SHUKALB merr pjesë në Forumin e 3-të Evropian mbi çështjet Rregullatore të Shërbimeve të Ujit
28 Dhjetor, 2023
SHUKALB merr pjesë në Forumin e 3-të Evropian mbi çështjet Rregullatore të Shërbimeve të Ujit
Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive e SHUKALB, gjatë prezantimit të saj në EFRWS23 Foto nga WAREG (YouTube channel)
Forumi i 3-të Evropian mbi çështjet Rregullatore të Shërbimeve të Ujit (EFRWS23) u organizua më 6 dhjetor 2023, në Bruksel, Belgjikë nga Shoqata Evropiane e Rregullatorëve të Ujit (WAREG). EFRWS23 mbi çështjet Rregullatore të Shërbimeve të Ujit u fokusua në legjislacionin evropian në zhvillim për të arritur objektivat e marrëveshjes së gjelbër të BE-së. Implikimet ekonomike dhe sociale në sektorin e ujit, neutraliteti i klimës dhe qëndrueshmëria ndaj ujit kanë qenë në qendër të diskutimit me Rregullatorët Evropianë të Ujit, institucionet e BE-së dhe palët e interesit.
SHUKALB u përfaqësua në forum nga Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive, e cila ishte ftuar si folëse në Panelin 3: Drejt qëndrueshmërisë ndaj ujit në BE dhe vendet fqinje. Znj. Poçi prezantoi një pasqyrë të situatës në sektorin e ujit në Shqipëri, statusin e reformës së re të agregimit të shoqërive ujësjellës kanalizime si dhe disa nga çështjet urgjente të sektorit të ujit, si uji pa të ardhura, efiçenca e energjisë, menaxhimi i ujërave të ndotura dhe llumit. Gjithashtu, ajo prezantoi përpjekjet dhe rolin kyç të SHUKALB në aftësimin e njerëzve që punojnë në këtë sektor, përmes programeve të zhvillimit të kapaciteteve dhe kurseve të trajnimit, si dhe angazhimit në disa nisma dhe bashkëpunime rajonale.
Programi i EFRWS23 përfshinte dy panele të tjera diskutimi: Paneli 1: Direktiva e re e BE-së për ujërat e ndotura: Ndikimet mbi klientët dhe industrinë; dhe Paneli 2: Vizioni i BE-së për Neutralitetin Klimatik dhe Lidhja Uji-Energji.
Gjithashtu, në EFRWS23 mori pjesë edhe një delegacion nga Enti Rregullator i Ujit të Shqipërisë (ERRU). Z. Ndriçim Shani, Kryetar i ERRU është Zëvendës President i WAREG.