Forcimi i sigurisë së ujit në Shqipëri: SHUKALB bashkë-organizon workshopin mbi Planin e Sigurisë së Ujit
26 Dhjetor, 2024
Forcimi i sigurisë së ujit në Shqipëri: SHUKALB bashkë-organizon workshopin mbi Planin e Sigurisë së Ujit
Olta Alla, Menaxhere e Programeve dhe Koordinatore e Trajnimeve, SHUKALB, dhe pjesëmarrës gjatë workshopit mbi Planin e Sigurisë së Ujit Foto nga SHUKALB
Më 11 dhjetor 2024, në Tiranë, projekti Negociatat e Ujërave dhe Mbështetja e Planifikimit të Investimeve (NIPS) me mbështetjen e SHUKALB, bashkë-organizuan një workshop mbi Planin e Sigurisë së Ujit (WSP). Projekti NIPS i ofron asistencë teknike Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK) për: 1) Zhvillimin e dokumenteve kryesore strategjike për sektorin e ujit, dhe 2) Rritjen e aftësinë së tyre për të zbatuar politikën e investimeve në sektorin e ujit. Projekti mbështet negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Evropian në lidhje me Kapitullin 27 të acquis.
Workshopi mbi Planin e Sigurisë së Ujit u organizua në kuadër të Detyrës 8 të projektit, e cila është asistencë teknike specifike dhe e synuar për AKUK për të aplikuar rezultatet e projektit NIPS gjatë procesit të negociatave të Shqipërisë në BE për Ujërat e Ndotura dhe Ujin e Pijshëm (Kapitulli 27)..
Strategjia Kombëtare për Sektorin e Ujësjellës Kanalizimeve, 2023 – 2030 ka për synim të përfundojë Planet e Sigurisë së Ujit (WSP) në vitin 2029. Përgjegjësia kryesore për përgatitjen e WSP-ve i takon Shoqërive Rajonale Ujësjellës Kanalizime, por përgatitja e tyre do të kërkojë burimet dhe trajnimet adekuate për stafin e shoqërive.
Pjesëmarrësit në workshop përfshinin përfaqësues nga shoqëritë UK, AKUK, Universiteti i Tiranës, Instituti Italian i Shëndetit Publik, Confservizi Cispel Toscana, SETEC-SWECO dhe SHUKALB. Workshopi theksoi objektivat e WSP-ve dhe mundësitë e trajnimit që ofron SHUKALB në këtë fushë. Diskutimet mbuluan udhëzime për zbatimin e WSP-ve në Shqipëri, raste studimore praktike nga Italia dhe Kosova (të prezantuara nga SHUKOS), dhe mësimet e nxjerra me rekomandime për veprime të ardhshme.
Menaxherja e Programeve dhe Koordinatore e Trajnimeve të SHUKALB, Olta Alla, mbajti një prezantim të titulluar “Gjendja e zbatimit dhe oferta e trajnimeve për Shoqëritë Rajonale UK në Shqipëri”. Prezantimi përshkroi konceptin e WSP-së, kuadrin e tij ligjor në Shqipëri, programet e trajnimit për vlerësimin e riskut dhe menaxhimin e krizave, dhe metodologjinë e planifikimit të WSP. Ai gjithashtu dha një përmbledhje të praktikave të monitorimit, kritereve të vlerësimit të riskut, cikleve të menaxhimit të krizave dhe gjendjes aktuale të zbatimit të WSP në Shqipëri.
Gjatë diskutimit, pjesëmarrësit eksploruan metodologjitë dhe mjetet e përdorura për vlerësimin e riskut brenda kornizës së Planit të Sigurisë së Ujit. Pyetjet u fokusuan në disponueshmërinë e mjeteve për vlerësimin statik të riskut dhe integrimin e tyre në programet aktuale të trajnimeve. SHUKALB sqaroi se trajnimet tona, të zhvilluara në kuadër të programit D-LeaP, i përmbahen metodologjive të vendosura për vlerësimin e riskut.
Workshopi përforcoi angazhimin e SHUKALB për ndërtimin e kapaciteteve në sektorin e ujit nëpërmjet trajnimeve gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunimit me aktorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. SHUKALB planifikon të ofrojë Programin e D-LeaP Plani i Sigurisë së Ujit në vitin 2025, për shoqëritë ujësjellës kanalizime të interesuara.