Menaxhimi i Qëndrueshëm i Burimeve Ujore dhe Roli i Rregullatorit të Sektorit të UK
5 Qershor, 2024
Menaxhimi i Qëndrueshëm i Burimeve Ujore dhe Roli i Rregullatorit të Sektorit të UK
Një artikull nga Ndriçim Shani, Kryetar i Entit Rregullator të Ujit (ERRU)
Ndriçim Shani, Kryetar i Entit Rregullator të Ujit (ERRU)
Planeti jonë është një sistem me një cikël i mbyllur i qarkullimit të ujit në natyrë. Burimet ujore pjesë e këtij cikli përbëjnë sot pasurinë e pazëvendësueshme jetike për aktivitetin jetësor të njerëzimit, ku pjesa e këtyre rezervave me cilësinë e ujit të pijshëm përbën rreth 0.3 % të rezervave totale të ujit në planet, dhe kjo jo e gjitha e arritshme për tu shfrytëzuar. Rezervat e ujit në dete e oqeane mbulojnë 70% të sipërfaqes së globit, por kjo rezervë praktikisht është pak e shfrytëzueshme për ujë për popullsinë dhe industrinë për shkak të kostove të prodhimit jashtëzakonisht të larta, si dhe distancat mjaft të mëdha për transportimin e tyre deri tek konsumatori.
Ka tashmë disa dekada që ka dalë në pah problematika e nevojës urgjente të menaxhimit racional të këtyre burimeve për shkak të faktorëve negative në disfavor të tyre, nga njëra anë nga rritja e vazhdueshme e kërkesës për ujë nga popullsia dhe industria, kompromentimi i cilësisë së tyre nga aktiviteti i ligjshëm dhe i paligjshëm i ujërave të përdorura që shkakton ndotjen e tyre, dhe së fundi edhe influenca negative e ndryshimeve klimatike (përmbytje/thatësira).
Politikat e menaxhimit racional të ujit janë të lidhura ngushtësisht me Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore, ku përveç plotësimit të nevojave për pirje parashikohen edhe kërkesat e përdoruesve të tjerë të ujit për nevoja të bujqësisë, peshkimit, me argëtimet në fushën e ujit etj.
Në vendin tonë është aprovuar së fundmi ligji i Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore ku sanksionohet qartësisht në detaje i gjithë kuadri ligjor që garanton politikat dhe elementet detyruese ekzekutive në respektim të parimeve të menaxhimit të pasurisë ujore në vendin tonë dhe në përputhje me legjislacionin Bashkimit Europian, si një nga kushtet e “acquis communautaire” që duhet të përmbushi vendi ynë.
Parimet bazë të këtij ligji për një menaxhim të qëndrueshëm të burimeve ujore, ku futen dhe shërbimet e UK, janë:
Parimi i Rikuperimit të Kostos, dhe
Parimi Ndotësi Paguan.
Dy parimeve bazë mund ti bashkëngjiten edhe parime të tjera ndihmëse, por jo më pak të rëndësishme, si Efiçenca Ekonomike, Mbrojtja e Mjedisit dhe Barazia Sociale.
Legjislacioni i BE për ujërat thekson se kostot e shërbimeve UK në përdorimin e burimeve ujore (Agjencia Evropiane e Mjedisit, 2013) në zbatim të parimin të Rikuperimit të Kostove duhet të paguhen nga konsumatorët me anë të tarifave përkatëse që është sanksionuar në Direktivën Kuadër të Ujit (WFD, Direktiva 2000/60/EC), ku Neni 9 i saj kërkon në mënyrë specifike që shtetet anëtare të marrin parasysh parimin e rikuperimit të kostove të shërbimeve të ujit, duke përfshirë kostot mjedisore dhe të burimeve (Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE, 2000).
Zbatimi i këtyre parimeve në Sektorin e UK në Shqipëri
Shoqëritë UK në respektim të dy parimeve të mësipërme të menaxhimit të integruar të burimeve ujore duhet që në tarifat e shërbimeve të ujësjellës kanalizimeve të përfshijnë gjithashtu edhe kostot e përdorimit të burimeve ujore, si dhe ato që shërbejnë për të eliminuar ndotjen e ambientit.
