Bashkohuni me ne për të festuar Ditën Botërore të Ujit 2025!
7 Mars, 2025
Bashkohuni me ne për të festuar Ditën Botërore të Ujit 2025!
Foto: UN-Water
Dita Botërore e Ujit, e festuar çdo vit më 22 Mars, është një nismë globale e udhëhequr nga Kombet e Bashkuara për të theksuar rëndësinë e ujërave të ëmbla dhe advokimin e menaxhimin të qëndrueshëm të tyre. Çdo vit, kjo ditë fokusohet në një temë specifike të lidhur me ujin, dhe për vitin 2025, tema e zgjedhur është “Ruajtja e Akullnajave”.
Akullnajat po shkrihen në një shkallë alarmante për shkak të ndryshimeve klimatike, duke ndërprerë rrjedhat e ujit dhe duke prekur miliona njerëz përmes përmbytjeve, thatësirave dhe rritjes së nivelit të detit. Zbutja e ndryshimeve klimatike dhe përshtatja ndaj humbjes së akullnajave është thelbësore për mbrojtjen e komuniteteve, sigurimin e burimeve ujore dhe ruajtjen e ekosistemeve. Dita Botërore e Ujit e këtij viti thekson nevojën për veprim global për të menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme ujërat e shkrirë dhe për të reduktuar emetimet për të mbrojtur të ardhmen e disponueshmërisë së ujërave të ëmbla.
Ashtu si në vitet e mëparshme, SHUKALB mbështet aktivisht shoqëritë ujësjellës kanalizime në të gjithë Shqipërinë në organizimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe informuese publike për të shënuar këtë rast të rëndësishëm. Edhe këtë vit, SHUKALB ka zhvilluar një fushatë gjithëpërfshirëse ndërgjegjësimi që përfshin materiale promovuese dixhitale, materiale edukative të printuara dhe artikuj të veçantë promovues si bluza, çanta dhe karfica me logon e Ditës Botërore të Ujit së bashku me logot e shoqërive UK pjesëmarrëse.
Festimi i Ditës Botërore të Ujit 2024 në Shkodër
Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime inkurajohen të marrin pjesë në këtë event duke organizuar aktivitete në qytetet e tyre përkatëse. Në vitet e mëparshme, këto aktivitete përfshinin evente të hapura ndërgjegjësuese në qendrat e qyteteve, sesione edukative me nxënës të shkollave dhe shfaqje posterash që theksonin mesazhet kryesore për ruajtjen e ujit, pagesën e faturave dhe kanalizimet. Një fokus i veçantë këtë vit është organizimi i eventeve OPEN DAY në impiantet e trajtimit të ujit, duke u dhënë qytetarëve dhe studentëve një mundësi për të mësuar rreth proceseve të furnizimit me ujë nga dora e parë.
Festimi i Ditës Botërore të Ujit 2024 në Gjirokaster.
SHUKALB do të sigurojë materiale të personalizuara për shoqëritë uk për të siguruar që mesazhi i ruajtjes së akullnajave dhe temave të tjera thelbësore të lidhura me ujin të arrijë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur. Shoqëritë ujësjellës kanalizime që do të dëshironin të organizonin evente ndërgjegjësuese dhe informuese për Ditën Botërore të Ujit 2025, janë të mirëpritur të kontaktojnë SHUKALB përmes adresës së e-mailit program@shukalb.al. Gjithashtu ftojmë të gjitha shoqëritë pjesëmarrëse të ndajnë foto nga eventet e tyre, të cilat do të shfaqen në platformat tona të mediave sociale, si dhe do te publikohen në numrin e ardhshëm të buletinit elektronik BURIMI.
Le të punojmë së bashku për të përhapur ndërgjegjësimin, për të mbrojtur burimet tona ujore dhe për të sjellë një ndryshim të qëndrueshëm. Bashkohuni me ne për të festuar Ditën Botërore të Ujit 2025!