Bisedë me Çelestina Dajlani, Inxhiniere pranë Shoqërisë UK Rajoni Gjirokastër
29 Mars, 2024
Bisedë me Çelestina Dajlani, Inxhiniere pranë Shoqërise UK Rajoni Gjirokastër
Në këtë botim të Burimit, kemi kënaqësinë të publikojmë intervistën që zhvilluam me znj. Celestina Dajlani, Inxhiniere pranë Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Rajoni Gjirokastër.
Përshëndetje Çelestina. Ju lutem na flisni pak për veten!
Përshëndetje të gjithëve , unë jam Çelestina Dajlani. Jam lindur e rritur në qytetin e bukur të Gjirokastrës dhe jam fëmija i parë i dy prindërve të mrekullueshëm të cilëve ju është dashur të sakrifikojnë dhe të punojnë shumë për ne. Kam studiuar dhe jam diplomuar në inxhinieri Hidroteknike, Master Shkencor pranë Universitetit Politeknik të Tiranës në vitin 2013, dhe jam shumë e emocionuar që kam privilegjin të ndaj me të gjithë miqtë e SHUKALB experiencën time në sektorin e ujit.
Si nisi rrugëtimi yt në UK Gjirokastër?
Rrugëtimi im në shoqërinë ujësjellës kanalizime Gjirokastër është i lidhur ngushtë me SHUKALB. Si studente e Hidroteknikës në vitin 2012, kam marrë pjesë në një program praktike studentore, i cili u zhvillua në nivel lokal për studentë të ekselencës. Megjithëse e shkurtër, kjo përvojë ishte jashtëzakonisht e vlefshme, duke ofruar njohuri mbi gëzimet dhe sfidat e punës në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve.
Cilat ishin vështirësitë e fillimit si një inxhinere e re dhe femër?
Inxhinieria hidroteknike është një degë e mrekullueshme, sepse ka një spektër jashtëzakonisht të gjerë, një inxhinier hidroteknik është i mbushur me njohuri për operimin, mirëmbajtjen, projektimin dhe zbatimin e veprave hidroteknike si furnizimi me ujë, kanalizimet, impiantet e trajtimit të ujit të ndotur urban, hidrocentralet, veprat e ujitjes dhe të kullimit, mbrojtjen bregdetare, mbrojtjen lumore, mbrojtjen portuale.
Unë pata fatin të punësohem në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve , një ofertë pune krejt rastësore por e cila ndryshoi totalisht rrjedhën e jetës time. Në ujësjellësin e Gjirokastrës kam gjetur bashkëpunëtorë dhe kolegë të mrekullueshëm të cilët mi lehtësuan shume vështirësitë dhe sfidat e fillimit si një inxhiniere e re në këtë sektor. Isha një risi për ujësjellësin pasi deri në atë moment të vetmit që kishin dhënë kontributin e tyre ishin meshkujt.
Mbaj mend kur kam qënë studente shumica dominohej nga meshkujt dhe ishin shumë të pakta vajzat. Sot kemi shumë vajza inxhiniere dhe unë jam shumë krenare për këtë fakt, por duhet thënë që njëkohësisht është edhe një ndihmë që u jepet meshkujve, të cilët në një moment të caktuar të kohës së tyre nuk kanë mundësi të bëjnë atë që bëjnë vajzat në këtë sektor.
Për të thënë të vërtetën situata e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në qytetin e Gjirokastrës nuk ka qënë kjo që kemi sot. Mbaj mend ditën e parë që kam hyrë në zyrë më është thënë që kemi të instaluar vetëm 40 matësa uji, pra nuk bëhej fjalë fare për tregues performance apo nivel të matjes. Kemi pasur nje rrjet tejet të amortizuar me një nivel uji pa të ardhura 80%, nga i cili qyteti furnizohej me ujë vetëm 3-4 orë/ditë. Ndërkohë sot që flasim panorama është krejt tjetër, me furnizim me ujë pa ndërprerje 24h, pasi qyteti i Gjirokastrës ishte pjesë e programit të Infrastruktures Bashkiake I&II, III&IV në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe bankën Gjermane për zhvillim KfW, për përmirësimin e rrjetit të furnizimit me ujë.
Cilat janë aspektet që ju pelqejnë ne profesionin tuaj dhe çfarë ju frymëzon në punën tuaj?
Çelestina gjatë eventit edukues me nxënës te shkollave fillore me rastin e Ditës Botërore të Ujit, 22 mars 2024
Gjetja e një profesioni që të pëlqen është e rëndësishme për secilin prej nesh, pasi secili nga ne pjesën më të madhe të kohës ja dedikon punës së tij, megjithëse puna në fund të fundit është një mënyrë për të fituar para, për mua është më tepër se kaq.
