SHUKALB merr pjesë në programin “Bayern – Fit for Partnership”
8 Tetor, 2024
SHUKALB merr pjesë në programin “Bayern – Fit for Partnership”
Alban Kushi, Menaxher i Shërbimit ndaj Anëtarëve, SHUKALB, duke prezantuar mbi “Pamje e sektorit ujësjellës kanalizime në Shqipëri” gjatë eventit të bashkëpunimit në Agjencinë Bavareze të Mjedisit, Hof, Gjermani Foto nga SHUKALB
Nga data 23 deri më 27 shtator, një delegacion nga Shqipëria mori pjesë në aktivitetin “Menaxhimi i Ujit për Shqipërinë” në Bavari, Gjermani. Aktiviteti u organizua nga em&s – expert in markets and sciences, në bashkëpunim me Shoqatën Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA), si pjesë e programit “Bayern – Fit for Partnership”. Kjo nismë ndërkombëtare trajnimi mbështetet nga Bayern International dhe financohet nga Ministria e Çështjeve Ekonomike të Bavarisë.
Delegacioni shqiptar përbëhej nga përfaqësues të Shoqërive Ujësjellës Kanalizime Tiranë, Shkodër, Pogradec, Gjirokastër dhe Sarandë, së bashku me zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, GIZ Albania, dhe kompani private si Hidro Mentori shpk, Novamat shpk, Water Boutique. Pjesë e delegacionit ishin edhe përfaqësues nga DIHA dhe SHUKALB.
Delegacioni shqiptar gjatë vizitës së tyre në ambientet e Siemens AG në Erlangen-Bruck Foto nga SHUKALB
Alban Kushi, Menaxher i Shërbimeve ndaj Anëtarëve, SHUKALB, duke prezantuar gjatë vizitës në ambientet e Siemens AG në Erlangen-Bruck Foto nga SHUKALB
SHUKALB u përfaqësua nga Z. Alban Kushi, Menaxher i Shërbimeve ndaj Anëtarëve, i cili ishte i ftuar për të prezantuar në aktivitet. Prezantimi i tij, i titulluar “Pamje e sektorit ujësjellës kanalizime në Shqipëri”, ofroi një pasqyrë të hollësishme të sektorit të ujit në Shqipëri, duke mbuluar strukturën institucionale, reformat kryesore në zhvillim e sipër, treguesit e performancës së sektorit të ujit, nevojat për investime në ujësjellës dhe kanalizime, sfidat dhe mundësitë për përmirësim. Z. Kushi ndau edhe këshilla praktike për kompanitë bavareze që kërkojnë të hyjnë në tregun shqiptar.
Programi përfshinte gjithashtu vizita në disa kompani lider, si Wilo SE, Huber SE, Siemens AG, Impianti i Trajtimit të Ujit të Ndotur në Kemnath, Föckersperger Maschinen GmbH dhe BIOWORKS Verfahrenstechnik GmbH. Gjithashtu, pjesëmarrësit morën pjesë në Forumin dhe Panairin e Nurembergut për ujërat e ndotura, të mbajtur më 26 shtator në Fürth.
.
Delegacioni shqiptar gjatë vizitës së tyre në ambientet e kompanisë Huber SE në Berching Foto nga SHUKALB
Pjesëmarrësit e vlerësuan shumë programin, duke e përshkruar atë si një mundësi të shkëlqyer për të eksploruar një gamë të gjerë produktesh, shërbimesh dhe teknologjish inovative në menaxhimin e ujit dhe ujërave të ndotura. Ata vlerësuan gjithashtu mundësinë për të vendosur kontakte të vlefshme me kompani bavareze në këtë fushë.
Delegacioni shqiptar gjatë vizitës së tyre në ambientet e Wilo SE, në Hof, Gjermani Foto nga SHUKALB
Vizitë në Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotura Kemnath Foto nga SHUKALB