Në vendin tonë, sektori i UK vazhdon të mbetet i paqëndrueshëm financiarisht. Shoqëritë UK në mbulimin e kostove të operimit dhe mirëmbajtjes (O&M) së tyre mbështeten në subvencionet e dhëna nga qeveria qendrore. Para fillimit të reformës deri në vitin 2022 sektori ka qenë i fragmentarizuar me 58 shoqëri UK, ku vetëm 12 prej tyre arrinin të mbulonin kostot e O&M. Në këtë gjendje ka qenë e vështirë të pretendohej zbatimi i parimit të Rikuperimit të Kostove nga të 58 shoqëritë UK që operonin në sektor.
Aktualisht sektori është pothuajse i agreguar në 15 Shoqëri Rajonale me aksioner kryesor shtetin. Ekonomia e shkallës pritet të sjellë një përmirësim të qëndrueshmërisë financiare të tyre duke krijuar kushtet për respektimin në tërësi të parimeve të mësipërme.
Enti Rregullator i Ujit është një institucion bazë që nëpërmjet shoqërive UK luan një rol mjaft të rëndësishëm në respektimin e parimeve të mësipërme në sektor me anë të instrumenteve ligjore që ka në dispozicion, ku metodologjia për Miratimin e Tarifave edhe dokumenti bazë që i referohet.
Kriteret bazë ku mbështetet kjo metodologji janë:
Kostot e justifikuara të O&M ose të Kostove Totale
Vlerësimi i Performancës së shoqërisë të arritjeve nëpërmjet TKPs
Përballueshmëria e faturës së shërbimeve UK
Mbrojtja e Mjedisit për ruajtjen e burimeve ujore nga mbi përdorimi.
Nga sa më sipër shihet që metodologjia e miratimit të tarifave nuk parashikon në formë detyruese për shoqëritë UK mbulimin me tarifa të Kostove të O&M dhe ato Totale, por ERRU gjatë zbatimit të katër kritereve të mësipërme luan një rol aktiv në përmirësimin e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore dhe të Rikuperimit të Kostove që lidhen me të, në secilin prej tyre, si më poshtë:
1. Kostot e justifikuara të O&M ose të Kostove Totale
ERRU në metodologjinë e saj, në nenin 10, pika k, ka specifikuar kushtin taksativ që kur shoqëritë UK aplikojnë për tarifa të reja shërbimesh të paraqesin Lejen e Përdorimit të Ujit nga Zyra e Administrimit të Basenit për sasinë e ujit që prodhojnë nga baseni si dhe të demonstrojnë që i kane shlyer të gjitha detyrimet financiare të përdorimit të ujit që përmban kjo leje. Këto kosto të përdorimit të ujit duhet të jenë të reflektuara detyrimisht si pjesë e kostove në bilancet financiare të certifikuara të shoqërive UK, si kosto të pranuara nga ERRU që përfshihen në kostot e tarifave përfundimtare të miratuara nga kjo e fundit.
2. Vlerësimi i Performancës së shoqërisë të arritjeve nëpërmjet TKPs
ERRU në raportet vjetore të bilancit të ujit dhe gjatë analizës së propozimeve për tarifa të reja nga shoqëritë UK, i kushton një rëndësi të veçantë treguesit të Ujit Pa të Ardhura (UPA), që në fakt është treguesi që lidhet direkt me problemet e menaxhimit racional të burimeve ujore, si edhe të qëndrueshmërisë financiare të shoqërive.
Aktualisht ky tregues që shpreh në përqindje sasinë e ujit që humbet (nuk i faturohet klientëve) ndaj sasisë së ujit që prodhohet, për sektorin UK është në vlerën mesatare prej 65%, pra që konsiderohet një vlerë mjaft e lartë dhe e papranueshme.
