Përpjekjet për të kapërcyer sfidat e përmbytjeve në Durrës
7 Shkurt, 2025
Përpjekjet për të kapërcyer sfidat e përmbytjeve në Durrës
Grupet e punës së Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës në përgjigje të situatës së përmbytjeve Foto nga UK Rajoni Durrës
Gjatë ditëve të fundit të muajit janar, reshjet e dendura të shiut shkaktuan problematika të konsiderueshme në disa zona të qytetit të Durrësit, duke vënë në provë strukturat e menaxhimit të ujërave dhe kanalizimeve. Përballë kësaj situate emergjente, Shoqëria Rajonale UK Durrës (UK Rajoni Durrës) reagoi menjëherë duke mobilizuar grupet e punës për të normalizuar situatën dhe për të minimizuar dëmet.
Punonjësit e UK Rajoni Durrës, pavarësisht kushteve tejet të vështira atmosferike, u angazhuan me përkushtim në akset më problematike të qytetit. Veçanërisht, sektori i kanalizimeve ka punuar rregullisht për të mirëmbajtur dhe pastruar kanalizimet e ujërave të ndotura dhe pusetat e tyre, duke u siguruar që sistemi të funksionojë në kapacitetin maksimal. Për të përballuar prurjet e jashtëzakonshme të ujërave, të gjitha stacionet e pompave u mbajtën në funksionim të plotë, madje duke tejkaluar kapacitetin e tyre të lejuar, në mënyrë që të minimizohen përmbysjet dhe bllokimet e mundshme.
Përveç masave të marra nga UK Rajoni Durrës, u sigurua edhe bashkëpunimi me subjektin nënkontraktues, i cili u angazhua me makineritë e tij të specializuara për pastrimin e kolektorëve kryesorë dhe sekondarë të ujërave të ndotura të qytetit. Këto shërbime, të cilat u realizuan me sukses gjatë vitit 2024, do të vazhdojnë edhe në vitin 2025, duke siguruar një menaxhim më të mirë të sistemit të kanalizimeve në të ardhmen.
Për të zgjidhur problematikat afatgjata të shkaktuara nga reshjet dhe ujërat e ndotura, në lagjen nr.17, rruga “Dalip Peza”, si dhe në zonat informale të qytetit, është parashikuar një investim nga Qeveria Shqiptare, e përfaqësuar nga AKUK, në bashkëpunim me Agjencinë Franceze të Zhvillimit (AFD). Ky investim synon të ofrojë një zgjidhje të qëndrueshme dhe efektive për menaxhimin e ujërave në këto zona problematike, duke rritur sigurinë dhe cilësinë e jetës së banorëve.
Përtej masave të marra nga institucionet përgjegjëse, një faktor kyç në parandalimin e përmbytjeve është edhe angazhimi i qytetarëve. Hedhja e mbeturinave në kanalizime dhe ujëmbledhës përbën një nga arsyet kryesore të bllokimit të rrjeteve të kanalizimeve, duke përkeqësuar pasojat e reshjeve të dendura. Prandaj, UK Rajoni Durrës u bën thirrje qytetarëve që të shmangin këtë praktikë të dëmshme dhe të kontribuojnë në mbajtjen pastër të sistemit të kanalizimeve për një mjedis më të sigurt dhe më të qëndrueshëm.
Puna e palodhur e ekipeve të UK Rajoni Durrës dhe bashkëpunimi me institucionet përkatëse tregojnë se menaxhimi efikas dhe reagimi i shpejtë ndaj emergjencave mund të ndihmojë në minimizimin e pasojave të fenomeneve natyrore, duke siguruar një mjedis më të sigurt dhe më të qëndrueshëm për qytetarët e Durrësit.