SHUKALB finalizon me sukses programin e D-LeaP “Plani i Sigurisë së Ujit dhe Menaxhimi i Krizave”
30 Korrik, 2024
SHUKALB finalizon me sukses programin e D-LeaP “Plani i Sigurisë së Ujit dhe Menaxhimi i Krizave”
Trajnim në vendin e punës i zhvilluar në ambientet e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Elbasan. Foto nga SHUKALB
Gjatë periudhës qershor – korrik 2024, SHUKALB zhvilloi me sukses programin e D-LeaP “Plani i Sigurisë së Ujit dhe Menaxhimi i Krizave” për shoqëritë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Berat. Ofrimi i programit këtë vit u mbështet bashkërisht nga Partneriteti i Danubit (D-LeaP) si dhe Rrjeti Rajonal i Zhvillimit të Kapaciteteve (RCDN).
Objektivi kryesor i këtij programi ishte rritja e aftësisë e stafit të shoqërive rajonale ujësjellës kanalizime, duke u fokusuar në identifikimin e operacioneve të dëmshme, planifikimin, përgatitjen dhe reagimin e shpejtë ndaj incidenteve dhe rikuperimin nga krizat dhe katastrofat.
Programi përfshinte tre workshope trajnimi në klasë dhe trajnime në vendin e punës dhe vizita në terren të kryera në secilën prej shoqërive pjesëmarrëse. Workshopet u mbajtën nga Pirro Cenko dhe Elton Hasanaj, të dy trajnerë të SHUKALB.
Gjatë vizitës në terren në stacionin e pompimit të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Shkodër Foto nga SHUKALB
Pjesëmarrësit u prezantuan me tema thelbësore si konceptet e Planit të Sigurisë së Ujit dhe Planit të Menaxhimit të Krizave, Hartimi i skemës së sistemit (flow chart) dhe hartimi i organigramës, Ndarja e risqeve dhe analizimi i tyre. Ata punuan me zell në plotësimin e Planeve të Sigurisë së Ujit për shoqeritë e tyre përkatëse të ujësjellësit, duke u fokusuar në pëmirësimin e masave të kontrollit dhe zhvillimin e planeve efektive të monitorimit. Vizitat në terren të kryera në pikat kritike të sistemit, ofruan një kuptim të plotë të përshkrimit të sistemit dhe analizës së risqeve.
Në workshopin e fundit të trajnimit, me ndihmën e trajnerëve, pjesëmarrësit ishin në gjendje të simulonin rolin e menaxherit të krizës dhe pozicionet e tjera kryesore në rastin e reagimit ndaj një situate krize, duke zotëruar kornizën 60 ‘të vlerësimit të situatës dhe vendimmarrjes. Përveç kësaj, ata përfunduan dhe prezantuan draft Planin e Sigurisë së Ujit dhe draft Planin e Menaxhimit të Krizave të shoqërive të tyre përkatëse.
Si hapa të ardhshëm dhe të fundit të programit, shoqëritë UK do të finalizojnë Planin e Sigurisë së Ujit dhe Planin e Menaxhimit të Krizave dhe do t’i miratojnë ato zyrtarisht përmes Këshillit Mbikqyrës si dokumente të brendshme që do të përdoren dhe referohen në rast të një krize.