Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve prezanton skemën e re të subvencionimit për kategoritë në nevojë
5 Qershor, 2024
Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve prezanton skemën e re të subvencionimit për kategoritë në nevojë
Klevis Jahaj, Drejtor i Përgjithshëm, AKUK (majtas) dhe Sameh Wahba, Drejtor Rajonal për Zhvillimin e Qendrueshëmnë Europë dhe Azinë Qendrore, Banka Botërore, gjatë tryezës së përbashkët për prezantimin e skemës së re të subvencionimit Foto nga AKUK
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është duke punuar për përmirësimin dhe përditësimin e politikave dhe kuadrit rregullator për rritjen e aksesit në furnizimin me ujë dhe mbështetjen e kategorive në nevojë përmes subvencionit. Kjo përpjekje e Qeverisë Shqiptare po mbështetet edhe nga Banka Botërore përmes Programit të Modernizimit të Sektorit të Ujësjellës-Kanalizimeve, dhe që po zbatohet nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK).
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar Udhëzimin Nr. 2, datë 26.3.2024 “Për miratimin e metodologjisë, për kriteret dhe procedurat, për shpërndarjen dhe përdorimin e subvencioneve shtetërore, për ofruesit e shërbimeve në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, për vitin buxhetor 2024”.
Për prezantimin e kësaj skeme të re të subvencionimit si dhe për të ndarë politikat e reja në lidhje me investimet në sektorin ujësjellës kanalizime (UK), në datë 16 maj 2024, AKUK organizoi një tryezë të përbashkët me përfaqësues të shoqërive UK, Enti Rregullator i Ujit, Banka Botërore, SECO, SHUKALB dhe aktorë të tjerë të sektorit UK.
Udhëzimi Nr. 2, datë 26.3.2024 parashikon që kategoritë në nevojë do të kompensohen në masën 100% për vlerën e faturuar deri në sasinë 5 m³/muaj ujë të pijshëm për kontratë, për të përmbushur nivelin minimal jetik. Për këto kategori do të subvencionohet edhe tarifa fikse, tarifa e kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotur urban. Subvencioni do të shpërndahet nga AKUK në masën e planifikuar në ligjin vjetor të buxhetit.
Shoqëritë ujësjellës kanalizime (rajonale ose jo) e përdorin fondin për të akorduar çdo muaj, përmes një zbritjeje 100% në shërbimin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve të kategorive në nevojë deri në masën 5 m³/muaj. Pjesa e mbetur e fondit të subvencionit, nëse do të jetë rasti, do të përdoret nga shoqëritë UK për mbulimin e kostos së energjisë elektrike, me kusht që shoqëritë të kenë mbi 75% të volumit të prodhimit të ujit me ngritje mekanike.
Udhëzimin e plotë mund ta shkarkoni përmes linkut mëposhtë: