Bashkohuni me ne për të festuar Ditën Botërore të Ujit!
6 Mars, 2024
Bashkohuni me ne për të festuar Ditën Botërore të Ujit!
Dita Botërore e Ujit (DBU) është një Program i Kombeve të Bashkuara, që festohet çdo vit më 22 mars, ka për qëllim ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e ujërave të ëmbla dhe advokimin për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve të ujërave të ëmbla. Çdo vit, Dita Botërore e Ujit nxjerr në pah një aspekt të veçantë të ujit, dhe tema e zgjedhur nga OKB-ja për këtë vit është “Uji për Paqen”.
Uji mund të krijojë paqe ose të ndezë konflikte. Kur uji është i pakët ose i ndotur, ose kur njerëzit janë të pabarabartë, ose nuk kanë akses, tensionet mund të rriten midis komuniteteve dhe vendeve.
Më shumë se 3 miliardë njerëz në mbarë botën varen nga uji që kalon kufijtë midis vendeve. Megjithatë, vetëm 24 vende kanë marrëveshje bashkëpunimi për të gjithë ujin e tyre të përbashkët.
Ndërsa ndikimet e ndryshimeve klimatike rriten dhe popullsia rritet, ekziston një nevojë urgjente, brenda dhe ndërmjet vendeve, për t’u bashkuar rreth mbrojtjes dhe ruajtjes së burimit tonë më të çmuar.
Shëndeti dhe mirëqenia publik, sistemet e ushqimit dhe energjisë, produktiviteti ekonomik dhe integriteti mjedisor të gjitha mbështeten në një cikël uji që funksionon mirë dhe menaxhohet në mënyrë të barabartë.
Festimi i Ditës Botërore të Ujit 2023 në Korçë.
Si tradicionalisht në Ditën Botërore të Ujit, SHUKALB mbështet shoqëritë ujësjellës kanalizime në të gjithë Shqipërinë në organizimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe informuese publike në qytetet e tyre. Edhe këtë vit, SHUKALB ka përgatitur një fushatë digjitale dhe një fushatë tradicionale ndërgjegjësimi duke përfshirë materiale si fletëpalosje me mesazhe sensibilizuese, bluza me logon e DBU dhe logon e shoqërive UK, çanta lecke me të dyja logot dhe spila me logon e DBU.
Të gjitha shoqëritë ujësjellës kanalizime që do të dëshironin të organizonin evente ndërgjegjësuese dhe informuese mbi DBU-në, janë të mirëpritur të kontaktojnë SHUKALB përmes adresës së e-mailit program@shukalb.al.
Dhe mos harroni të na dërgoni fotografi nga eventi juaj. Ne do t’i ndajmë këto foto sëbashku me një përshkrim të shkurtër të eventit tuaj në rrjetet tona të mediave sociale, si dhe në buletinin elektronik Burimi të ardhshëm. Le të bëhemi gati për të festuar së bashku!