Profesioni qe kam zgjedhur dhe puna që bëj më bëjnë të ndihem e plotësuar dhe e sfiduar, fakti që pothuaj prej 10 vitesh jap kontributin tim në shoqëri më bën të ndihem krenare për çfarë kemi arritur deri tani, dhe jam shumë kërkuese ndaj vetes për të gjitha sfidat që kemi përpara.
Sfidat më të mëdha që keni aktualisht?
Mbështetur në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 302, datë 11.05.2022 “Politikat Kombëtare për riorganizimin e sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit, trajtimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura” shoqëritë u reformuan nga 58 sh.a në 15 sh.a rajonale . Duke qene se Rajoni Gjirokastër ka shtatë njësi në përbërje, sigurisht sfidat dhe problematikat janë të shumta për të arritur qëllimin t’i ofrosh konsumatorit shërbim cilësor dhe në kohë sa më të shpejtë.
Jemi duke punuar fort për të arritur objektivat e vendosura, dhe njëkohësisht po punojmë për të përmirësuar rrjetet e furnizimit me ujë në të gjithë zonën e shërbimit .
Na përshkruaj një ditë të punës tuaj?
Gjatë një dite pune në terren.
Si fillim dua të theksoj që çdo mëngjes zgjohem e motivuar për të shkuar në zyrë , sepse puna që bëj më fal shumë kënaqësi. Gjëja e parë që bëj në mëngjes është një kontroll i shkurtër i realizimit të objektivave të një dite më parë , si dhe një takim të shkurtër me kolegët e zyrës ku bisedojmë dhe vlerësojmë problematikat dhe sfidat e ditës. Më pas bëj një listë të detyrave dhe objektivave ditore. Më pëlqen që gjithmonë të vendos prioritete të qarta për atë ditë.
Sigurisht, jo çdo ditë puna nis në zyrë sepse ashtu siç pritet në një shoqëri rajonale ujësjellës kanalizime puna është dinamike dhe asnjë ditë nuk ngjan me tjetrën. Ndodh që dita mund të nisë shumë herët dhe të përfundojë shume vonë për shkak te dinamikave dhe problematikave që hasim në terren. Pra me pak fjalë çdo ditë është ndryshe dhe nuk na lejon të mërzitemi! Shumë e kënaqshme.
Vitin e kaluar ju u përzgjodhët si një nga të paktët inxhinierë nga Shqipëria për të ndjekur akademinë e 14-të verore të Administratës së Mjedisit Bavarez. Mund të na tregoni pak për përvojën tuaj atje?
Çelestina Dajlani ( e 5-ta nga e djathta) sëbashku me të rinj të tjerë pjesëmarrës në Akademinë e 14-të Verore, ne Hoff, Bavari, Gjemani, korrik 2023
Reflektimi mbi përvojën time në Akademinë e 14-të Verore të Administratës së Mjedisit Bavarez më mbush me mirënjohje dhe një ndjenjë qëllimi. Qoftë rastësia apo fati që çoi në përzgjedhjen time midis aplikantëve të shumtë, jam jashtëzakonisht me fat që kam qenë pjesë e këtij eventi transformues në Hof, Gjermani.
Takimi me profesionistë të rinj dhe entuziastë të ujit nga Kosova, Maqedonia, Ukraina dhe më gjerë ishte një moment kryesor i akademisë. Së bashku, shkëmbyem përvoja dhe patëm privilegjin të vizitonim vepra dhe fabrika të ndryshme, duke na ekspozuar ndaj praktikave të pa realizuara ende në Shqipëri. Ky ekspozim la një ndikim të thellë tek unë, duke riformuar këndvështrimin tim mbi realitetet me të cilat përballemi si profesionistë të rinj.
Bavaria ofroi një mjedis unik që nënvizonte rëndësinë e ndryshimit në nxitjen e progresit. Ndërsa Gjermania krenohet me një furnizim të pandërprerë me ujë, është për të ardhur keq të pranosh që ende dhe sot ka konsumator në rajonin e Gjirokastrës që furnizohen me ndërprerje. Kjo shërben si një kujtesë për mua, për rolin kritik që mund të luajnë profesionistët e rinj në formësimin e së ardhmes së sektorit të ujit.
Çfarë mesazhi keni për të rinjtë që po mendojnë për një karrierë në sektorin e ujit?
Ne kemi një vend të pasur me burime ujore , me vepra të shumta hidroteknike, kështu që domosdoshmërisht na duhen sa më shumë inxhiniera të rinj dhe të reja të cilët duhet të japin kontributin e tyre në sektor.
Të rinjve dua t’u them vetëm që “Rimendojeni të ardhmen Tuaj” sepse e ardhmja e Shqipërisë është Uji.