostot e justifikuara për amortizimin.
Gjatë këtij procesi në lidhje me kostot e amortizimit të raportuara nga shoqëritë, verifikohet :
A ka dhe janë respektuar prioritetet e zëvendësimit të aseteve bazuar në Planin e Menaxhimit të Aseteve që duhet të posedojë shoqëria UK?
A janë planifikuar (llogaritur) saktë, pra bazuar në vlerat e inventarit të aseteve në regjistra dhe në normat vjetore të aprovuara të amortizimit, apo vazhdohet me praktikën e llogaritjes së tyre me normat e jetëgjatësisë së mëparshme ?
A janë përdorur në të kaluarën fondet e amortizimit në destinacionin e duhur, p.sh. për zëvendësimin e aseteve ?
Nga ana tjetër, ERRU e sheh të arsyeshme që në rastin kur mungon PMA, në llogaritjen e kostove të justifikuara në aplikim ERRU merr në konsideratë vetëm pjesërisht fondin e amortizimit të aseteve, si dhenë aplikimin e radhës për tarifa të reja do të marrë në konsideratë vetëm pjesën e kostove të amortizimit që vërtetohet me dokumente që janë përdorur për këtë qëllim.
Konsideratat e mësipërme duhen mbajtur parasysh gjatë hartimit të propozimeve për tarifa të reja pranë ERRU-së, si dhe detyrimit që shoqëritë UK duhet të krijojnë, mbajnë dhe raportojnë të dhëna gjithnjë e me të sakta e të verifikueshme.
Siç u theksua më sipër, ERRU në të ardhmen do të thellojë akoma më në detaje analizën për të gjithë elementet e veçanta të kostove të O&M, ku si hap i mëtejshëm presupozohet për të përmirësuar analizën e kostove të justifikuara të jenë në veçanti të Kostove të Punës, si dhe për Kostot e CAPEX në lidhje me eficencën e investimeve të zbatuara.
Përmbledhje dhe Konkluzione
ERRU ka si funksion kryesor të saj mbrojtjen e interesave të konsumatorëve, krahas nxitjes për rritjen e qëndrueshmërisë financiare të shoqërive UK. Përgjegjësia kryesore për miratimin e tarifave shprehet në realizimin e një procesi analize mjaft serioze dhe i thelluar në kostot e O&M të justifikuara për tarifat e aprovuara për konsumatorët.
Një aspekt mjaft i rëndësishëm i këtij procesi është analiza e kostove të amortizimit që përbejnë një komponent të rëndësishëm të kostove totale. ERRU e konsideron mjaft të rëndësishëm procesin e vlerësimit të kostove të justifikuara, apo të pranuara, jo thjeshtë si një ushtrim akademik, por me rëndësi të veçantë për transparencën dhe besueshmërinë ndaj publikut. Përfshirja në metodën e “Çmimit Tavan” dhe e detyrimit për shoqëritë që të hartojnë një Plan Biznesi 5 Vjeçar, ERRU garanton që tarifat janë bazuar në një realitet operimi të besueshëm sesa në shifra të dyshimta të të dhënave nga shoqëritë.
Për më tepër, përfshirja e PMA si një instrument planifikimi për amortizimin tregon për një qasje të përparuar, pjesë e metodologjisë së re të përshtatur së fundmi. PMA nuk përfaqëson thjeshtë një inventar asetesh, por një instrument thelbësor planifikimi për strukturën e investimeve në të ardhmen dhe operimin me efikasitet të tyre. Menaxhimi siç duhet i aseteve siguron jo vetëm qëndrueshmërinë financiare të shoqërisë, por garanton edhe cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve ndaj konsumatorëve.
ERRU duke pikësynuar analiza të thelluara jo vetëm për kostot e amortizimit, por edhe të kostove të punës dhe efikasitetin e investimeve, thekson forcimin e rolit të saj shumë funksional në procesin e miratimit të tarifave. Në këtë kuptim ERRU si rregullator shërben si gur themeli për një sektor UK solid dhe të qëndrueshëm financiarisht.
Përshtatja e një përqasje të kujdesshme dhe sistematike nga ERRU nuk është vetëm një shembull i mirë administrimi, por edhe imperative për një qëndrueshmëri dhe integritet afat gjatë të shërbimeve të Ujësjellës Kanalizimeve në vendin tonë.
Shënim: Autori i këtij artikulli është Ndriçim Shani, Kryetar i Entit Rregullator të Ujit (ERRU)