ERRU bën vlerësimin e kujdesshëm të këtij treguesi në vitin bazë dhe më tej vendos objektiva mjaft agresive për shoqërinë për përmirësimin e këtij treguesi në të ardhmen, duke kontribuar kështu në drejtim të një menaxhimi me racional të burimeve ujore nga shoqëritë UK.
3. Përballueshmëria e faturës së shërbimeve UK.
AMBU i ka të mirënjohura kostot financiare të nevojshme për funksionimin e institucioneve të baseneve të nevojshme për të përmbushur detyrat që u ngarkon ligji, si dhe mangësitë me të cilat ato përballen. Nëse bëhet një analizë për të ardhurat që Zyrat e Administrimit të Baseneve (ZAB) që mund të realizojnë nga tarifat aktuale e përdorimit të ujit nga shoqëritë UK, referuar të dhënave të vitit 2023 rezulton:
Në rang vendi për plotësimin e kërkesës për ujë nga shoqëritë e UK prodhohen rreth 312 milion m3 ujë në vit, nga të cilat 76 milion m3 i përkasin burimeve sipërfaqësore (rezervuare) dhe 236 milion m3 nga burime nëntokësore.
VKM nr. 993, dt. 9.12.2020 përcakton tarifat e përdorimit të ujit për shoqëritë UK, përkatësisht me 0,05 lek/m3 për ujërat sipërfaqësore dhe 0,08 lek/m3 për ujërat nëntokësore.
Referuar prodhimit vjetor të mësipërm, ZAB-ve nga i gjithë sektori UK duhet të mbledhin të ardhura nga Lejet e Përdorimit të Ujit nga shoqëritë UK në total 22,7 milion lekë në vit, përkatësisht 18,9 milion lekë për ato që përdorin burimet nëntokësore dhe 3,8 milion lekë për ato sipërfaqësore).
Për të gjithë Sektorin UK, Kosto mesatare e O&M për 1m3 ujë për të dy shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve të ujërave të ndotura është 54 lek/m3.
Referuar volumeve të mësipërme tarifa mesatare e përdorimit të ujit është 0,075 lek/m3 për të dy llojet e burimeve ujore që shfrytëzojnë/përdorin shoqëritë UK, e cila përfaqëson 0,14% të kostove mesatare të O&M, rezulton që:
Kosto përbërëse e përdorimit të ujit në faturën mujore të klientëve familjarë për një konsum mesatar rreth 12 m3/muajështë 0,9 lek/muaj për klient ose për një familje mesatare me 4 persona.
4. Mbrojtja e Mjedisit për ruajtjen e burimeve ujore nga mbi përdorimi.
Kriteri i katërt që ERRU ka në vëmendje gjatë miratimit të tarifave të propozuara nga Shoqëritë UK është gjithashtu i lidhur me aspektet e mirëmenaxhimit të burimeve ujore në përdorim të tyre.
Për ruajtjen e burimeve ujore nga mbi shfrytëzimi, duhet të dekurajohen konsumatorët nga konsumimi i ujit më shumë se normat normale.
Për këtë qëllim ERRU u jep mundësinë shoqërive UK të propozojnë aplikimin e tarifa ne “blloqe”, sipas parimit që deri në një normë përdorimi të caktuar (p.sh.150 litra/ditë, person) konsumatorët duhet të paguajnë me tarifa normale. Për sasinë e ujit të konsumuar përtej kësaj norme ato duhet të paguajnë tarifa më të larta, sipas tabelës që parashikon metodologjia e tarifave, neni 19, pika 6, si më poshtë:
Kategoria e Klientëve
Familjarë
Publikë
Privatë
Koeficienti i shumëzimit të çmimit për 1 m3 ujë
Konsumi
(m3/muaj)
Konsumi
(m3/muaj)
Konsumi
(m3/muaj)
1.0
deri 18
Mesatare Historike e
Vitit të fundit (MH)
Mesatare Historike e Vitit të fundit (MH)
1.0 deri 3.0
18 deri 30
Deri 3-fish e MH
Deri 3-fish e MH
1.5 deri 4.0
mbi 30
Mbi 3-fish e MH
Mbi 3-fish e MH
Në lidhje me kriterin “ndotësi paguan”, nëse në zonën e shërbimit të shoqërisë UK ndodhet një ITUN, që operohet nga shoqëria, për konsumatorët zbatohen kriteret e mësipërme, sepse fatura e tyre mujore përfshin kostot e operimit të impiantit të trajtimit. ndërsa për zonat e shërbimit që nuk janë të mbuluara me ITUN, ky parim mbetet të zbatohet në të ardhmen.
Gjithsesi ERRU në metodologjinë e miratimit të tarifave në nenin 19, pika 7 parashikon që për klientët që shkaktojnë ndotje problematike (të rënda) shoqëria mund të propozojë tarifa të posaçme në përputhje të zbatimit të parimit “ndotësi paguan”, por që ky argument në të ardhmen duhet zhvilluar më në detaje me nën akte të tjera.
Konkluzione:
Kostot e tarifave në Lejet e përdorimit të Ujit për shoqëritë UK në përbërje të faturës mujore të familjarëve është mjaft e ulët, pra ka mjaft hapësirë për rritjen e tyre në mënyrë që institucionet zbatuese të baseneve ujore të mund të kenë një buxhet të arsyeshëm në dispozicion për zhvillimin e aktivitetit të tyre në përmbushje të detyrave që i ngarkon ligji.
Referuar kritereve në metodologjinë e miratimit të tarifave, ERRU nuk imponon direkt që shoqëritë të aplikojnë për tarifa që të mund të mbulojnë të gjitha kostot, pra të zbatohet krejtësisht parimi i Rikuperimit të Kostove.
Propozimi për tarifa të reja është një e drejtë ekskluzive e shoqërive UK që përgatitet nga stafi menaxhues i shoqërisë, aprovohet nga Këshilli Mbikëqyrës përkatës dhe shoqërohet me opinionin e aksionerëve të shoqërisë.
Në Sektorin e UK për shoqëritë rajonale UK zbatimi i parimit të Rikuperimit të Kostove mbështetet dhe inkurajohet fort nga ERRU me instrumentet nënligjore që ka në dispozicion, por rolin kryesor në zbatimin plotësisht të tij e ka qeveria qendrore. Si aksioneri kryesor i Shoqërive Rajonale UK që drejton qeveria qendrore vendos se çfarë niveli tarifash shërbimesh Shoqëria Rajonale UK do të propozojë pranë ERRU-së për miratim.
Rritja e tarifave ne Lejet e përdorimit te Ujit për shoqëritë UK do të inkurajojë shoqëritë që të përmirësojnë treguesin e Ujin Pa të Ardhura.
Për përmirësimin e treguesit të UPA Shoqëritë UK gjithashtu duhet të synojnë aplikimin e tarifave me blloqe që dekurajojnë konsumatorët që konsumojnë ujin mbi normë. Kjo veçanërisht për konsumatorët në zona rurale dhe në përgjithësi konsumatorët jo familjare.
Reforma në sektorin UK pritet që në periudhën afatmesme sektori të jetë i qëndrueshëm financiarisht, gjë që mundëson ERRU të përditësojë metodologjinë aktuale që mbulimi i kostove të jetë kusht i detyrueshëm në aplikimet për tarifa të reja.
Referuar VKM nr. 302 datë 11.5.2022, si akti ligjor bazë për konceptimin dhe zbatimin e reformës për agregimin e sektorit, nënkuptohet që afati maksimal i vendosur nga qeveria qëndrore që nga themelimi i shoqërive rajonale që sektori UK të vetëfinancohet nga të ardhurat është 10 vjet. Angazhimi mjaft serioz i aktorëve në zbatim të reformës, premton një situatë optimiste që mbulimi i të gjitha kostove të shërbimeve UK në sektor të mbulohet kryesisht me tarifat, të realizohet para këtij afati, pra që të zbatohet plotësisht parimi i Rikuperimit të Kostove.